Ekonomia

Projektligji i ri, qeveria merr drejtimin e bashkive që keqadministrohen

Një projektligj i ri për financat vendore i jep të drejtën qeverisë që të marrë në administrim bashkitë që janë në aftësi mospaguese për shkak të borxheve të larta dhe mungesës së likuiditetit.

Projektligji që tashmë ka marrë miratimin e qeverisë dhe është gati të për diskutim në Kuvend parashikon se, Këshilli i Ministrave vendos nën administrim njësinë vendore që ndodhet në situatën e paaftësisë paguese. Gjithashtu qeveria përcakton planin e veprimit për daljen nga kjo gjendje, i cili është i detyrueshëm për zbatim nga organet e njësisë së vetëqeverisjes vendore, dhe afati i zbatimit të tij.

Ministria e Financave, me marrjen e njoftimit nga kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore ose kur e konstaton vetë, i propozon Këshillit të Ministrave për vendosjen nën administrim të njësisë së vetëqeverisjes vendore që është në vështirësi financiare.

Para reformës territorale të paktën 7 njësi të pushtetit lokal kishin shpallur gjendjen e “falimentit”, ndër to edhe bashkia e Pukës. Bashkitë dhe komunat e përfshira në këtë situatë reflektuan borxhe të larta dhe mungesë të ardhurash sidomos nga burimet e veta.

Sipas përcaktimeve në projektligjin e ri, njësia e vetëqeverisjes vendore konsiderohet në vështirësi serioze financiare kur borxhet afatgjata dhe detyrimet e papaguara ndaj palëve të treta përbëjnë mbi 80% të shpenzimeve vjetore të miratuara.

Me konstatimin e situatës së vështirësisë serioze financiare, kryetari  i njësisë së vetëqeverisjes vendore njofton menjëherë këshillin e njësisë dhe Ministrinë e Financave.

Ministria e Financave, me marrjen e njoftimit nga kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore ose kur e konstaton vetë, i propozon Këshillit të Ministrave masat për daljen nga situata e vështirësisë serioze financiare. Në këtë rast, Këshilli i Ministrave vendos të:

a) japë mbështetje financiare në formën e ndihmës apo huas, duke përcaktuar edhe planin për daljen e njësisë së vetëqeverisjes vendore nga situata e vështirësisë serioze financiare si dhe planin e kthimit të shumës së dhënë;

b) mandatojë Ministrinë e Financave për të negociuar ristrukturimin e borxheve dhe të detyrimeve të papaguara;

c) shpallë njësinë e vetëqeverisjes vendore në mbikëqyrje financiare dhe të autorizojë Ministrinë e Financave si mbikëqyrës financiar të saj, duke respektuar rigorozisht këto kushte:

1)Njësia e vetëqeverisjes vendore nuk mund të marrë asnjë vendim që mund të çojë në shtimin e detyrimeve të saj financiare;

2)Njësia e vetëqeverisjes vendore nuk mund të vendosë shërbime të reja publike, të themelojë sipërmarrje publike apo çdo institucion tjetër;

 

iii. Njësia e vetëqeverisjes vendore nuk mund të shlyejë asnjë detyrim financiar, të krijuar para shpalljes së rastit të vështirësisë financiare, përveç detyrimeve të përcaktuara shprehimisht në planin e rehabilitimit financiar.

 

Këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore, brenda 30 ditëve nga shpallja e njësisë në mbikëqyrje financiare, sipas shkronjës “c”, të pikës 3, të këtij neni, miraton një plan rehabilitimi financiar, të cilin ia dorëzon për miratim Ministrisë së Financave. Përgatitja e planit të rehabilitimit bëhet nga kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore, me asistencën e Ministrisë së Financave. Në rast se njësia e vetëqeverisjes vendore nuk e dorëzon planin e rehabilitimit brenda këtij afati, plani përgatitet nga Ministria e Financave.

 

Zbatimi i planit të rehabilitimit është i detyrueshëm për njësinë e vetëqeverisjes vendore dhe ajo dorëzon, të paktën një herë në 30 ditë, ose sa herë që kërkohet nga Ministria e Financave, raporte të hollësishme për realizimin e masave, sipas këtij plani.

 

Procedura më të detajuara për menaxhimin e situatave të vështirësive serioze financiare përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button