Protesta e studentëve, kryeministri i RMV akuza partive shqiptare: Po tentojnë të destabilizojnë vendin
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristija Mickoski, sot tha se përfaqësuesit e partive opozitare shqiptare me pjesëmarrjen e tyre në protestën e djeshme në Shkup të studentëve të juridikut për çështjen e provimit të jurisprudencës po tentojnë që të destabilizojnë vendin.
Ai tha sot pjesëmarrja e funksionarëve të lartë e aktivistëve politikë shqiptarë i ka dhënë edhe një “konotacion politik” protestës, raporton Zhurnal.mk.
“Ne i kemi informuar aleatët tanë në NATO si dhe brenda Bashkimit Evropian për përpjekjen e opozitës për të krijuar destabilizim në një mënyrë të caktuar. Mendoj se kjo nuk ka marrë miratimin e përfaqësuesve të lartë të bashkësisë ndërkombëtare”, tha ai kur u pyet për protestën e djeshme në kryeqytet.
Mijëra studentë shqiptarë nga tre universitete të ndryshme zhvilluan dje një marshim masiv protestues në Shkup, duke i bërë thirrje Ministrisë së Drejtësisë të lejojë zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Nën thirrjet “Drejtësi, barazi, nuk ka shtet pa rini!”, të rinjtë u nisën nga Gjykata Kushtetuese për të përfunduar marshin e tyre përpara godinës së Ministrisë së Drejtësisë.
Boshti i kësaj proteste është zbatimi i Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Përfaqësuesit e studentëve kërkuan gjetjen e një zgjidhjeje urgjente ligjore dhe i bënë thirrje të drejtpërdrejtë ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, të reflektojë. Pas deklaratave të mëparshme të ministrit se nuk do të lejonte që provimi të mbahej edhe në shqip, protestuesit e përshkallëzuan reagimin e tyre duke kërkuar dorëheqjen e tij të menjëhershme. Ata paralajmëruan se nuk do të tërhiqen nga rruga e protestave derisa kërkesat e tyre të gjejnë zbatim.
The post Protesta e studentëve, kryeministri i RMV akuza partive shqiptare: Po tentojnë të destabilizojnë vendin appeared first on RTSH.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.