‘Protestat’ mollë sherri mes BDI-së dhe PDSH-së
PDSH-ja i adresoi akuza të rënda partisë në pushtet BDI-së lidhur me epilogun e rastit “Monstra”. Sipas PDSH-së, edhe pse prej dy mandatesh BDI-ja kryeson dikasterin e drejtësisë, shqiptarët janë viktimë e proceseve të montuara dhe gjykimeve të padrejta. Sipas deputetit Bekim Fazliu, qytetarët me të drejtë protestojnë përpara gjykatave për të mallkuar siç tha ai, padrejtësitë që iu bëhen atyre vazhdimisht.
“Për shkak të gjykatave jo të pavarura, të politizuara, të korruptuara, për shkak të pjesës tjetër të drejtësisë përfshi këtu edhe ministrinë e drejtësisë që në dy mandate udhëhiqet me dy ministra të ndryshëm të BDI-së ekziston një valë pakënaqësie të shqiptarët, zemërim, sepse drejtësia me të cilën udhëheq BDI lëndon dhe vret shpirtra njerëzish të zhgënjyer që në dyert e gjykatave presin jo për t’u gjykuar por për të mallkuar ata vet drejtësinë e pështirë që u shërben”, tha Bekim Fazliu, PDSH.
Deputetja e BDI-së Ermira Mehmeti pranoi se një pjesë e fajit i takon edhe BDI-së si parti në pushtet por edhe të gjithë faktorëve të tjerë të cilët duhet të sigurojnë zbatimin e reformave në gjyqësor. Megjithatë Mehmeti shprehu shqetësimin se qarqe të caktuara kanë tendencë që të përfitojnë nga situata e krijuar.
“Unë si deputete i lejoj vetës të jem autokritike; nuk kemi bërë mjaftueshëm në realizimin e reformave në gjyqësor, duhet të punojmë akoma më shumë për të ndryshuar ato mentalitete të cilat nxisin, me ose pa vetëdije, kontribuojnë që një vendim i gjykatës i cili duhej apeluar, të shndërrohet në arsye për përplasje etnike akoma më keq për përplasje mes shqiptarëve dhe policisë. Duket se ka tendenca nga ndonjë individ apo grupe për ta uzurpuar, grabitur hapësirën e krijuar për ndonjë agjendë, që nuk them se është politike”, deklaroi Ermira Mehmeti, BDI.
Mehmeti u bëri thirrje të gjithë faktorëve për të punuar së bashku për të bërë korrigjimet e duhura siç tha ajo, në emër të një agjende unifikuese, të orientuar drejt BE-së.