Protestë për pagat në Fier, punëtori i rafinerisë ngjitet në oxhak
Një punëtor i rafinerisë në Fier kërcënoi të vrasë veten, pasi nuk ka marrë pagat e katër muajve. Agim Myrdini, 59 vjeç, ishte duke protestuar në mesin e 150 puntorëve të tjerë këtë mëngjes, kur hipi në një oxhak me një shishe benzine me vete.
Myrdini zbriti pas ndërhyrjes së përfaqësuesit të kompanisë Armo, i cili i premtoi se rrogat do të jepen. Në një deklaratë për shtyp, edhe Trading Petrol and Drill sqaron se “detyrimi i prapambetur që Myrdini ia kërkon kësaj shoqërie, në fakt duhet të shlyhet nga Armo në bazë të kontratave të punës që ai ka me kompaninë ku është punësuar”.
“Duam gjithashtu të sqarojmë opinionin publik dhe të gjithë të interesuarit, se TPD sh.a prej tre vitesh është njëri prej kontraktorëve të Armos, me një marrëveshje operimi të Rafinerisë së Fierit. Në këtë marrëveshje, përgjegjësitë dhe detyrimet ndaj punonjësve qëndrojnë me shoqërinë Armo. Marrëveshja në fjalë ka skaduar në 31 Dhjetor të 2016 dhe aseti i është dorëzuar përmbaruesve të ngarkuar nga bankat, që janë në proces ekzekutimi të rafinerisë së Fierit kundrejt kredive të pashlyera të Armo sh.a. ndaj tyre”, lexohet në komunikatë.
Aty thuhet më tej se largimi i shoqërisë Armo ka krijuar detyrime të larta ndaj institucioneve të tjera, ndaj punonjësve të vetë Armos si edhe shoqërisë TPD, e cila, si investitor i rëndësishëm, jo vetëm nuk ka krijuar detyrime ndaj të tretëve, por është duke u përballur me presione dhe gjoba ndëshkuese, krejtësisht të padrejta, nga autoritetet shtetërore.