Politika

PS: Basha kërkon të fsheh dështimin e tij në drejtimin e kryeqytetit

Partia Socialiste akuzoi sot Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha se,  fshihet pas kandidatit për kryebashkiak për të fshehur dështimin e tij në drejtimin e kryeqytetit.

Përmes një deklarate për shtyp nga selia rozë, deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Bare tha se, Basha ka zgjedhur t’i bëjë bisht përballjes me bilancin e tij të dështuar në krye të Bashkisë së Tiranës. “Fshihet pas një tjetër kandidati dhe kohët e fundit ka filluar të mos duket më fare në Tiranë. Shpreson se duke u larguar nga Tirana banorët e kryeqytetit kanë për të harruar dështimet spektakolare të këtij mandati”, u shpreh Bare.

Ai vijoi duke thënë se qytetarët e Tiranës i mbajnë mend premtimet e Lulit. “E mbajnë mend për shembull, premtimin për ndërtimin e korridorit rekreativ të Lumit të Tiranës. Një premtim i bujshëm, i trumbetuar shumë, por që sot është kthyer thjesht në një tjetër mashtrim në listën e gjatë të mashtrimeve të Lulit”, tha deputeti socialist.

Besnik-Bare-SP-660x349

Sipas Bares, “nuk është çudi që sot të dalë ndonjë tjetër zëdhënëse e Lulzim Bashës të na deklarojë sesi ai në fakt e ka ndërtuar këtë korridor, e madje se ky korridor lidhet me linjë tramvaji edhe me bulevardin e ri të Tiranës.

Sepse ashtu siç gënjeu gjatë fushatës së 2011-s, ashtu ka zgjedhur mashtrimin si mënyrën e vetme për t’u përballur me bilancin e dështuar të këtij 4-vjeçari në Bashkinë e Tiranës”, nënvizoi deputeti i mazhorancës.

Ai shtoi se, qytetarët e Tiranës e shohin dhe e përjetojnë përditë dështimin dramatik të Lulzim Bashës. “Qytetarët e zonës së Lumit të Tiranës e ndjejnë këtë dështim edhe më shumë. Sepse në vend të gjelbërimit, terreneve sportive e këndeve të lojërave që ju premtoi Luli, vazhdojnë sot të përballen me atë mungesë infrastrukture dhe urbanizimi që është kthyer në mallkimin e banorëve të këtyre zonave”, tha Bare.

Deputeti socialist e mbylli fjalën e tij, duke thënë se përgjigja më e mirë për Bashën do të jenë zgjedhjet lokale. “Në 21 qershor këta banorë do të votojnë për t’i hapur rrugë ndryshimit. Pas 21 qershorit ashtu si banorët e mbarë Tiranës edhe ata do të bëhen dëshmitarë të rikthimit të Tiranës në rrugën e duhur”, përfundoi deputeti socialist.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button