PS kërkon provat për Tahirin, prokurori: Do dalin emra që s’duhen bërë publikë!
Të gjithë përfaqësuesit e Partisë Socialiste kërkojnë që seanca për Saimir Tahirin të bëhet me dyer të hapura, madje deputeti Ulsi Manja ka kërkuar në mënyrë indirekte që të gjithë janë të interetuar të dëgjojnë provat e prokurorisë.
Deklarata vjen pas asaj të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili mori në mbrojtje Saimir Tahirin duke thënë se deri më tani nuk ka ndonjë provë nga ana e prokurorisë për arrestimin apo fajësinë e ish ministrit.
Ulsi Manja: Në fakt ne sot po shqyrtojmë një kërkesë të prokurorisë për dhënien e autorizimit të vijimit të hetimit penal për deputetin Tahiri. Është një cështje e sensibilitetit publik, opinioni është i interesuar të dëgjojë prokurorinë, po pse jo edhe provat që ka prokuroria. Nuk kemi asnjë gjë për t’i fshehur publikut.
Por prokurori përfaqësues Besim Hajdarmataj ka deklaruar se nëse seanca bëhet me dyer të mbyllura, preket sekreti hetimor, pasi në këtë seancë organi i akuzës është përgatitur që të tregojë prova dhe të përmendë emra që nuk duhet të dalin në asnjë farë mënyrë në publik.
Kjo ishte një deklaratë e fortë e Hajdarmatajt, personit i cili ka firmosur urdhërin e prokurorisë për arrestimin e Saimir Tahirit.
Hajdarmataj: Kemi përgatitur deklaratat për ruajtjen e sekretit, kemi informacione që vijnë nga struktura ligjzbatuese të vendit ku flitet për aktivitete kriminale, për emra personash që në asnjë mënyrë nuk mund të bëhen publike. Edhe nëse konsiderohet se jemi në fazë paraprake, shpesh na ndodh që para gjykatës të zhvillojmë seanca me dyer të mbyllura seanca me fakte që konsiderohen sekret shtetëror. Mbledhja duhet zhvilluar me dyer të mbyllura se edhe ligji edhe kushtetuta edhe rregullorja i kanë dhënë atributin këtij komisioni të shqyrtojë kërkesën tonë.
Nga ana tjetër, deputetët e PD-së kanë kërkuar që seanca të bëhet e hapur deri në limitet kur nuk preket sekreti hetimor, e më pas të vijohet pa prezencën e medias.
Alibeaj: Sigurisht që kjo është një kërkesë e drejtë nga pikëpamja e prokurorisë, por po ashtu, mbledha e këshillit të rregullores dhe mandateve është një mbledhje e kuvednit, që do të thotë një mbledhje e hapur për publikun.
Propozimi ynë është që të mund ti gërshetojnë të dyja kërkesat, edhe të drejtën që kemi ndaj publikut, por sigurisht duke ruajtur kërkesën tuaj.
Propozimi ynë është, kërkesa e prokurorisë të ecë në dokumentet formale dhe kur fjala të vijë tek dokumentet që ju i konsideroni sekret hetimor, ju të mund ti kërkoni këtij këshilli që seanca të vijojë e mbyllur. Ose mund të bëni një gjë tjetër, pas prezantimit, ne të mund të diskutojmë për materialet sekrete pa median.
Në fund u vendos që seanca të zhvillohet me dyer të hapura.