PS mbështet hapjen e listave/ Marrëveshja e 5 qershorit nuk preket
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Partia Socialiste mbështet një hapje të listave për t’i dhënë mundësi çdo zgjedhësi të zgjedhë subjektin politik dhe të shprehë preferencën e tij për deputetin apo deputeten e përfshirë në listën e subjektit”.
Në një komunikim me mediet, Rama foli mbi qëndrimin e PS-së për përmbylljen e procesit të Reformës Zgjedhore në parlament brenda këtij sesioni të Kuvendit të Shqipërisë.
“Ky është një qëndrim i formësuar tanimë pas një procesi të gjatë dhe të vonuar për hir të së vërtetës për Reformën Zgjedhore. Arsyet e vonesave i dini dhe ndërkohë në Kuvendin e Shqipërisë ka hyrë në proces sipas gjithë rregullave të procedurës, si pasqyrimi pikë për pikë i marrëveshjes së bërë me opozitën jashtëparlamentare edhe nisma e opozitës parlamentare”, tha Rama.
Rama tha se “ne kemi vendosur që të mbështesim hapjen e listave, dhe ky është një vendim që reflekton bindjen tanimë se hapja e listave përkon me dëshirën e një mase shumë të madhe qytetarësh shqiptarë që shkon shumë përtej një shumice apo pakice qeverisëse”.
“Shkon përtej asaj që do të ishte zgjidhja më e thjeshtë dhe në pamje të parë më komode për një parti të madhe, por edhe për mua personalisht si kryetar i partisë, që në këtë rast duhet t’u jap të gjithëve jo me fjalë, por me faktin e hapjes së listave mesazhin që asnjëherë nuk ka qenë për mua prioritet komoditeti im, por gjithmonë prioritet është që PS të reflektojë shoqërinë dhe të reflektojë interesat dhe ambiciet e shoqërisë”, tha Rama.
Gjithashtu, Rama deklaroi se “të cilësosh si problem hapjen e listave dhe ta konsiderosh këtë si cenim të integrimit, kjo është marrëzi”.
“E di shumë mirë që ka një sëkëlldi dhe po ashtu ka edhe një përpjekje që kjo gjë të tregohet sikur është një shkelje e marrëveshjes së 5 qershorit, por fakti është se marrëveshjen e 5 qershorit ne e kemi realizuar me vullnetin më të mirë duke shkelur dhe mbi veten, për hir të së vërtetës”.
Rama tha se “lidhja e këtij procesi dhe vënia e kujës se duke prishur marrëveshjen e 5 qershorit po bëhet diçka kriminale në raport me interesat e integrimit të vendit është krejtësisht e pabazë”.
“Marrëveshja e 5 qershorit nuk preket nga PS dhe këtu është ngërçi i vetëm që ne kemi me opozitën parlamentare. Ne do të kërkojmë deri në fund nga ata që janë iniciatorët e ndryshimeve që të mos insistojnë në ndërhyrje për administrimin e zgjedhjeve. Ata janë kundër marrëveshjes që administrimi i zgjedhjeve dhe procesi i numërimit të kryhet nga partitë politike. Kundër kam qenë edhe unë sepse as mua nuk më pëlqen kjo zgjidhje, por ky është lëshimi i madh që kemi bërë dhe kështu opozita jashtëparlamentare nuk ka asnjë alibi për të kërkuar dhe pretenduar në funksion të garancive. Është pjesëmarrëse në proces, të gjitha rregullat e lojës janë shkruar e do zbatohen bashkërisht”, tha Rama.
Ideja që hapja e listave prish marrëveshjen, sipas tij, “është një çmenduri”.
“Kërcënimet dhe aludime se po u bë kjo ne do të bëjmë kështu e ashtu nuk e ndihmojnë procesin në raport me Europën. Por nga ana tjetër, peng Partinë Socialiste dhe Kuvendin e Shqipërisë ku hyn edhe opozita parlamentare nuk e merr dot askush nga jashtë këtij Kuvendi, as me forcë, shantazhe, kërcënime në raport me Europën, miqtë dhe partnerët tanë që ishin të përfshirë dhe ndikuar pozitivisht në realizimin e asaj marrëveshjeje”, tha Rama.
Kryeministri tha se “ne jemi absolutisht të qartë dhe produkti është ai që flet”. “Do të ishte shqetësuese patjetër nëse PS do të shfrytëzonte këtë situatë apo do të përdorte rrugë të padenja për të garantuar mazhoranca që do ta çonin sistemin drejt ndonjë ndryshimi që do të cënonte cilësinë e demokracisë”, tha Rama.