PS nis fushatën në rrjete sociale për zgjedhjet e 2015
Sinjalizimi për të nisur punën në degët e partive në çdo rreth, u dha që në mbledhjen e fundit të grupit të majtë parlamentar
Partia Socialiste është e para forcë politike në vend, e cila ka nisur me përgatitjet e saj për të fituar këto zgjedhje
Zyrtarisht fushata nis një muaj para mbajtjes së procesit zgjedhor dhe mbyllet vetëm një ditë para fillimit
Faqe e re në “Facebook” për lajmet e qeverisë, si dhe aktivitetet e së majtës
Nga Artemisa Hoxha
Ethet e zgjedhjeve vendore të 2015-s kanë filluar të ndihen që tani, edhe pse jemi shumë muaj para mbajtjes së tyre. Partia Socialiste është e para forcë politike në vend, e cila ka nisur me përgatitjet e saj për të fituar këto zgjedhje. Sinjalizimi për të nisur punën në degët e partive në çdo rreth, u dha që në mbledhjen e fundit të grupit të majtë parlamentar, ku deputetët duhet të ishin vetë prezentë në çdo zonë elektorale për të dëgjuar shqetësimet e zgjedhësve në terren dhe për t’i raportuar ato më pas në selinë kryesore të kësaj partie. Nga ana tjetër, e majta po përdor gjithmonë dhe më shumë rrjetet sociale, siç është “Facebook” apo “Twitter”, për të përhapur mesazhet e saj në lidhje me veprimtarinë e pritshme të së majtëve. Në rrjetin social “Facebook”, PS-ja ka çelur një faqe të re me emrin “Partia Socialiste, zgjedhjet vendore 2015”. Në këtë faqe publikohet çdo lajm i të majtëve apo dhe ilustrime të tyre me foto, duke filluar që nga fotot me kreun e PS-së, Edi Rama, apo dhe me eksponentë të majtë dhe militantë të thjeshtë të kësaj partie. Një model ky i nisjes së fushatës zgjedhore si në vendet perëndimore. Duket se kjo faqe është krijuar nga të rinj eurosocialist të FRESSH, duke marrë parasysh se shumica e tyre janë edhe personat që e pëlqejnë apo shpërndajnë lajme nga kjo faqe. Zyrtarisht fushata në elektorat nis një muaj para mbajtjes së procesit zgjedhor dhe mbyllet vetëm një ditë para fillimit të procesit të votimit nga ana e zgjedhësve. Por të rinjtë e partisë më të madhe në qeveri kanë filluar të shfrytëzojnë rrjetet sociale për të marrë sa më shumë pëlqime nga përdoruesit e “Facebook” apo dhe për të përçuar sa më shumë mesazhet e PS-së e të qeverisë. Në këtë faqe raportohen përditë aktivitete të qeverisë, si dhe foto nga puna e së majtës. Por kjo metodë nuk po funksionon vetëm për të majtën në Shqipëri, por edhe për atë në Greqi. Aktivë si përherë në rrjetet sociale janë edhe socialistët e Greqisë, të cilët lajmërojnë për mbajtjen e mbledhjeve të ndryshme të strukturave të PS-së në Greqi, si dhe për marrjen e vendimeve të tyre. Ndërkohë që vetëm pak ditë më parë, në një aktivitet të zhvilluar me të rinjtë eurosocialistë të PS-së, sekretari i rinisë dhe emigracionit, Erjon Veliaj, tha se e majta do të luftojë që të fitojë më shumë se 50 bashki, nga 61 që janë me ndarjen e re territoriale. Një shifër e lartë kjo që, sipas tij, kërkon një angazhim total jo vetëm të strukturave të partisë, por kryesisht të të rinjve të majtë. Ndërkohë që në këtë faqe pritet të publikohen edhe lajme të tjera nga takimet e deputetëve me elektoratin e majtë, duke sjellë në këtë mënyrë afrimin e të majtëve me partinë në qendër.
Nga ana tjetër, janë dhe vetë deputetët e majtë, të cilët postojnë foto nga takimet e ndryshme të tyre në zonat ku janë zgjedhur deputetë, ndonëse së fundmi ky ritëm i postimeve ka rënë, duke marrë parasysh edhe sezonin e pushimeve. Fillimi i vitit pritet që t’i shpërndajë ata në bazë, për t’u përgatitur në këtë mënyrë për betejën e zgjedhjeve për pushtetin vendor, të cilat për herë të parë do të mbahen me një ndarje të re territoriale.