Politika

PS: PD miting me ulërima, dibranët mund ta bëjnë dallimin

Partia Socialiste reagoi sot pas mitingut të PD-së në Dibër, ku u prezantua kandidati për kryetar bashkie i opozitës, Sherefedin Shehu.

“Sot komuniteti dibran pati mundësinë të bënte dallimin mes takimit dinjitoz të koalicionit qeverisës për prezantimin e Muharrem Ramës dhe mitingut me ulërima të Partisë Demokratike për prezantimin e Sherefedin Shehut. Në të njëjtën sallë, shumica qeverisëse foli për çka është bërë dhe do të bëhet për Dibrën, duke nxjerrë në pah vlerat e një qytetari të nderuar si Muharrem Rama; ndërsa Partia Demokratike shau, shpifi, iku pasi ngriti në qiell një kandidat të ardhur me telekomandë nga Shqup-i në Dibër, pasi ka vënë në zotërim gjatë jetës së tij në Tiranë plot 5 apartamente”, deklaron PS.

Sipas PS, “Lulëzim Basha ulëriti gjatë për të gjitha të zezat, duke shprehur bindjen se dibranët nuk janë budallenj që të gënjehen me llafe dhe natyrshëm lind pyetja: Ku mendon Lulëzim Basha se do t’i gjejë aq shumë dibranë jobudallenj që gënjehen nga llafet e tij?! Ku do t’i gjejë Lulëzim Basha aq shumë dibranë që të besojnë se Partia Demokratike e la gati Rrugën e Arbërit?! Ku do t’i gjejë Lulëzim Basha aq shumë dibranë që të besojnë se varfërinë, papunësinë, rrënimin shumëvjeçar në Dibër e solli Edi Rama për tre vjet?! Po aq shumë dibranë që të besojnë se plagët e vjetra të Dibrës do t’i shërojë Partia Demokratike me Sherefedinin, ku do t’i gjejë Lulëzim Basha?!”

“Sidoqoftë, Partia Socialiste e falenderon sot Partinë Demokratike për takimin e zhvilluar në të njëjtën sallë, sepse kështu dibranët mund ta bëjnë më lehtë dallimin. Ashtu sikundër Partia Socialiste e falenderon edhe Lulëzim Bashën, që duke përsëritur fjalimin që ka tre vjet që mban, u dha mundësi dibranëve të kuptojnë se ai nuk ka asgjë të re për Dibrën!”, përfundon deklarata e PS.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button