Qeveria miraton projektligjin, reformë në administratën publike
Këshilli i Ministrave ka miratuar sot projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, duke shënuar ndryshimin më të rëndësishëm të këtij ligji themelor pas 14 vitesh zbatimi.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë dhe projektligjit, reforma synon “modernizimin e organizimit dhe rritjen e llogaridhënies së institucioneve publike, në funksion të afrimit me standardet më të mira evropiane”.
“Pas 14 vitesh zbatimi, një nga aktet themelore që rregullon veprimtarinë e administratës shtetërore ndryshohet me synim modernizimin e organizimit dhe rritjen e llogaridhënies së institucioneve publike, në funksion të afrimit me standardet më të mira evropiane“, shkruhet në njoftim.
Një nga elementët qendrorë të projektligjit është vendosja e një sistemi të unifikuar monitorimi të performancës në të gjithë administratën shtetërore.
Sipas Këshillit të Ministrave projektligji “vendos një sistem të unifikuar monitorimi të performancës […] duke standardizuar proceset e planifikimit dhe raportimit nga të gjitha institucionet e varësisë tek ministritë përgjegjëse”. Për herë të parë, raportet e performancës së secilit institucion do të bëhen publike për qytetarët. Ky hap, sipas njoftimit, synon të “forcojë transparencën dhe mundësojë një vlerësim më të qartë të rezultateve të arritura nga administrata publike”.
Projektligji rikoncepton edhe organizimin e institucioneve joministrore duke i ndarë ato në dy kategori kryesore: institucione varësie dhe agjenci autonome.
“Kjo ndarje synon të qartësojë përgjegjësitë, të forcojë mbikëqyrjen dhe të rrisë llogaridhënien e institucioneve ndaj ministrive përgjegjëse dhe qendrës së qeverisjes”, thuhet më tej në njoftimin e Agjencisë për Media dhe Informim.
Një objektiv tjetër i rëndësishëm është parandalimi i fragmentarizimit të administratës.
“Një tjetër objektiv i rëndësishëm i reformës është parandalimii fragmentarizimit të administratës në një numër të madh institucionesh varësie. Në këtë kuadër, projektligji kufizon krijimin e institucione me numër të vogël punonjësish, funksionet e të cilave mund të përthithen ose të ushtrohen në mënyrë më efikase nga ministritë përkatëse. Në nivelin e menaxhimit të brendshëm institucional, projektligji forcon rolin e drejtorive të përgjithshme, të cilat do të jenë tashmë instanca më e lartë vendimmarrëse për proceset rutinore, përveç rasteve kur ligji ngarkon ministrin ose sekretarin e përgjithshëm për marrjen e vendimit, duke reduktuar centralizimin aktual të vendimmarrjes”, theksohet në njoftim.
Projektligji kufizon krijimin e institucioneve me numër të vogël punonjësish, funksionet e të cilave mund të përthithen nga ministritë përkatëse për të rritur efikasitetin.
Në nivel menaxherial, reforma forcon rolin e drejtorive të përgjithshme si “instanca më e lartë vendimmarrëse për proceset rutinore”, duke reduktuar centralizimin aktual të vendimmarrjes.
Strukturat e reja do të krijohen vetëm kur janë të domosdoshme, me mandat të kufizuar në kohë dhe objektiva të qarta.
Ndër ndryshimet me ndikim më të drejtpërdrejtë për qytetarët renditen rregullat e reja për rekrutimin, zhvillimin në karrierë dhe largimin nga puna të punonjësve të shërbimeve publike që veprojnë sipas Kodit të Punës (spitale, shkolla, institucione sociale).
Qeveria synon “garantimin e standardeve më të larta të profesionalizmit, integritetit dhe performancës në shërbimet që qytetarët marrin çdo ditë”. Gjithashtu bëhet e ditur se reforma është e dakordësuar me Komisionin Evropian dhe OECD/SIGMA.
Në përfundim, Kryeministria thekson se ndryshimet synojnë ndërtimin e “një administrate moderne, inovative dhe të përgjegjshme, e cila matet jo vetëm me procedurat dhe rezultatet e saj, por edhe me ndikimin konkret që ka në përmirësimin e jetës së qytetarëve”.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.