Qeveria miraton rregullat e ashpra për bastet online, monitorim në kohë reale dhe fund anonimatit të lojtarëve
Rikthimi i basteve sportive online në Shqipëri do të shoqërohet me një nga kornizat më të rrepta teknike dhe mbikëqyrëse në rajon. Përmes një vendimi, Këshilli i Ministrave ka miratuar standardet thelbësore që çdo operator i licencuar duhet të përmbushë, duke filluar nga infrastruktura e serverave deri te gjurmimi i çdo transaksioni financiar nga shteti.
Qëllimi i këtij akti është i qartë: eliminimi i tregut të zi, mbrojtja e konsumatorit dhe transparenca totale fiskale.
Filtra të rreptë për lojtarët dhe llogaritë
Një nga shtyllat kryesore të vendimit është dhënia fund e anonimatit në lojërat e fatit online. Sistemet e reja nuk do të lejojnë asnjë regjistrim pa kryer një verifikim të plotë të identitetit.
Pwr identifikimin kërkohet ngarkimi i dokumentit të identifikimit të skanuar, verifikimi i moshës ligjore, si dhe lidhja e llogarisë me një numër telefoni ose email.
Llogaritë do të mbrohen me fjalëkalime komplekse (minimumi 9 karaktere) dhe autentifikim me dy faktorë (2FA). Pas 5 përpjekjeve të pasuksesshme për hyrje, llogaria bllokohet automatikisht.
Platformat detyrohen të ofrojnë opsione të menjëhershme për “vetëpërjashtim” dhe vendosje të kufijve financiarë. Sistemi do të refuzojë automatikisht çdo bast që tejkalon këta kufij të vendosur nga vetë përdoruesi.
Infrastruktura dhe mbikëqyrja shtetërore
Për të garantuar që asnjë e dhënë apo fitim të mos manipulohet, qeveria ka vendosur rregulla të ashpra për infrastrukturën mbajtëse (BackEnd). Platformat duhet të kenë një arkitekturë që përballon flukse të larta, me kohë përgjigjeje nën 200 milisekonda dhe funksionim të garantuar 99.9% të kohës.
Më e rëndësishmja është kërkesa për integrim të plotë me institucionet shtetërore. Çdo biletë basti, pagesë dhe fitim do të transmetohet në kohë reale në Sistemin Qendror të Monitorimit Online (SQMO) pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF). Të gjitha gjurmët digjitale (log-et) duhet të jenë të pandryshueshme dhe të ruhen për një periudhë minimalisht 5-vjeçare për qëllime auditimi.
Për arsye sigurie, të paktën një kopje e plotë e të gjithë bazës së të dhënave duhet të ruhet fizikisht brenda territorit të Shqipërisë, me një kopje rezervë (backup) të vendosur të paktën 50 kilometra larg serverit kryesor.
Certifikimet e detyrueshme ndërkombëtare
Për të operuar në tregun shqiptar, subjektet nuk mund të përdorin softuerë amatorë. Ata duhet të vërtetojnë cilësinë e tyre përmes një sërë certifikimesh globale të akredituara.
Transaksionet dhe faturat elektronike
Depozitimet dhe tërheqjet do të kryhen ekskluzivisht përmes kanaleve bankare ose agjentëve financiarë të licencuar, duke goditur pastrimin e parave. Çdo faturë apo biletë elektronike duhet të përmbajë NIPT-in e operatorit, orën e saktë, vlerën e fitimit potencial, referencën e pagesës, si dhe paralajmërimin ligjor: “Lojërat e fatit krijojnë varësi. Kujdes në ushtrimin e tyre të tejzgjatur!”.
Vendimi pritet të hyjë në fuqi 30 ditë pas botimit të tij në Fletoren Zyrtare, duke i lënë operatorëve të interesuar një dritare për t’u përshtatur me këto kërkesa teknologjike.
/




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.