Ekonomia

Qeveria rrit me 8500 lekë pagën për efektivët e Gardës

Pranohet edhe kërkesa e paraqitur nga ana e SHISH për rritje fondesh

Nga Herion Mesi

Qeveria vendos të rishikojë pagat për të gjithë efektivët e Gardës së Republikës, duke miratuar një fond shtesë për Ministrinë e Brendshme prej 143 milionë lekësh të reja, që do t’i alokohet këtij institucioni për rritje të pagave dhe kontributeve shoqërore për çdo efektiv. Nga ky vendim do të përfitojnë 1400 efektivë të Gardës së Republikës, të cilët vitin e ardhshëm do të kenë një rritje page mesatarisht rreth 8500 lekë të reja në muaj. Burime nga Ministria e Brendshme bëjnë me dije se tashmë grupi i punës për vlerësimin e pagave ka përfunduar projektin e detajuar të ndarjes së fondit shtesë 143 milionësh, ku 123 milionë lekë të reja do të shpërndahen në formën e shtesës së pagave për efektivët e Gardës, ndërsa 20 milionë lekë të reja do të jepen për pagat e kontributeve shoqërore. Gjithashtu, mësohet se ky fond do t’i shpërndahet çdo efektivi të Gardës së Republikës sipas gradës dhe funksionit që ata kanë, duke i njehsuar pagat e tyre me ato të punonjësve të Policisë së Shtetit apo të ushtarakëve. I pranishëm në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Sigurisë, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Ilir Mustafaraj, kërkoi dje nga anëtarët e Komisionit të Sigurisë që të miratonin kërkesën për një shtesë fondesh në buxhetin e kësaj ministrie prej 143 milionësh lekë. Mustafaraj sqaroi se kjo shtesë do të alokohet për rritjen e pagave të efektivëve të Gardës së Republikës, në nivelin e punonjësve të policisë dhe të Forcave të Armatosura. “Kërkojmë miratimin e një fondi shtesë prej 143 milionë lekësh për Gardën e Republikës, që do të përkthehen në rritje rroge për punonjësit e këtij institucioni kaq të rëndësishëm, rrogë e cila do të njehsohet me pagat e punonjësve të policisë apo Forcave Ushtarake. 123 milionë lekë do të jetë pjesa e fondit që do të shkojë për rritje paga, ndërsa 20 milionë lekë do të jenë kontribute shoqërore”, tha Mustafaraj. Ai sqaroi gjithashtu se Ministria e Brendshme kërkon dhe rialokimin e një fondi prej 200 mijë lekësh nga zëri investime, në zërin shpenzime operative, që do shërbejnë për të menaxhuar procedurën e regjistrimit në gjendjen civile. Ndërsa duke iu përgjigjur shqetësimit të shprehur gjatë diskutimeve të djeshme nga socialisti Pjerin Ndreu, lidhur me planifikimin në buxhetin e këtij fundviti për shpërblime për punonjësit e Policisë së Shtetit, Mustafaraj sqaroi se vetëm gjatë këtij viti, Policia e Shtetit është shpërblyer me një fond rreth 220 milionë lekësh për orët suplementare. “Ky fond është parashikuar edhe për vitin 2016 për t’u përdorur, por siç jeni në dijeni dhe ju kjo është variabël. Përveç këtyre do të marrin edhe shpërblimin për fundvitin, është parashikuar”, tha ai më tej. Ndërkaq, i vetmi përfaqësues i opozitës në këtë mbledhje, deputeti i PD-së, Flamur Noka, u shpreh se ky buxhet i qeverisë rithekson edhe njëherë qëndrimin e babëzitur të ekzekutivit, që kërkon, siç tha ai, të zhvatë shqiptarët. “Siç jeni në dijeni, ne si opozitë kemi rezerva ndaj këtij buxheti se buxheti i MB-së pasqyron tendencën dhe dëshirën për babëzi dhe makutëri, për të bërë investime për luks dhe vetura. Aq më keq me gjithë debatin që kemi bërë në seancën e kaluar në komision na vjen përsëri një rialokim që është i frikshëm se hiqen investimet dhe rriten shpenzimet. Në vend që të konsiderohej edhe rritja e pagave për Gardën, tani na vijnë vetëm shpenzime. Shqipëria sot ka nevojë për më shumë godina të modernizuara të policisë, RENEA-s e FNSH-së, sesa një riregjistrim të popullsisë, që është i rëndësishëm, por jo primar. Ky nuk është buxhet që kontribuon në sigurinë e qytetarëve, por është për babëzinë e qeveritarëve. Keni mentalitet sundimtari dhe sundimtari ka një fund të dhembshëm, ky do të jetë fundi juaj”, tha Noka. Në përfundim të shqyrtimit të kërkesave të Ministrisë së Brendshme, sipas rendit të ditës, komisioni shqyrtoi edhe buxhetin e vitit 2016 për Shërbimin Informativ Shtetëror, ku me kërkesë të zëvendësdrejtorit të SHISH-it, Ylli Alushi, komisioni vendosi që këtë seancë ta zhvillonte pa praninë e mediave. Burime nga komisioni bënë me dije për “Shqip”, se Alushi kërkoi më shumë fonde nga qeveria nga ato që ishin përcaktuar në draftin për vitin kalendarik 2016. Kërkesë kjo që ka gjetur dakordësinë e anëtarëve të Komisionit të Sigurisë, të cilët do ia paraqesin këto Komisionit të Ekonomisë. Gjatë diskutimit në parim të projektbuxhetit të qeverisë për SHISH-in për vitin e ardhshëm, në mbledhjen e dy javëve më parë numri dy i inteligjencës shqiptare, do të shprehej se buxheti i vënë në dispozicion është i mjaftueshëm vetëm për pagat e punonjësve, por jo për dieta dhe shërbime shtesë. Ai do të kërkonte dhe fond shtesë për rritje pagash, duke u shprehur në mbledhje se do të nevojiteshin edhe 800 milionë lekë të vjetra shtesë nga buxheti i parashikuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button