Politika

Qeveria shpërblen mësuesit, pensionistët e veteranët e luftës

Fondi i akorduar 1.8 milionë USD. Banorëve te ‘Siri Kodra’ u jepet kredi me zero për qind interes

NGA ARTEMISA HOXHA

mbledhje-qeverie-2Qeveria akordon fondin prej 1.8 milionë dollarë si shpërblime për fundvitin për kategori të caktuara duke përfshirë punonjës të administratës apo dhe pensionistë e veteranë të luftës. Në mbledhjen e drejtuar nga zv.kryeministri Niko Peleshi, është vendosur që të marrin shpërblim mësuesit e dalluar, fëmijët e policëve të rënë në detyrë, veteranët dhe pensionistët e vetmuar. Po ashtu kategorisë së personave që do përfitojnë shpërblim u bashkohen edhe infermierët e doktorët e spitaleve si edhe drejtuesit në administratë që punuan shumë mirë. Me sa duket vetëm këta persona kanë fatin që për festat e fundvitit të kenë një shumë të caktuar lekësh në varësi të pagave që marrin për punonjësit e administratës. Ndërkohë që ende nuk ka një VKM në lidhje me rrogën e 13-të për të gjithë punonjësit e administratës publike. Gjatë mbledhjes së djeshme u është kushtuar rëndësi edhe familjeve që jetojnë në ish-Ndërmarrjen Shtetërore, të cilët pritet që të kenë mundësi të përfitojnë kredi me interes 0%.”Familjet, të cilat janë strehuar në objektet të ish-Ndërmarrjes Shtetërore në rrugën “Siri Kodra”, Tiranë, të cilat shpërngulen nga banesa për efekt të privatizimit të objektit nga pronari, të trajtohen me kredi të lehtësuar me interes 0%, sipas listës bashkëlidhur këtij vendimi”, thuhet në VKM. Ndër të tjera, vendimi përcakton që familjet duhet të paraqesin pranë EKB-së certifikatë të gjendjes familjare, si dhe vërtetim negativ nga ZVRPP-ja se në emër të anëtarëve të familjes nuk figuron pronë e regjistruar.

Dëmshpërblimet

Po ashtu qeveria ka miratuar afatet dhe skemën e shpërndarjes së fondeve të dëmshpërblimit për ish të dënuarit politikë të regjimit komunist. “Kësti pasardhës për të gjitha kategoritë përcaktohet me urdhër të ministrit të Financave, pas raportimit të drejtorisë përkatëse të dëmshpërblimit për ish të përndjekurit politikë. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe ministri i Financave, përpara mbylljes së vitit buxhetor, vlerësojnë procesin e realizimit të fondeve për të gjitha kategoritë dhe vendosin rialokimin e fondeve me urdhër të përbashkët”, thuhet në VKM. Gjithashtu, qeveria ka miratuar edhe disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.716, datë 29.10.2014, të KM-së “Për kuotat e transferimit të studimeve dhe tarifat e shkollimit për studentët që transferojnë studimet nga institucionet private të arsimit të lartë, të cilave u është hequr licenca, në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik  2014 – 2015”.

Sistemi gjyqësor

Krijimi i Arkivit Shtetëror të Sistemit Gjyqësor ishte një tjetër vendim i miratuar dje, ku sipas të cilit ky arkiv do të funksionojë pranë Ministrisë së Drejtësisë. Sipas vendimit, ky arkiv ka për mision ruajtjen, përpunimin dhe administrimin e dokumentacionit gjyqësor, i cili i nënshtrohet procedurës së arkivimit nga gjykatat. “Kujdeset për menaxhimin e arkivave të gjykatave nëpërmjet aplikimit të teknikave të unifikuara për krijimin, përdorimin, mirëmbajtjen, ruajtjen, transferimin dhe asgjësimin e dosjeve, regjistrave dhe dokumenteve të tjera gjyqësore, si dhe sigurimin e aksesit për të interesuarit. Arkivi mban dhe përditëson regjistrin, në formë shkresore dhe elektronike, të të dhënave mbi dokumentacionin gjyqësor që u nënshtrohet procedurave të përpunimit dhe administrimit. Arkivi ka të drejtë të kërkojë dhe të verifikojë, nga kancelarët e gjykatave, zbatimin e njësuar të shërbimit arkivor gjyqësor si dhe çdo informacion, të cilin e konsideron të nevojshëm për ushtrimin e funksioneve të ngarkuara”, thuhet në VKM.

Grantet

Ndër të tjera, qeveria vendosi miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit dhe projektit, ndërmjet KM-së, “Marrësi”, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, “Agjencia e zbatimit të projektit”, dhe KfW Frankfurt am Main, “KfW”, për fondet IPA të BE-së për furnizimin me ujë të zonave rurale III, për një grant në shumën 9 803 922 euro. Ndër vendimet ishte edhe miratimi, në parim, i marrëveshjes së financimit dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, “Marrësi”, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, “Agjencia e zbatimit të projektit” dhe KfW, Frankfurt am Main, “KfW”, për masat shoqëruese për furnizimin me ujë të zonave rurale III, për një grant në shumën 1 500 000 euro. Një tjetër hua është dhe ajo me shumën 24 000 000 euro ndërmjet KM-së “Huamarrësi”, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, “Agjencia e zbatimit të projektit”, dhe KfW Frankfurt am Main, “KfW”, ujësjellësi rural III.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button