Politika

Qeveria, vendim për ndërtimin e Muzeut të Bashkëjetesës dhe Xhamisë. Shpronësim pronarëve

Inaugurohet-Xhamia-e-re-me-4-minare-në-Shkozet-2-525x350Me një vendim të posacëm marrë në mbledhjen e sotme, qeveria i hap rrugë ndërtimit të Xhamisë së Tiranës dhe Muzeut të Bashkëjetesës.

Numri dy i ekzekutivit, Niko Peleshi ka deklaruar përmes një konference për shtyp nga kryeministria se “Vendimi i dytë, prek një çështje që është zvarritur shumë dhe që më në fund merr sot një zgjidhje konkrete. Projektvendimi i miratuar sot i hap rrugë zbatimit të projektit për ndërtimin e Muzeut të Bashkëjetesës”.

Sipas tij, vendimi vjen si produkt i një iniciative të Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.

“Më konkretisht sot është miratuar në Këshillin e Ministrave shpronësimi për interes publik i pasurisë pronë private që do të përdoret për zbatimin e këtij projekti kaq me rëndësi. Më datë 3.10.2014 KKT ka miratuar lejen zhvillimore për zbatimin e projektit dhe ky vendim zgjidh edhe ngërçin e fundit që pengonte nisjen e punimeve për këtë projek. Kërkesa për shpronësim është shqyrtuar nga një komision i posaçëm i ngritur me urdhërin e ministrit dhe pas miratimit të saj pronarët e truallit janë njoftuar për shpronësimin dhe shkresa është botuar në Fletoren Zyrtare duke respektuar afatet e ankimimit të subjektit të shpronësuar”- tha ai.

Peleshi theksoi se shpronësimi do të bëhet me vlerën e plotë në mbështetje të legjislacionit në fuqi dhe do të përballohet nga Fondi i Shpronësimeve, në llogarinë e veçantë të Ministrisë së Financave pranë Bankës së Shqipërisë.

“Ky vendim i jep fund odisesë së ndërtimit të Xhamisë së Madhe. Më në fund komuniteti mysliman do të ketë një objekt dinjitoz kulti në kryeqytet, ndërkohë që të gjithë qytetarët, do të përfitojnë një objekt unik siç është Muzeu i Bashkëjetesës Fetare që kremton një nga vlerat më të mëdha të shoqërisë shqiptare”- tha Peleshi.

Një tjetër vendim njoftuar nga zëvendëskryeministri ishte edhe ai për mbështjen e industrisë fason, duke i rikthyer kësaj industrie në formën e një fondi tatim fitimin prej 5%.

“Fondi i krijuar përmes këtij vendimi dhe që do t’i kalojë buxhetit të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë është vlerësuar nga Ministria e Financave në masën 250 milionë lekë. Ky është viti i parë që aplikohet kjo skemë, por ajo do të përsëritet çdo vit. Fondi i krijuar nga tatim fitimi i industrisë fasone do të planifikohet në programin e shpenzimeve buxhetore të MMSR ndërkohë që shuma që do të derdhet në këtë fond do të përcaktohet në mënyrë vjetore nga Ministria e Financave”- tha ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button