Qeveria zvicerane dhe austriake japin 3 milion euro për të financuar zhvillimin rajonal
Agjencitë zvicerane dhe austriake për zhvillim në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Urban njoftuan fillimin e një projekti për zhvillimin rajonal në Shqipëri gjatë një aktiviteti lançues tek Plaza Hotel në Tiranë.
Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni tha se “ky projekt është një platformë pune me impakt të drejtpërdrejtë dhe të matshëm në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe teknike, përmirësimit të kuadrit ligjor për zhvillimin rajonal, dhe mbi të gjitha realizimit të projekteve konkrete ndërvendore”. “Nismat e konkretizuara tashmë në produkte konkrete në fushën e planifikimit kombëtar dhe vendor kanë lehtësuar dhe forcuar bashkëpunimin dhe konkurrencën ndërvendore”, shtoi Ministrja Gjermeni.
Në fjalimin e tij Ambasadori zviceran Christoph Graf theksoi se shpesh fokusi i zhvillimit dhe investimeve shkon drejt qendrave të mëdha urbane si Tirana dhe Durrësi ndërsa lihen mënjanë zona të tjera. “Ja pse reforma e zhvillimit rajonal ka shumë rëndësi: ajo synon të promovojë një zhvillim më të balancuar social-ekonomik të vendit dhe të nxisë zhvillimin e rajoneve të forta. Përmes zhvillimit rajonal do të kemi më pak pabarazi midis rajoneve të ndryshme të vendit”, tha Ambasadori Graf. Ai gjithashtu nxiti qeverinë e Shqipërisë që të miratojë ligjin mbi zhvillimin rajonal i cili është në përgatitje e sipër.
Ambasadori Austriak Johan Sattler theksoi se është koha e duhur që të punohet drejt zhvillimit të barabartë të zonave të ndryshme të Shqipërisë.
Projekti i ri për zhvillim rajonal bashkë-financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe do të zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Urban. Sasia totale për një periudhë tre-vjeçare do të jetë 3’445’000 franga zvicerane dhe një pjesë e saj do të shkojë për fonde grantesh.
Sipas stafit të projektit, synimi është lehtësimi i pabarazive ndërmjet rajoneve të ndryshme dhe sigurimi i financimeve dhe investimeve për të arritur zonat më të neglizhuara. Një element i fortë I projektit do të jetë aftësimi i qeverisë për të rregulluar zhvillimin rajonal përmes ligjeve e vendimeve, dhe për të forcuar institucionet rajonale me synim identifikimin dhe thithjen e fondeve.
Projekti gjithashtu do të promovojë konsultimin dhe koordinimin midis të gjithë institucioneve që merren me zhvillimin rajonal përfshirë ministritë, bashkitë, dhe agjencitë e zhvillimit rajonal.
Pas reformës territoriale dhe administrative ka ende nevojë për të forcuar institucionet e nivelit rajonal. Kjo do të thotë zhvillim i ekonomisë dhe shërbimeve në zonat periferike – jo vetëm në Tiranë.
Qeveria shqiptare tani është e përgatitur për një reformë në zhvillimin rajonal dhe ka ngritur katër zona për menaxhimin rajonal si dhe gjashtë agjenci të zhvillimit rajonal.