Ekonomia

Qiratë e zyrave në Tiranë, më të shtrenjtat në rajon

Nëse merr një zyrë me qira në kryeqytet ka të ngjarë që ta paguash më shtrenjtë atë edhe se në kryeqytetin grek, në Athinë.

Të dhënat më të fundit të Colliers International bëjnë të ditur se qiratë mujore në zonat qendrore të biznesit janë ndër më të shtrenjtat në Ballkanin Perëndimor. Për zyrat cilësore, qiraja mujore arrin deri në 24 euro për metër katror, ndërsa për zonat e klasit A arrin deri në 20 euro/m2.

Qiraja mesatare për zyrat e klasit A është 18.3 euro/m2, duke shënuar një rritje në vitin 2016, nga 17.5 euro/m2, që ishte në fund të 2015-s.

Në Athinë, qiraja mesatare është 15 euro/m2, në Serbi 17 euro/m2, në Sofje 13 euro/m2.

Sipas Colliers, në fund të gjashtëmujorit të dytë 2016, stoku i përgjithshëm i zyrave në Tiranë ka rënë në 101,307 m2. Stoku aktual përfshin godina të klasit A, B dhe B + dhe godina për përdorim të kombinuar. Ndryshimi i stokut në total tregon një rënie prej 3500 m2 si rezultat i hyrjes në treg të American Business Center për shkak të daljes nga tregu të qendrave të biznesit Veve dhe G-Kam, që për momentin nuk përmbushin kushtet për t’u klasifikuar si zyra. Këto ndryshime u pasqyruan edhe në një rënie në normën e zyrave të padhëna me qira, nga 11.4% në fund të 2015 në 8.84% në fund të 2016.

Pjesa më e madhe e ofertës për zyra është e vendosur në qendër të qytetit (përfshi zonën qendrore të biznesit), ndërsa zonat më pak të preferuara janë në rrethinat e Tiranës. Projektet e mëdha të zyrave, të vendosura jashtë qytetit, kanë regjistruar norma të larta të moszënies. Këto norma nuk janë përfshirë në llogaritje, pasi mund të shtrembëronte analizën totale të moszënies së zyrave, që përfaqësohet nga godinat në zonën qendrore të biznesit, thekson Colliers.

Në fund të vitit 2016, stoku total i zyrave të dhëna me qira arriti në 79,563 m2, duke shënuar një normë moszënieje prej 8.84% (duke përjashtuar qendrat e biznesit jashtë qytetit). Kërkesa duket se është rritur lehtë për shkak se zyrat qendrore të Bankës Credins kanë zënë 100% American Business Center. Pjesa më e madhe e aktiviteteve të qiramarrjes janë ende të bazuara në rinegocimin dhe rinovimet e bëra në bazë të posaçme. Pjesë të rinegocimeve e zënë dhe kërkesat për një ulje të qirasë dhe/ose përshtatjen e sipërfaqes së zyrave.

 

Kulla Millennium, në zemër të Tiranës, parashikohet që të hyjë në treg në mes të vitit 2017. Qendra e Biznesit i ka filluar tashmë negociatat për procesin e qiradhënies dhe do të rrisë gjithashtu ofertën për zyra në gjashtëmujorin e parë 2017.

Kulla Archea, gjithashtu në qendër të Tiranës, është aktualisht në status jo aktiv. Në momentin që ajo do të jetë aktive, do të bëhet e qartë nëse do të shërbejë për zyra, apo për ndonjë nënsegment të pasurive të paluajtshme.

 

Collier parashikon që mbërritja e ndërtesave të reja do të shtojë ofertën për zyra aq të mirëpritur, duke dhënë një efekt në uljen e qirasë. Ky do të jetë një përfitim shtesë për qiramarrësit, teksa godinat në zonën qendrore të biznesit në kryeqytet kanë disa prej qirave më të larta në Ballkanin Perëndimor. Vendndodhjet e ndryshme të zyrave që do të ndërtohen do ta bëjnë gjithashtu më tërheqës tregun për qiramarrësit, pasi ata do të kenë tashmë shumë mundësi zgjedhjeje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button