“Qytetarët paguajnë naftën me çmimin më të lartë në rajon”, Bozdo: Të reduktohet taksa e qarkullimit
Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, njëherësh nënkryetar i Komisionit të Ekonomisë, e cilësoi si “shfaqje mediatike”, takimin e kryeministrit Edi Rama me furnizuesit e naftës.
Sipas tij, “as bashkëbiseduesit dhe as mesazhet e Ramës nuk e zgjidhin çështjen që shqetëson shqiptarët sot: koston e një litri karburanti, që sot kishte kapur 2 mijë lekë, kur Kosova dhe Maqedonia, të dyja pa dete dhe pa porte, paguajnë 30% më pak“.
Bozdo theksoi se “çmimi i karburantit në Shqipëri është më i larti në Evropë në raport me fuqinë blerëse dhe dy herë më i lartë se ai i vendeve të rajonit, si Kosova apo Maqedonia e Veriut”, për shkak sipas tij, të taksimit të naftës me 60%.
Ai shtoi se “është rast unik që Kryeministri bisedon me tregtarët për çështje çmimi”.
Bozdo theksoi se “nga ky takim morëm vesh diçka me shumë rëndësi: që Shqipëria ka vetëm 30 ditë rezerva, nga 90 ditë që duhet të ketë sipas kërkesës së Direktivës së BE-së, e detyrueshme për t’u zbatuar edhe nga ne”.
Deputeti demokrat tha se Partia Demokratike i mbahet premtimit për reduktimin e taksës së qarkullimit.
“Vetëm kjo masë do të ulë me 240 lekë çmimin e 1 litri naftë. Shqiptarët nuk duhet dhe nuk do të paguajnë asnjë cent më shumë se kosovarët dhe maqedonasit. Duke rifunksionalizuar dhe nxjerrë nga korrupsioni inspektoriatet përkatëse, brenda 30 ditëve të para të qeverisjes sonë, cilësia e naftës që do t’u shitet qytetarëve do të jetë e standardeve të vendeve të BE-së”, tha ai.
Sipas tij çdo litër naftë me çmim abuziv dhe me cilësi të keqe është një arsye për protestë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.