Qyteti ku celularët dhe valët janë të ndaluara
Imagjinoni sikur t’ju duhej të bënit plane për një mbrëmje jashtë me miqtë duke shkuar më këmbë te shtëpia e tyre dhe t’i flisnit personalisht. Sado e pabesueshme t’ju duket, kjo është norma në Grin Benk (Green Bank), në Virxhinian Perëndimore, ku 143 banorët e tij nuk mund të përdorin celularë apo tabletë për t’u lidhur me miqtë dhe njerëzit e zemrës sepse të gjithë pajisjet me valë janë të ndaluara.
Me vendndodhje brenda 21000 kilometra katrorë të zonës së njohur si Zona Kombëtare pa Valë, Grin Benk strehon Observatorin Kombëtar të Astronomisë, që operon teleskopin më të madh në botë me valë.
“Është studimi i rrezatimeve natyrore të valëve që vijnë nga trupat në hapësirë”, – shpjegon Michael Holstine, menaxher i observatorit.
Në 150 metra lartësi dhe me peshë rreth 7711 tonë, teleskopi është aq i madh saqë një stadium futbolli mund të futet brenda tij. Është gjithashtu i ndjeshëm ndaj interferencës elektronike dhe siç thotë Holstine, aq i fuqishëm saqë do të mund të diktonte energjinë që lëshon një flokë dëbore që bie në tokë.
Teleskopi arrin të kapë sinjale edhe nga 13 miliardë vite dritë larg. Por që ta bëjë këtë gjë, nuk lejohen kullat e radios, televizionit dhe celularëve. Kjo do të thotë se nuk lejohen celularët, iPad-ët, telefonat pa kabllo, kufjet me wi-fi, pajisjet e Bluetooth, mikrovala, lodrat që kontrollohen me telekomandë dhe madje as garazhet dyert e të cilave hapen me telekomandë. Këto të gjitha dërgojnë sinjale që interferojnë me punën e teleskopit.
“Në afërsi të atij teleskopi, ata fshijnë plotësisht sinjalin astronomik”, tha Holstine.
Qyteti madje ka një kampion që mbikëqyr, i cili vepron si “policia e valëve” për të monitoruar frekuencat e tyre. Në Grin Benk, banorët mbështeten te telefonat e vjetër me kabllo telefonike për të folur me njëri-tjetrin. Ata mund të lundrojnë ende në web, por duhet të lidhen përmes kabllos telefonike.
Ndërsa shumë e shohin qytetin si të mbetur në kohë vite më parë, banorët thonë se nuk i merr malli për atë që nuk e kanë pasur kurrë. Adoleshenti Barry Bias thotë se ai nuk ndihet i privuar sepse nuk ka akses në llogaritë e medias sociale. Për të nuk është problem që nuk i shkruan mesazhe shokëve të tij sa herë që ka nevojë.
“Unë e kam shkollën afër dhe mund të shkoj e të flas me ta pothuajse gjatë gjithë kohës”, thotë ai.
Dallas Vandevender, një tjetër adoleshent, thotë se është shumë e lehtë të bësh plane me shokët: “Shkon dhe i takon”. Çfarë ndodh kur ata nuk janë në shtëpi? “Thjesht sorollatesh derisa t’i gjesh”, thotë ai. “Nuk është qytet edhe aq i madh”.
Banorët thonë se janë të lumtur me jetën e tyre të qetë dhe stilin e jetesës pa valë. Kjo i lejon ata të lidhen me mënyra më njerëzore, sipas Sherry Chestnut.
“E dini çfarë? Celulari juaj nuk e sheh tjetrin në sy apo nuk shkon te shtëpia e tij që të flasë drejtpërsëdrejti, t’i japë dorën apo një përqafim dhe t’i thotë: “Si ke kaluar sot”? thotë ajo.
Një vend kurativ
Në vitin 2007, Diane Schou u bë një nga personat e parë të ndjeshëm ndaj elektronikës që u zhvendos në Grin Benk. Përpara kësaj ajo ishte një doktorante që punonte në një fermë kërkimore.
Pas Schou, u shpërngul edhe Jennifer Wood, dikur një arkitekte. Po ashtu bëri edhe Monique Grimes, ish-pronar i një kompanie kateringu. Njëri pas tjetrit, njerëzit shumë të ndjeshëm nga pajisjet elektronike populluan Grin Benkun derisa u bënë 20 veta. Kjo nuk është një shifër e vogël për qytetin prej 143 banorësh.
Për disa prej tyre, lodhja përpara se të gjenin këtë vend kishte qenë e madhe. Schou, për shembull, kishte identifikuar kullën telefonike në qytetin e saj dhe ishte ankuar për të te kompania dhe qeveria, por pa sukses. Ajo kaloi disa muaj në një kasolle të rrethuar nga metalet që bllokonin sinjalet, por nuk mund të jetonte përherë kështu. Pas kësaj, ajo mori në konsideratë blerjen e një kostumi që bllokonte valët, i cili kushtonte tepër shtrenjtë. 24 mijë dollarë ishin të pamundura për t’u gjetur. Pastaj zbuloi për Grin Benkun.
Tranzicioni nuk ishte i lehtë. “Ardhja në Grin Benk ishte një shok kulturor”, thotë ajo. “Nëse ju pëlqejnë kafenetë e mëdha dhe qendrat tregtare, nuk do të mbijetoni këtu”. Por Schou nuk kishte zgjidhje, duke marrë parasysh se sa mirë për shëndetin i bënte kjo. Çifti bleu një shtëpi dhe filloi jetesën normale.
Diane Schou u bë de facto e para nga shumë të tjerë që dëgjuan për të dhe erdhën edhe vetë ta provonin.
*Burimi: Today Show