Politika

Rama: Ata nuk bëhen, Shqipëria do bëhet me apo pa ata

“Njerëz të dëshpëruar që bëjnë gjëra të dëshpëruara dhe të destinuar të humbin”. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama nga Berati, pak minuta pasi Presidenti i Republikës Ilir Meta anonçoi vendimin për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit.

“E kuptoni se si këta duan t’iu thonë shqiptarëve se ky vend nuk bëhet dhe në këtë vend ne që jemi mësuar që në çdo shesh të bëjmë një përshesh do vazhdojmë të bëjmë përsheshin tonë dhe juve nuk ju lëmë. Por në fakt kjo nuk është asgjë tjetër, e gjitha kjo përveç se një përpjekje e dëshpëruar e një grushti njerëzish të dëshpëruar që bëjnë gjëra të dëshpëruara dhe janë të destinuar të humbin të dëshpëruar.
Dhe kjo që sapo ndodhi është vazhdimi i asaj që ka ndodhur edhe me atë dosjen e famshme me të cilën iu rrokasin kokën juve dhe gjithë shqiptarëve sikur flisnin për ato numrat e telefonatave rozë, duke u përpjekur të krijojnë një mjegull, një paqartësi, një sëkëlldi dhe të hedhin gjithë baltën e mundshme për të shkuar drejt realizimit të një plani, të shkatërrimit të zgjedhjeve dhe pastaj të marrjes peng të gjithë procesit demokratik për të vënë kushtet për reformën në drejtësi”, deklaroi Rama.

Duke iu referuar përgjimeve të publikuara nga gazeta gjermane “Bild”, Rama tha se nuk janë zbulime të saj por nxjerrje e sekretit hetimor.

“Ato nuk janë zbulime të një gazete gjermane, por nxjerrje e sekretit hetimor dhe çuarja në një gazetë gjermane duke i marrë shqiptarët zvarrë, për të thënë sikur i nxori gjermani.

Kur thonë pse s’ka sot politikanë të dënuar, s’ka si të ketë sot politikanë të dënuar sepse për 30 vite me radhë ai sistem drejtësie është ngritur dhe mbajtur në këmbë dhe ushqyer me favoret reciproke mes politikanëve që i kanë vënë atje”, tha kreu i qeverisë.

Sipas tij, PS ka meritën e madhe se qëndron në anën e duhur të historisë. “Ka meritën e madhe sepse nuk ka bërë kurrë pazar me interesin kombëtar. E vetmja parti që ka dashur dhe vazhdon ta mbështesë reformën në drejtësi.
Ata janë një tufë të mbaruarish që e kanë nxjerrë Shqipërinë rrugëve të botës duke ushqyer me baltë për Shqipërinë të gjithë ata që duan të bëjnë sensacione dhe duan arsye për të thënë jo Shqipërinë nuk e pranojmë dot në BE”, tha Rama.

Kryeministri vijoi me akuza ndaj opozitës dhe demokratëve duke theksuar se Shqipëria do bëhet me apo pa ata.
“Janë larg së qeni ata që demokratët meritojnë të kenë në krye, ata që Shqipëria meriton të ketë në opozitë. Ata nuk bëhen, Shqipëria do bëhet me se s’bën me ata pa ata. Më vjen keq shumë po duhet ta rikujtoj atë që ka për t’ju ndodhur atyre që mund të shkojnë pas atyre dhe që do t’i bien me kokë murit të ligjit, duke tentuar të prekin zgjedhjet. Sot e dëgjuan dhe drejtpërdrejt nga qeveria amerikane”, tha Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button