Rama inspekton rrugën Transballkanike dhe punimet në portin e Vlorës
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Benet Beci ishte sot i pranishëm, për të parë nga afër ecurinë e punës për rrugën Transbalkanike në qytetine Vlorës.
Kryeministri u takua dhe diskutoi me drejtues të punimeve mbi zhvillimin e deritanishëm të projektit.
Drejtori i FSHZH Benet Beci informoi mbi elementet e projektit. ”E gjithë rruga ka një gjerësi prej 30 metrash, trotuaret nga 3 metra, ndriçim dhe gjelbërim në të dy anët”.
Kryeministri Edi Rama në bisedën me ekspertë të punimeve kërkoi t’i kushtohet shumë vëmendje cilësisë dhe standardeve të këtyre punimeve, të cilat duhet të ofrojnë një infrastrukturë të denjë për një qytet mesdhetar turistik. “Pas kësaj kemi vazhdimin e Transballkanikes me standarde, deri ku është drejtoria e portit, kemi rrugën “Dhimitër Konomi”, kemi rrugën e poliklinikës dhe me të gjithë këto krijojmë një tjetër situatë. Këtë pjesë duhet ta bëni me cilësi maksimale, sepse kjo është hyrja e re e Vlorës. Këtu duhet të ketë çdo gjë me standarde evropiane. Hymë në një qytet mesdhetar turistik, trotuaret duhet të jenë perfekt, ndriçimi duhet të jetë perfekt, gjelbërimi duhet të jetë i tillë. Në të dyja anët duhet të jetë e gjitha 2 me shirita pemësh të rritura pak, në mënyrë që brenda dy-tre vjetësh të krijojnë një kurorë dhe të hijezojnë. Pastaj do të vazhdojmë segmentin tjetër deri tek drejtoria e portit që të bëjmë standartizimin. Rëndësi ka që ky segment i hyrjes në këtë sezon të jetë komplet tjetër.”
Rruga Transballkanike është një investim me rëndësi strategjike në infrastrukturën jo vetëm të qytetit të Vlorës, por edhe të vendit. Aktualisht po vijojnë me intensitet punimet drejt finalizimit të segmenti rrugor me gjatësi rreth 1,4 kilometra, i cili lidh rrugën Transballkanike me superstradën Fier-Vlorë, një investim me vlerë rreth 346 milion lekë.
Projekti i hartuar sipas të gjitha standardeve rrugore europiane, i mbështetur edhe në planin e Përgjithshëm Rregullues të qytetit të Vlorës, parashikon sistemimin e shtresave të rrugës dhe të kanaleve të ujërave të larta, rrjetin e ndriçimit rrugor, si dhe vendosjen e sinjalistikës dhe gjelbërimin përgjatë rrugës. Deri tani në objekt kanë përfunduar punimet për zgjerimin e rrugës, spostimin e linjës së ujësjellësit dhe po punohet për vendosjen e bordurave të rrugës në të dy krahët, si dhe për zonën trafikndarëse.
Përfundimi i rrugës Transballkanike do të përmirësojë ndjeshëm lëvizjen e mjeteve të transportit në hyrje dhe dalje të qytetit të Vlorës. Gjithashtu, ndërtimi i saj do të lehtësojë njëkohësisht lëvizjen e mjeteve brenda qytetit, në port, në zonën industriale, në zonën bregdetare dhe anasjelltas.
Rikonstruktohet rruga nga Bashkia e Vlorës deri në spitalin e qytetit
Infrastrukturës rrugore të qytetit të Vlorës, iu shtua edhe një rrugë e re, tërësisht e rikonstruktuar, sipas të gjitha parametrave bashkëkohore. Ajo zëvendëson rrugën e vjetër dhe të ngushtë me shtresa tërësisht të amortizuara. Në pjesën më të madhe të rrugës së vjetër trotuaret mungonin, si dhe gjelbërimi dhe ndriçimi nuk ekzistonin. Tashmë rruga e spitalit ofrohet për qytetarët në kushtet më optimale të saj.
Rruga, e cila nis nga Bashkia e Vlorës deri në spitalin e qytetit, me gjatësi rreth 1 kilometër, është investim me vlerë rreth 59 milionë lekë. Kjo rrugë tashmë e përfunduar është e gjerë 6 metra dhe ka një korsi emergjence prej 3 metrash. Ajo është zgjeruar dhe pajisur me të gjithë sistemin e tubacioneve për kanalet e ujërave të bardha, me stola, si dhe e pajisur me sinjalistikën e duhur dhe gjelbërim.
Rruga e re do të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin rrugor, duke u kanalizuar si një korsi e veçantë për rastet e emergjencave dhe korsi qarkullimi për nevojat e përditshme të banorëve. Gjithashtu, sistemimet përgjatë rrugës, si hapësirat e gjelbra dhe rekreative krijojnë një mjedis çlodhës për banorët.
Rama inspekton fazën parë të punimeve në portin e Vlorës
Brenda disa muajsh, në Vlorë do të mund të ankorohen për herë të parë anije të mëdha turistikë. Falë një investimi prej 15 milionë eurosh të qeverisë shqiptare është në fazën e zbatimit projekti për rehabilitimin e plotë të portit, duke përfshirë thellimin e basenit aktual dhe ndërtimin e dy kalatave shtesë që rrisin ndjeshëm kapacitetet përpunuese.
Gjatë inspektimit të fazës së parë të punimeve, Kryeministri Rama theksoi se me ndërtimin në hapësirat e portit edhe të një porti jahtesh do të rritet ndjeshëm fuqinë tërheqëse të Vlorës si një qendër turistike.
“Porti i Vlorës është konceptuar si pjesë e projektit të Lungomares, që vazhdon nga porti drejt Pyllit të Sodës. Pjesë e këtij projekti është edhe ndërtimi i një porti jahtesh, ndërsa Rruga e re Transballkanike, e cila ka përfunduar, do të ketë edhe një segment të dytë që nis nga rruga ekzistuese deri në port”, u shpreh Kryeministri.
Rehabilitimi i plotë i portit, i cili parashikohet të përfundojë, brenda vitit përfshin edhe ndërtimin e një sheshi kryesor mallrash dhe një terminali modern udhëtarësh. Falë këtij investimi, Vlora do të ketë për herë të parë një port modern mallrash dhe udhëtarësh, i cili do të shndërrohet në një katalizator të zhvillimit ekonomiko-turistik të të gjithë rajonit.
Kryeministri Rama shoqërohej në vizitën e tij në Portin e Vlorës nga Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto.