Politika

Rama komunkim me gazetarët: Kanabisi do legalizohet, teatri do ndërtohet, nuk ka qeveri tranzitore, as kualicion me LSI

Kryeministri Edi Rama, ka zhvilluar një komunkimi live në Facebook me gazetarë të mediave shqiptare, ku ka diskutuar për çështje të ndryshme të aktualitetit në vend, që nga reforma zgjedhore, legalizimi i kanabisit, teatri i ri, garancia sovrane, raportet me opozitën etj. Në rinisje të debatit për reformën zgjedhore pas pandemisë dhe vendosjes së afatit nga palët për ta mbyllur me konsensus brenda këtij muaji, kryeministri Edi Rama, rrëzoi dy nga kushtet e opozitës, propozimin për qeveri transitore tre muaj para zgjedhjeve dhe që Kolegjet Zgjedhore të përbëhen nga gjyqtarë që nuk e kanë kaluar vettingun. Kreu i qeverisë ishte i prerë kur deklaroi se “një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur”. Rama theksoi se kërkesa për qeveri tranzitore nuk është pjesë e rekomandimeve të OSBE-së, dhe si e tillë nuk do të pranohet, duke u dhënë fund propozimit të opozitës.

“Këtu nuk bëhet fjalë për të pranuar propozimet e opozitës, por dakordësuar propozimet e OSBE-së. Nuk di të ketë një të tillë që të përputhet me qeveri tranzitore. Di që janë shumë të qarta propozimet, dy pika janë të panegociueshme, e para depolitizimi i administratës zgjedhore, gjë për të cilën ODHIR ka rekomanduar depolitizimin. Në këtë pikë jemi gati dhe ta bëjmë dhe administrata t’u takojë qytetarëve. Dhe përgjegjësia e administratorëve zgjedhore të jetë qytetare dhe ligjore. Dhe e dyta, në kolegjin e zgjedhor të jenë gjykatës që nuk kanë kaluar vettingun. Ky është një tjetër propozim, që nëse nuk gabohem se mbase ka qenë, dhe ndoshta nuk jam i informuar se është Gjiknuri që e ndjek këtë proces. Por e përsëris, gjykatës që nuk kanë kaluar vettingun nuk do të pranojmë që të jenë pjesë e kolegjeve zgjedhore. Këto dyja janë kyçe, administrata e depolitizuar dhe trupa e kolegjit me gjyqtarë që e kanë kaluar vettingun. Presim që të dalim me një draft për të çuar përpara procesin. Shteti nuk bëhet duke sakrifikuar parimet themelore. Opozita mund ta kërkojë, e kërkoi në forma krejt vulgare duke përgatitur një zjarrvënie dhe u dogj vetë. Nëse duan ta vijojnë ta kërkojnë është në të drejtën e tyre, por nuk ka për të ndodhur” tha ai.

Kryeministri Rama tha në këtë komunikim se lokalet, transporti dhe turizmi janë pikat më të nxehta dhe më të diskutueshme për mënyrën e hapjes së tyre. Për hapjen e lokaleve, Rama tha se do të monitorohen nga afër në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa në lidhje me transportin kryeministri tha se në fillim qershori paraqesim strategjinë se si mund të lëvizet me urban e autobusë.

“Së pari dua të sjell në vëmendje që masat lehtësuese do të vijojnë. Tiranë mbetet një problem ende dhe lehtësimi në zonat e tjera të kuqe për momentin që flasim duket i pamundur dhe këtë javë. Me pjesën tjetër do të vazhdojmë dhe kemi diskutuar edhe lidhur me mundësinë për hapjen e kopshteve dhe çerdheve me 1 qershor, publikë dhe jopublikë. Nëse numrat vijojnë stabël ne mund t’i hapim dhe kjo kohë duhet shfrytëzuar për të krijuar kushtet. Edhe për maturantët janë krijuar kushtet që të hyjnë në shkolla më 18 maj. Do të kemi lehtësim qarkullimi dhe zgjatje të orareve në zonat e gjelbra. Fashat orare janë për të larguar tundimi për të dalë vazhdimisht. Serbia ka pasur një hapje më të shpejtë, po e ndjekim me vëmendje dhe të shohim si do shkojë “, tha Rama.

Për legalizimin e kanabisit mjekësor, Rama u shpreh se tani janë pjekur kushtet. Sipas tij, qeveria synon që brenda këtij sesioni parlamentar, që mbyllet në verë, të kalojë ligjin për legalizimin e kanabisit mjekësor.

“Unë e kam thënë më parë. Nuk është koha për të folur për këtë çështje, por për të vendosur në kontroll situatën me kultivimin e paligjshëm dhe trafikimin. Situata tani është vendosur në kontroll. Nuk është një vit, por në të tretin dhe katërtin të konsolidimit dhe kemi më shumë se një vit që punojmë për këtë projekt. Na është dashur të bëjmë analiza, punë kërkimore, udhëtime pune si funksionon dhe tani janë pjekur kushtet. Kjo nuk është shpikje, është trend botëror. Di që jemi në kohën që duhet ta shtyjmë përpara këtë proces dhe brenda këtij sesioni të parlamentit ta kalojmë”, tha Rama.

Sipas Ramës ai nuk është konsultuar me delegacionin e BE për këtë projekt ligj, por me ekspertë të fushës. “Soreca ka thënë të vërtetën. Nuk jemi konsultuar me delegacionin e BE  për atë pjesë. As unë nuk e thash, në shpinë e Europës thjesht u jam përgjigjur pyetjeve. nuk ka asnjë konsultim të bërë me delegacionin e BE lidhur me projektin e legalizimit. Konsultimet i kemi bërë me ekspertë për futjen në jetën ekonomike të përpunimit të kanabisit mjekësor. “ tha Rama.

Lidhur me garancinë sovrane, Rama tha se procesi po shkon shumë mirë dhe se në qershor mund të shtohet fondi.

“Procesi po shkon shumë mirë. Nuk shohim asnjë shqetësim. Janë kredi dhe jo indulgjenca që jepen në sportel pa letra. Janë alokuar 22 mln euro deri tani, është shumë domethënëse, janë disa qindra praktika të tjera në proces. Brenda qershorit mund të jetë i ezuaruar dhe mund të shtojmë një kapacitet të ri për të rigarantuar për t’u dhënë mundësi edhe të tjerëve. Ka sipërmarrës që ankohen që kërkojnë këtë dhe atë, i mirëkuptoj, por instrumenti po u përgjigjet pritshmërive tona më pozitive” tha Rama.

Sa i përket Teatrit të Ri, Rama tha se nuk do bëhet asnjë hap pas.

“Ai është një proces për të cilin unë jam shprehur tanimë nuk e di sa vite u bënë dhe jam njeriu i fundit që duhet të pyesni për ndonjë hap mbrapa. Jam i pari që e kam thënë që në 1998-99, në ato vite që ajo godinë duhet të shembet dhe Shqipëria duhet të ketë një teatër të denjë. Të gjitha argumentet janë ezauruar. Të gjithë kanë të drejtë të kenë opinionet e tyre, por në fund vendos shumica. Ne jemi shumica dhe e kemi marrë këtë vendim dhe nuk shoh se si pakica të caktuara mund të imponojnë në çdo formë vendimmarrje, që lidhen me kompetencat e pushtetit të mandatuar nga populli” tha Rama.

I pyetur nga një prej gazetarët, në lidhje me mundësinë e një koalicioni me LSI-në, Rama u shpreh se në politikë kurrë nuk duhet thënë kurrë, por që e përjashton mundësinë e një koalicioni me atë të cilën ai e quajti ‘Partia e Presidentit’.

“Në politikë kurrë mos thuaj kurrë, por nuk shoh asnjë perspektivë për rikthim me partinë e presidentit. Degradimi i vazhdueshëm i asaj force politike dhe bindja jonë se për ne është e mjaftueshme të flasë puna dhe falë punës një aleancë me popullin, na e bëjnë pa interes këtë gjë, pra për sa i përket perspektivës për këtë koalicion. E përjashtoj si mundësi”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button