Rama lançon aplikacionin tjetër për të rinjtë “Edhe unë kam një ëndërr”
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, ka lançuar një tjetër aplikacion për projekte të të rinjve, të cilat qeveria do t’i përzgjedhë për t’i financuar.
Pas programit “Ëndrra ime 2015” e cila kufizonte aplikantët deri në moshën 30 vjeç, sot ai shpalli programin “Edhe unë kam një ëndërr” për moshën mbi 30 vjeç.
“Nisur nga kritikat e më të “vjetërve” për programin “Ëndrra ime 2015″, që kufizohej për moshën deri në 30 vjeç, shpallim sot programin “Ëndrra ime 2015″ për moshën mbi 30 vjeç! Ky program është i hapur për projektet e atyre që duan mbështetje për t’u vetëpunësuar përmes një projekti për të çelur një aktivitet në dobi të komunitetit apo edhe një biznes të vogël familjar”, nënvizon Rama në “Facebook”.
Ndërkaq, ai shkruan se “ne besojmë se gjithkush mund ta gjejë një vend pune duke e krijuar atë përmes forcës së ideve e të vullnetit të vet dhe jo vetëm duke e kërkuar në dyert e shtetit apo akoma më keq, duke e pritur që puna t’i vijë në shtëpi. Janë të panumërt shembujt e krijimit të vendit të punës për vete e për të tjerët përmes sipërmarrjes së lirë dhe ne duam përmes këtij programi të ri, të mbështesim krijimin e shembujve të rinj”.
Ndaj, nëpërmjët këtij aplikimi, Rama ka inkurajuar mundësinë e të rinjve për të krijuar vende të reja pune.
“Ja aplikimi që ju mundëson të provoni fuqinë e idesë suaj për të krijuar vendin tuaj të punës. Deri në 30 prill ju mund të çoni projektin tuaj dhe në 15 maj të jeni një ndër fituesit”, përfundon Rama në “Facebook”.