Ekonomia

Rama në konferencën kombëtare të BSh-së: Financat janë konsoliduar

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në konferencën kombëtare të Bankës së Shqipërisë, nga ku deklaroi se, “pas 3 vitesh reformash të vonuara dhe masash jo të lehta, financat e shtetit janë të konsoliduara dhe borxhi publik ka hyrë në trend rënës”.

“Po ulim borxhin publik dhe nga ana tjetër kemi ndarë për buxhetet e familjes, por 440 milionë dollarë në 4 vite, të cilat, shtuar edhe 100 milionë dollarë për rrogat e pensionet, kanë ndikim në rritjen e konsumit”, deklaroi kreu i qeverisë, i cili nënvizoi rolin e Bankës së Shqipërisë për të kapërcyer krizën e vitit 2013.

“Banka dha ndihmë në kapërcimin e krizës e kolapsit që kërcënonte vendin në vitin 2013. Në fund të vitit 2013 kishim një sfidë të madhe: kërcënoheshim nga pamundësia për të paguar rrogat. Plus kishim borxhe të fshehura. Shlyem 720 milionë dollarë detyrime. Ndërsa sot jemi në kushtet kur ekonomia shqiptare është rritur me 3.2%. E dimë që është e pamjaftueshme për të përballur me sukses nevojat, por jam optimist për faktin se një sërë projektesh të përgatitura gjatë kësaj periudhe në turizëm, energji, infrastrukturë janë në prag të finalizimit dhe besoj që do të kenë një impakt plus në rritjen ekonomike të 5 viteve të ardhshme”, u shpreh Rama.

Ndërsa guvernatori i BSh-së, Gent Sejko deklaroi: “Kriza e fundit botërore ishte e paprecedentë, krijoi turbullira në sistemin financiar dhe solli humbje të mëdha dhe reduktoi mirëqenien. Ballkani Perëndimor nuk ishte në syrin e ciklonit të krizës, por pati pasoja pasi u tërhoqën fondet e huaja nga rajoni. Sot, kushtet për kreditim në Shqipëri janë përmirësuar dhe do të vazhdojnë të përmirësohen edhe më tej. Problemi i kredive me probleme, pasojë e krizës, është drejt adresimit, edhe pse ka ende punë për të bërë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button