Politika

Rama: Nuk negociojmë mandatin që na ka dhënë populli

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Kuvend në seancën e së enjtes, deklaroi se qeveria nuk do të negociojë “mandatin që ka dhënë populli dhe që skadon në ditën e krijimit të qeverisë së re”.

“Të gjitha përpjekjet për të goditur qeverinë dhe 18 qershorin, janë në thelb përpjekje për të goditur stabilitetin e vendit. Asgjë nuk do të ndodhë, përveç asaj që përcakton Kushtetuta si detyrim për përfaqësuesit e popullit, që të paraqiten para popullit me ofertat që do të gjykohen nga populli”, tha Rama.

Në lidhje me letrën e koalicionit PS-LSI drejtuar KQZ-së për shtyrjen e afatit të regjistrimit të koalicioneve, kreu i qeverisë tha se kjo letër, “e dërguar si koalicion në KQZ, nuk synon të detyrojë KQZ-në të marrë një vendim unilateral për të prekur afatet zgjedhore, por synon vetëm të shprehë vullnetin e mirë të koalicionit që deri në fund t’i japim mundësi PD-së që të hyjë në zgjedhje”.

“Nuk kishim asnjë motiv që të regjistronim koalicionin duke i mbyllur rrugën PD-së. Jemi këtu për të konfirmuar atë që kemi shprehur vazhdimisht: nuk jemi parti, por koalicion. Ata që kanë shpresuar që të godasin koalicionin, janë zhgënjyer. Nuk është aks strategjik për karrike, por për reforma. Nëse në këtë proces ka pasur qasje të ndryshme, kjo nuk ka nënkuptuar për asnjë sekond ndonjë lëvizje nga marrëdhënia kontraktuale me 1 milion njerëz që na kanë votuar, por ka qenë shprehje e dy opinioneve të ndryshme me si mund të lehtësohet rruga e zgjidhjes për të nxjerrë PD-në nga një qorrsokak ku është futur vetë”, tha Rama.

Në lidhje me çështjen e Presidentit, Rama tha: “Mund ta kishim zgjedhur dje Presidentin, por nuk po e bëjmë një gjë të tillë. Kjo është forca e shembullit dhe jo shembulli i forcës. Fuqinë numerike që e kemi marrë me mandat popullor, nuk duam ta përdorim për t’i marrë të gjitha për vete. Nuk e kemi këtë tendencë. Fatkeqësisht, në Parlament nuk kemi ndeshur sfidën e ballafaqimit të programeve dhe opinioneve. Por, ne duam sërish t’i japim mundësi atyre që mungojnë në Parlament. Duam një President të paanshëm. Një President që të jetë në gjendje që, kur ka nevojë vendi, të ulë në një tryezë partitë politike”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button