Politika

Rama: PD të thotë se çfarë kërkon

“Qeveria nuk do të negociojë mandatin që i ka dhënë populli dhe që skadon në ditën e krijimit të qeverisë së re. Të gjitha përpjekjet për të goditur qeverinë dhe 18 qershorin, janë në thelb përpjekje për të goditur stabilitetin e vendit”.

Si për të rinkonfirmuar edhe një herë se PS e LSI do të garojnë bashkë më 18 qershor, kryeministri tha se kërkesa dorëzuar një ditë më parë në KQZ synon vetëm t’i japë një tjetër mundësi PD-së për të hyrë në zgjedhje.

“Nuk kishim asnjë motiv që të regjistronim koalicionin duke i mbyllur rrugën PD-së. Jemi këtu për të konfirmuar atë që kemi shprehur vazhdimisht: nuk jemi parti, por koalicion. Ata që kanë shpresuar që të godasin koalicionin, janë zhgënjyer. Nuk është aks strategjik për karrike, por për reforma. Nëse në këtë proces ka pasur qasje të ndryshme, kjo nuk ka nënkuptuar për asnjë sekond ndonjë lëvizje nga marrëdhënia kontraktuale me 1 milion njerëz që na kanë votuar, por ka qenë shprehje e dy opinioneve të ndryshme me si mund të lehtësohet rruga e zgjidhjes për të nxjerrë PD-në nga një qorrsokak ku është futur vetë”, tha Rama.

Por, kryeministri lë edhe një shteg të hapur për PD: “Jemi angazhuar që në fillim për një reformë zgjedhore shteruese, sipas rekomandimeve të OSBE, arbitri ndërkombëtar dhe kemi qenë dhe mbetemi edhe sot, pavarësisht se koha po skadon, të hapur për çdo ndryshim tjetër në ligjin e zgjedhjeve që mund të lehtësojë psikologjikisht PD dhe mund të hapi rrugën për të hyrë bashkë në zgjedhje përpara shqiptarëve. Kemi patur të gjithë durimin dhe zemërgjerësinë përtej çdo kufiri për t’i lënë PD-së mundësinë që të shfaqet e të ulet në tavolinë dhe të thotë çfarë të dojë, të propozojë ç’të dojë për të votuar Kodin Zgjedhor. Por, nuk ka kompromis pa vetting-un. Të shkojmë në zgjedhje bashkë me vetting-un”, deklaroi Rama.

Kryeministri kishte një përgjigje ndaj kritikave për letrën dërguar KQZ-së: “Ne nuk kishim asnjë motiv që të regjistronim koalicion duke i mbyllur përfundimisht rrugën PD-së sepse do të ishte njësoj si të mobilizohej gjithë fronti antifashist për të luftuar me një copë kolaboracionisti të vetëm që ka mbetur në fushë”.

Rama foli edhe për Presidentin, kur tha se mazhoranca i ka numrat, por nuk synon që të zgjedhë e vetme pa opozitën kreun e ri të shtetit: “Ne duam sërish t’i japim mundësi atyre që mungojnë në Parlament. Duam një President të paanshëm. Një President që të jetë në gjendje që, kur ka nevojë vendi, të ulë në një tryezë partitë politike”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button