Politika

Rama për televizionin kroat: Idetë më të mira për të ardhmen e Europës gjenden në Ballkan

Javën e kaluar në Zagreb u zhvillua një samit online, ku morën pjesë udhëheqës të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Redaktorja e çështjeve të jashtme të Televizionit N1, Ivana Dragiçeviç, bisedoi me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për përshtypjet e tij për samitin dhe perspektivën europiane të rajonit.

Samiti që mendohej të ishte kurora e presidencës kroate të Këshillit të Bashkimit Europian, u zhvillua nën hijen e krizës së COVID-19 dhe online. Dhe ne pamë që në tekstin e deklaratës së miratuar, nuk përmendej as zgjerimi i BE-së dhe as Shqipëria, as Maqedonia e Veriut. Dhe kjo ndodhi pasi BE kishte dhënë dritën jeshile në mars që të dy vendet të fillonin negociatat e anëtarësimit. Cili është reagimi juaj për këtë?

Së pari, unë dua të them, jo ​​për hir të formalitetit, por sepse meriton të përmendet, se Presidenca Kroate ka qenë vërtet shumë e mirë. Dhe mund ta them këtë sepse mund ta krahasoj me presidencat e mëparshme. Kjo presidencë ishte ajo që nxori në pah më së miri Ballkanin Perëndimor dhe nevojën për të adresuar një perspektivë të përbashkët të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor.

Së dyti, fjala “zgjerim” është një fjalë shumë e vështirë, më e madhja dhe më e vlefshmja në Bashkimin Europian, por më shumë se kaq nuk do të doja të ankohesha për këtë sepse në fund të fundit këto janë dokumente që i përkasin arkivave, ato nuk vlejnë për punën e vërtetë.

Nëse flasim për punën e vërtetë – atëherë tani ne kemi këtë metodologji të re. Ju përmendët vendet e mëdha dhe të pasura, dhe ne jemi në dijeni për debatin që ka vazhduar për këtë, por në thelb zgjerimi është politika strategjike e BE-së. A mendoni se kjo metodologji e re gjithashtu i jep një lloj pronësie mbi këtë proces  shteteve anëtare? A ngjall besim te të dyja palët? Sepse ne e dimë që kishte mungesë besimi për shkak të situatave të brendshme politike në vende të ndryshme të BE-së. A mundet tani Holanda, Danimarka apo ndonjë vend tjetër të thotë se ju nuk keni bërë diçka që në thelb ju e keni bërë? Pra, si e shihni gjithë këtë proces?

Sigurisht që ato munden. Dhe gjithmonë munden. Para së gjithash, metodologjia e re ishte një rrugëdalje nga një bllokim. Së dyti, kur e kalon atë – kjo varet vërtet, nga mënyra se si dikush do ta përdorë. Dhe nga përvoja mësuam se për ne, dhe në përgjithësi për vendet që janë të vogla dhe nuk janë të pasura, se gjithmonë flitet për rregulla, rregulla, rregulla. Për të tjerët, vendet më të mëdha dhe më të pasura, gjendet gjithmonë një mënyrë. Pra, nëse ato duan të shohin diçka në një mënyrë të caktuar, do ta shohin atë gjithmonë në këtë mënyrë të caktuar. Nëse dëshirojnë ta shohin atë në të kundërt, do ta shohin atë në të kundërt.

Kështu ndodh. Dhe në fund të fundit nuk mund të ketë ndonjë ndryshim. Ato themeluan BE-në, ato janë të fuqishme, ato kanë të drejtën e tyre të ushtrojnë fuqinë e tyre, dhe kushdo do ta bënte këtë. Unë nuk do të ankohesha për këtë. Thjesht do të thosha që ka disa gjëra të mira në metodologjinë e re, dhe nëse ato materializohen në të mira në jetën reale, kjo do të ishte diçka e shkëlqyer. Nëse jo, jo. Pra, nuk ka asgjë për t’u çuditur. 

Më korrigjoni nëse gaboj, por mua më duket se jeni paksa i zhgënjyer.

Jo, nuk jam i zhgënjyer, thjesht jam realist. Unë mendoj se kështu është dhe nuk mund ta ndryshojmë këtë. Presidenca Kroate bëri shumë, dhe unë me të vërtetë mendoj se jemi të detyruar t’i jemi mirënjohës Presidencës Kroate dhe Kryeministrit tuaj, sepse ai u tregua shumë i zoti për të ecur përmes këtij labirinti që nuk është i lehtë, dhe duke i dalë në fund me diçka konkrete.

Natyrisht, ai mbështeti vullnetin politik të Gjermanisë dhe të të tjerëve, ndërkohë që edhe Franca ndryshoi kursin e saj. Kështu që, më në fund,ky proces u përfundua dhe ne arritëm t’i hapnim këto negociata.

Natyrisht që tani, nga deklarata e hapjes së negociatave dhe deri te hapja e vërtetë e tyre dhe deri tek procesi i vërtetë i anëtarësimit është një rrugë e gjatë. Ne e dimë këtë dhe jetojmë me të.

Për sa i përket kontekstit dhe planit që do të pasojë, a mendoni se deri në fund të këtij viti, gjatë presidencës gjermane, do të merrni një dritë jeshile ose një datë për të filluar konferencën ndërqeveritare?

Unë kurrë nuk u përgjigjem këtyre lloj pyetjeve. Pra,kur bëhet fjalë për të menduar se çfarë do të ndodhë kur BE-së do t’i duhet të marrë një vendim. Ju nuk e dini asnjëherë këtë. BE nuk është më e parashikueshme dhe nëse ju parashikoni, atëherë është më mirë ta luani mirë këtë kartë dhe thjesht të thoni “Jo”.

Por, me Presidencën Gjermane ka vend të themi që ata do të vazhdojnë të ecin në këtë drejtim, sepse Gjermania gjithmonë ka pasur një pozicion shumë të qartë për Ballkanin Perëndimor. Kancelarja gjermane ka një vizion shumë të qartë se nga vijmë, ndoshta për shkak të së kaluarës së saj, pasi ajo u rrit në një regjim komunist dhe gjithashtu për vendin ku duhet të shkojmë.

Tani, a do të ndodhë kjo? Unë nuk e di. Është më mirë të mos vësh bast për BE në kuptimin e parashikimit të këtyre gjërave. Po, mund të ndodhë.

Sa besim mund të ketë ndaj BE-së Shqipëria ose vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në këtë proces, kur e dimë se ka shumë çështje të brendshme që duhet të zgjidhen brenda vetë BE-së? Sa besim ka midis qytetarëve në këtë proces dhe sa fuqi mund të ketë dikush që qeveris këto shtete për ta bërë atë më funksional?

Para së gjithash, një këshillë – kurrë mos i pyesni shqiptarët për këtë sepse ata kanë dashuri të pakushtëzuar për BE-në dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me rrëmujën në të cilën BE ndodhet sot, ose çfarëdo që përfaqëson BE-ja ndërsa flasim, lidhur me kushtet e pasigurisë, mungesës së strategjisë e tjerë.

Bëhet fjalë për të qenë pjesë e një hapësire ku kemi zgjedhur lirisht që të jemi dhe ku mund të jemi të lirë.

Ne asnjëherë nuk mundëm të zgjidhnim. Ne jetuam nën Perandorinë Osmane, jetuam nën fashizëm, jetuam nën komunizëm, ne kishim një mbretëri të vetëkrijuar, mbretëria e fundit në Europë e krijuar nga një ish-ministër i Brendshëm. Kështu që BE për ne është gjithçka. Prandaj është më mirë që të mos pyetemi për këtë, sepse rrezikojmë të keqkuptohemi.

 Si kryeministër, keni punuar në reformimin e sistemit gjyqësor, zbatimin e sundimit të ligjit, të gjitha këto reforma që kërkohen nga BE. Por, ju ishit kundër një rezistence dhe stereotipeve ndaj Shqipërisë në BE. A mendoni se kjo marrëdhënie mund të ndryshojë në të ardhmen?

Unë do të thosha që e kaluara është një arsye shumë e rëndësishme pse ne jemi kaq të dashuruar pa kushte me BE-në, nëse mund të them kështu, dhe pse këmbëngulim të “martohemi” me të. Por, edhe pse, nga ana tjetër,edhe ata insistojnë se duan të “martohen”, nuk duket se e duan këtë. Por, ne do të vazhdojmë të ngulim këmbë derisa të martohemi.

Për sa i përket së ardhmes, më lejoni të them se, ashtu si vendet e tjera mund të dëshmojnë, në kuptim të fakteve dhe jo të opinioneve apo ndjenjave publike, se procesi i anëtarësimit në BE është shumë i dobishëm për një vend. Kjo nuk është diçka që bëhet për të kënaqur ata në Bruksel, Hagë apo Berlin. Kjo është për të ndërtuar një shtet të bazuar në parimet e pushteteve të pavarura, të institucioneve funksionale e tjerë. Të cilat, përndryshe, nuk do të mund t’i ndërtonim, sepse nuk kemi një traditë të tillë, siç thashë më lart.

Pra, ajo që na mungon për sa i përket traditës, ne po e kompensojmë me këtë proces. Për shembull, ne po ndërtojmë një sistem gjyqësor të pavarur në Shqipëri, ku nuk kemi pasur kurrë një gjyqësor të pavarur dhe ku jemi të gjithë kushërinj dhe kjo mendoj se është njësoj edhe për ju kroatët, por nuk dua ta përmend… Kështu që, nuk është e lehtë.

Pa BE-në, pa këtë udhërrëfyes, kjo shtytje dhe kjo tërheqje, dyshoj se ne do të mund ta realizonim. Pra, është një mjet unik për të ndërtuar një shtet.

Të gjitha këto janë përmendur në Deklaratën e Zagrebit, së bashku me gjërat që ne ende kemi të gjitha të përbashkëta, pavarësisht nëse jemi në BE apo jo si trajtimi i korrupsionit, sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar… Ne e dimë se Ballkani perceptohet nga mënyra se si është dhe se ai është ai që është. Por, në vendin tuaj keni pasur një rezistencë të fortë nga opozita, keni pasur protesta në rrugë vitin e kaluar, keni pasur përplasje me Presidentin. A mund të na siguroni se demokracia po funksionon në Shqipëri?

Siç e thashë tashmë, kur gjykoheni nga të tjerët, dhe ju ndodh që të jeni të vegjël dhe nuk jeni të pasur, duhet të vuani paragjykime që mund të jenë ekstreme. Kjo vlen jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Po, krimi i organizuar është një problem, por krahasuar me krimin e organizuar të Europës, krimi i organizuar në Ballkanin Perëndimor është i vogël. Por, duke qenë i vogël, kjo gjithashtu është diçka që mund të jetë shumë e veçantë dhe nganjëherë shumë shqetësuese për fqinjët. Dhe kjo është arsyeja pse ata kanë të drejtë të ankohen për këtë.

Në të njëjtën kohë, ne na duhet të merremi me të gjitha këto çështje. Ne duhet të shohim veten dhe të mos fajësojmë askënd tjetër për këtë, sepse në fund është e dobishme për ne. Nga ana tjetër, po, ne kemi problemet tona, mosmarrëveshjet tona, mënyrën tonë të gjykimit të këtyre gjërave. Dhe ju e dini, në Ballkan apo në Mesdhe, njerëzit kanë emocione të forta, por, ka të bëjë edhe me rritjen në një hapësirë demokratike.

Ne jemi lindur, rritur dhe pjekur në një hapësirë ku tjetri nuk ekzistonte, kundërshtarët nuk ekzistonin dhe ku të menduarit ndryshe nuk lejohej. Tani na duhet të rritemi. Në këtë kuptim, është një demokraci e re, ende një demokraci adoleshente. Ne na duhet të piqemi më shumë, nuk është e lehtë, por do të mbërrijmë patjetër atje.

Por, a mund të na garantoni se jeni në këtë drejtim? Sepse t’i shikoje ato imazhe nga ky këndvështrim ishte diçka jo edhe aq e këndshme. E kam fjalën për protestat e vitit të kaluar në Tiranë.

Nëse do t’i kishit parë të njëjtat imazhe në Paris, atëherë do të thoshit se kjo është demokraci. Por, kur i shihni në Tiranë, atëherë thoni: “Ata janë të çmendur”. Dhe ne në fakt jemi diku në mes. Nganjëherë është një demokraci e të çmendurve, por sërish është demokraci. Është ajo që është. Ne duhet ende të rritemi dhe të piqemi.

Nëse flasim për të ardhmen, ne na duhet një e ardhme e qëndrueshme sa i takon ekonomisë. Kemi parë paketën e madhe ekonomike të akorduar gjatë Samitit të Zagrebit dhe që ka të bëjë me përballimin e krizës së pandemisë së COVID-19, por edhe me rimëkëmbjen social-ekonomike në vjeshtë. A mendoni se kriza social-ekonomike mund të çojë në trazira politike? Ne e dimë që Shqipëria përjetoi një tërmet të tmerrshëm në nëntor, kurse tani është kriza e korona virusit. Si do ta menaxhoni të gjithë këtë?

Kur u goditëm nga tërmeti, menduam se do të mbaronte me kaq. Por, nuk ishte e thënë, pasi mbërriti edhe pandemia. Ne duhet të bëjmë atë që duhet të bëjmë. Mendoj se është mirë që Europa po lëviz në këtë drejtim, për ne, për Ballkanin është mirë që në njëfarë mënyre u përfshi në këtë paketë ndihme. Do të shohim se për çfarë do të jetë. Është mirë që kanë qenë njëkohësisht të hapur ndaj idesë sonë lidhur me angazhimin me Bankën Qendrore Europiane, si vende jo anëtare të BE-së. Kjo është gjithashtu gjë e mirë.

Pra, në tërësinë e saj Europa është forcë e së mirës. Dhe nuk duhet ta harrojmë kurrë këtë. Sepse nganjëherë është e lehtë të fajësosh Europën, por në të njëjtën kohë pa Europën ne nuk do të ishim aty ku jemi – e kam fjalën për të gjithë ne.

Në rastin e tërmetit, ne u bëmë dëshmitarë të një solidariteti të madh. Meqë ra fjala, meqë nuk kam folur me median kroate që prej asaj kohe, dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për të falënderuar qeverinë dhe popullin kroat që ishin aty për ne.

Nga dërgimi i një ekipi të jashtëzakonshëm shpëtuesish për të nxjerrë dhe shpëtuar njerëzit nga rrënojat, te premtimi i Kroacisë për ndërtimin e një shkolle këtu dhe pastaj përmes Presidencës kroate të BE-së. Të bën të ndjehesh shumë mirë. E vlerësojmë me gjithë zemër faktin që jemi miq kaq të ngushtë me Kroacinë, dhe që një mik kaq i ngushtë është në një pozicion për të të ndihmuar.

Sa i takon ekonomisë, meqë Shqipëria është  fqinjë e BE-së, apo e rrethuar nga vendet e BE-së, që janë fqinjë të saj, ka pasur shumë ide për përmirësimin e bashkëpunimit. Njëra prej tyre është e ashtuquajtura ideja për “miniSchengenin”. Cili është qëndrimi juaj ndaj saj dhe ndaj idesë që ngjan gati-gati abstrakte, që shpesh konsiderohet si “bashkëpunim rajonal”? Duke marrë parasysh se kemi ende shumë çështje dypalëshe në rajon mes shtetesh, që ende nuk i kanë zgjidhur mes tyre, si çështja mes Kosovës dhe Serbisë, dinamikat e brendshme në Bosnje-Hercegovinë, për të mos përmendur fqinjin tjetër tuajin, Maqedoninë e Veriut.

Unë besoj fort se cilësia e jetës kur jetojmë së bashku, qoftë në një familje, brenda një ekipi sporti, një komuniteti, një organizate, biznesi, një shteti, rajoni dhe në botë, nuk ka vërtet rëndësi se sa biem dakord me njëri-tjetrin, por në mënyrën se si nuk biem dakord. Nëse nuk biem dakord në një mënyrë të qetë, është mirë, është jetë e mirë. Nëse nuk biem dakord në një mënyrë jo edhe aq të këndshme, atëherë jeta është e keqe.

Pra, ne kemi pasur shumë jetë të trazuar këtu në Ballkan, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë vijuar në një mënyrë aspak të këndshme. Dhe për të jetuar së bashku, për të gëzuar jetën së bashku, për të ecur përpara së bashku, ne nuk duhet domosdoshmërisht të biem dakord për gjithçka. Thjesht na duhet të gjejmë një mënyrë për të punuar së bashku dhe zgjidhur qetësisht mosmarrëveshjet tona. Dhe të përpiqemi dhe t’i zgjidhim ato me qetësi.

Pra bashkëpunimi rajonal është vendimtar për ne. Ju në Kroaci jeni pjesë e BE-së, kurse ne, jo. Dhe deri kur edhe ne të jemi atje, nuk e kuptoj pse ne nuk mund të jemi në gjendje të lëvizim lirshëm brenda rajonit tonë. Të kemi lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve, që janë katër liritë e vetë BE-së.

Pra, përmbushja e këtyre katër lirive është ajo për të cilën dikush pati idenë e keqe që ta quante “miniSchengen”. Unë e urrej atë term, sepse vetë jam shumë i gjatë për të pranuar gjëra mini. Schengeni është përdorur si pikë referimi dhe ka të bëjë me këto katër liri brenda Ballkanit Perëndimor.

Pra, po, ka plot mosmarrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës, por kjo nuk duhet të jetë pengesë ndaj bashkëpunimit. Dhe sa më shumë të bashkëpunojmë, sa më shumë të flasim, sa më shumë njerëzit do të mund të njohin njëri-tjetrin në nivelet e secilit prej tyre, në jetë, në biznes, shkëmbimet njerëzore, shkëmbimet kulturore dhe shumë gjëra të tjera, atëherë do të jetë më e lehtë për të kuptuar njëri-tjetrin dhe për t’i rregulluar gjërat.

Përndryshe, nëse do të prisnim që të zgjidhim gjithçka para se të nisim të bashkëpunojmë, atëherë nuk do të jemi kurrë në gjendje, as të bashkëpunojmë dhe as të zgjidhim gjithçka.

Ju përmendët disa gjëra interesante, por unë do të doja t’i rikthehesha Deklaratës së Zagrebit. Për mua ishte interesante se si BE-ja kërkonte të theksonte qartësisht se janë ata që po investojnë më shumë se kushdo në Ballkanin Perëndimor, pasi diskutimi rreth Ballkanit Perëndimor është ende dominues në gjeopolitikë. Cili është mendimi juaj lidhur me këtë, pasi kemi dëgjuar të flitet shumë rreth ndikimit të Rusisë, politikës së energjisë, ndikimeve të ndryshme strategjike… A është e vërtetë kjo histori, apo është thjesht një diskutim i nxitur nga shqetësimet brenda BE-së.

Ka fuqi të caktuara që sot janë në një pozicion më të mirë se Europa. Ajo që dua të them është se këto fuqi mund të bëjnë plane për 10, 20, apo edhe 100 vitet e ardhshme, kurse Europa bën plane vetëm për zgjedhjet e ardhshme. Dhe i duhet të planifikojë shumë zgjedhje, dhe gjithsecili ka zgjedhjet e tij, dhe të gjitha këto kanë shumë rëndësi.

E kemi parë këtë në përvojën tonë, e kemi provuar këtë në lëkurën tonë. Çfarëdo ata thonë, ne e dimë këtë. Nëse ka zgjedhje diku, dhe ai vend është i rëndësishëm në vendimmarrje, atëherë ne na duhet të presim. Por pastaj u vjen radha zgjedhjeve në një vend tjetër dhe ne sërish na duhet të presim, e kështu me radhë.

Por, kur flasim për influencat, mendoj se është mirë që Komisioni i ri dhe presidentja e re e Komisionit kanë ardhur në një situatë ku njerëzit pak a shumë e kuptojnë që kjo nuk mund të vazhdojë kështu. Nuk mund të ketë vetëm teknokraci dhe burokraci, por duhet të jetë më politike, më gjeopolitike. Kështu, le të shpresojmë që kjo do të materializohet edhe më tutje. Por duhet të them që sinjalet e deritanishëm janë inkurajues.

Kur vjen puna te Shqipëria, është paksa më e lehtë, pasi ne i njohim disa prej këtyre personave më parë dhe tani erdhi radha t’i njohim në mënyrën e vështirë. Pra ne nuk joshemi prej tyre. Orientimi ynë i vetëm është Europa dhe rruga jonë e vetme është Europa.

Në këtë vend e gjejmë të vështirë që të biem dakord edhe për ngjyrat – nëse unë them se diçka ka ngjyrë vjollcë, opozita thotë se është blu; ose, nëse ata thonë që është e verdhë, unë them që është portokalli. Ne e kemi të vështirë të merremi vesh për motin, apo se sa është ora. Por kurrë nuk e kemi pasur të vështirë të jemi në një mendje lidhur me drejtimin ku duhet të shikojë vendi dhe në cilin drejtim duhet të shkojmë.

Ne dikur ishim Koreja e Veriut e Europës, kishim regjimin më brutal dhe më të çmendur komunist, partinë komuniste më diktatoriale – ne jemi, mendoj, vendi i vetëm që nuk kemi pasur asnjë parti tjetër komuniste që prej ndryshimit të regjimit. Pra, në këtë aspekt, kjo është shumë e qartë. Nuk ka fuqi të tjera që do të mund ta transformonin Shqipërinë në një bastion, që do të shikonte në një drejtim tjetër.

Sikurse një poet i Rilindjes sonë ka thënë: “Ne jetojmë në një vend ku dielli lind aty ku perëndon”. Pra, është Perëndimi.

Konferenca e ardhshme “E Ardhmja e Europës” mund të na japë disa përgjigje se si Europa do ta transformojë vetveten. A mendoni se ekzistojnë ide në Ballkanin Perëndimor lidhur me të ardhmen e Europës dhe nëse vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përfshihen në të sipas një formati të caktuar?

Mendoj se idetë më të mira rreth së ardhmes së Europës gjenden pikërisht në Ballkan, pa diskutim. Sepse ata janë të sinqertë dhe, sinqerisht, nuk ndikohen nga interesa personale. Ka vetëm një interes personal në Ballkan, të bëhemi pjesë e kësaj familjeje dhe t’i japim gjithçka kësaj familjeje.

Ndoshta, kur të mbërrijmë deri aty mund të mos i kemi më ide aq të mira se si duhet të jetë Europa, por, po, idetë më të mira për të ardhmen e Europës gjenden në Ballkan, por kjo është edhe arsyeja përse ato ide nuk janë të realizueshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button