Rama urdhëron: Brenda janarit të zgjidhen krerët lokalë të PS-së
Rivendosen afatet e reja për zgjedhjet e strukturave. Kongresi, drejt marsit
Pas kthimit nga SHBA-ja, kryesocialisti Edi Rama mblodhi dje paradite në selinë e PS-së të gjithë koordinatorët, të cilët do të angazhohen për procesin e zgjedhjeve të strukturave të kësaj partie. Mësohet se Rama në këtë mbledhje u ka kërkuar koordinatorëve që brenda muajit janar duhet të përfundojë procesi i zgjedhjes së krerëve të organizatave të Partisë socialiste. Ky proces duhej të ishte përmbyllur në muajin dhjetor të vitit të kaluar, me datën 15, por shkelja e afateve ka detyruar të shtyjë në kohë jo vetëm këtë proces, por edhe mbajtjen e kongresit të socialistëve. Burimet bëjnë të ditur se brenda këtyre tri javëve do të punohet për përgatitjen e kushteve për zgjedhjen e 61 drejtuesve të rinj të degëve të PS-së. Ndarja e re territoriale dhe mënyra e organizimit të partive do të realizohet mbi bazën e numrit të bashkive. Në ato bashki ku procesi i zgjedhjeve në organizata ka mbaruar, nuk mund të zhvillohen ende zgjedhjet për kryetarë, pasi procesi do të zhvillohet në një ditë të vetme për të gjitha bashkitë e vendit. Këto degë të partisë që kanë ecur me afatet, gjatë muajit janar do të punojnë me zgjedhjen e delegatëve për kongresin e PS-së, mbledhja e të cilit është e pamundur në janar dhe afati më i mundshëm është marsi. Përcaktimi i numrit të delegatëve do të bëhet sipas kritereve të përcaktuara nga asambleja e korrik të vitit të shkuar, ku një delegat është i barabartë me 100 anëtarë partie dhe do të respektohet kuota gjinore 50% gra, nismë kjo e paraqitur nga Kryeministri Rama.
Kongresi
Pas mbylljes së të gjithë procesit të zgjedhjes së strukturave, si organizatave socialiste, krerëve të degëve, në fund është parashikuar që të mbahet Kongresi i PS-së. Asambleja Kombëtare, në vendimet e miratuara në fund të muajit korrik, të cilat u janë dhënë të gjithë anëtarëve të kësaj strukture, parashikonte që ristrukturimi i së majtës të niste që në muajin shtator me fazën e parë, atë të regjistrimit të anëtarësisë sipas organizatave të PS-së, e cila do të zgjaste deri në datën 10 shtator, por që vijon të zgjasë edhe në kuadër të arritjes së objektivit të vendosur në Asamble, atë të shtimit të anëtarëve, kryesisht të rinj deri në 150 mijë të tillë. Kongresi ishte parashikuar të mbahej në janar, por shkelja e afateve ka shtyrë në mënyrë zinxhir dhe mbajtjen e organizmit më të rëndësishëm të funksionimit të një partie. Edhe pse duhet të mblidhet Asambleja e PS-së për shtyrjen e kongresit, deri më tani nga PS-ja nuk ka ende një vendim për mbajtjen e këtij forumi. Gjithçka duket se po i lihet ecjes së përmbylljes sa më të shpejtë të zgjedhjeve të strukturave lokale, duke lënë në “harresë” faktin se për shtyrjen e kongresit duhet të ketë një vendim të Asamblesë së PS-së. Përballë kësaj situate, PS-ja ndodhet dhe përballë kërkesës zyrtare të koordinatorit të Jugut të PS-së, deputetit Koço Kokëdhima, i cili ka depozituar një platformë, të quajtur “Stina e re PS”, ku kërkohet mbajtja e kongresit në muajin prill. Procesi zgjedhor, sipas koordinatorit të Jugut, parashikon që 1-15 mars të zhvillohen zgjedhjet në Forumin e Gruas Socialiste dhe deri më 31 mars të zhvillohen zgjedhjet në FRESSH. Ndërkohë afati që ka ngjallur më shumë debat është pikërisht ai i Kongresit Kombëtar, që sipas Kokëdhimës të zhvillohet katër muaj pas atij që është vendosur në Asamble, fundi i muajit janar, por në javën e tretë ose të katërt të prillit. Edhe pse jo zyrtarisht përflitet që Kongresi të mbahet në muajin mars, në javën e dytë apo të tretë të saj.