Politika

“Reforma në Drejtësi ka trembur ata që nuk e duan”/ Ambasadorja Kim: Udhëzimet e qarta që kam nga Uashingtoni

Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim deklaroi mbrëmjen e së premtes në një intervistë televizive per A2 CNN, se Reforma në Drejtësi është prioritet i Uashingtonit nga i cili nuk hiqet dorë.

“Ajo që do thosha është se Reforma në Drejtësi është qartësisht diçka që e do populli shqiptar dhe është diçka në të cilën kanë investuar shumë Shtetet e Bashkuara dhe shumë nga miqtë e tjerë të Shqipërisë. Dhe tani jemi në një pikë kritike. Reforma në Drejtësi ka bërë përparim që mjafton për të trembur ata që nuk e duan atë, por ende jo aq sa të kënaqë popullin shqiptar. Mendoj se është vërtet e rëndësishme që ne që e mbështesim Reformën në Drejtësi, populli shqiptar, Shtetet e Bashkuara, të mos dorëzohemi, të mos çorientohemi, dhe të mos shpërqendrohemi në këtë pikë kritike. Duhet të shtyjmë përpara”, u shpreh ajo.

“Mendoj se mënyra për ta bërë këtë është që populli shqiptar duhet të vazhdojë të ngrejë zërin për të shprehur pakënaqësinë, për të shprehur kërkesën e tyre për më shumë transparencë, më shumë sundim të ligjit. Për sa i përket Shteteve të Bashkuara, unë kam udhëzime të qarta nga Uashingtoni që kjo çështje mbetet prioritet dhe unë kam në plan t’i zbatoj ato”, u shpreh ambasadorja.

Kim theksoi se Reforma në Drejtësi duhet të ecë përpara. “Do të thosha, siç e thashë në fillim, që jemi në një fazë kritike. Është bërë mjaftueshëm përparim… Institucionet janë ngritur. Thuajse të gjitha janë ngritur dhe funksionojnë, përveç BKH-së, ku presim përzgjedhjen e drejtorit të parë, dhe sigurisht, Gjykata Kushtetuese. Këto institucione duhet të bëhen funksionale dhe çështja e Gjykatës Kushtetuese ka ngecur për një kohë të caktuar. Një pjesë është ligjore, e mirëfilltë. Një pjesë është politike. Ekziston vërtet në themel një çështje e vullnetit politik dhe në kohën që do transmetohet kjo intervistë, Komisioni i Venecias mund të ketë nxjerrë opinionin përfundimtar. Me aq sa jam në dijeni për opinionin, ai ofron mundësinë që jo të festohet se kush fitoi a kush humbi, por të shihet si një mundësi për të ecur përpara. Sepse ajo që shoh tani është disa do të donin që Reforma në Drejtësi të sillej rrotull e rrotull në një rreth, si ‘kali në lëmë’. Ajo që na duhet është që Reforma në Drejtësi të ecë përpara dhe, siç e kam thënë më parë, është diçka që nuk do të jetë e përsosur menjëherë. Nuk do të jetë e lehtë, nuk do të jetë e shpejtë, por e dini çfarë? Është e rëndësishme, është e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. Ndaj njerëzit duhet të mbeten vigjilentë, duhet të vazhdojnë të kërkojnë ndryshim dhe shpresoj që nuk do të dorëzohen, sepse kemi bërë kaq shumë rrugë dhe do të ishte tragjike të hiqej dorë tani”, u shpreh Kim.

Ajo e cilësoi Reformën në Drejtësi një proces i gjatë që kërkon këmbëngulje.

“Po, e vërtetë, por diçka kaq madhore si Reforma në Drejtësi nuk është një çelës. Është një spektër. Kërkon këmbëngulje dhe kërkon që në spektër të lëvizet nga një krah në tjetrin. Do të jetë një proces i gjatë, i dhimbshëm, i ngadaltë dhe kushdo që thotë ndryshe nuk ju thotë të vërtetën. Nëse pritshmëria është që në Shqipëri do shkojmë nga mungesa e sundimit të ligjit në sundim të ligjit, nga mungesa e drejtësisë në drejtësi, nga e korruptuar në jo të korruptuar, kjo nuk është e mundur. Do të jetë një proces”, u shpreh ajo’.

Kim foli edhe për Reformën Zgjedhore për të cilën tha se synimi për Shtetet e Bashkuara në mbështetje të kësaj reforme ishte shumë i qartë.

“Synimi për ne, për Shtetet e Bashkuara, në mbështetjen e reformës zgjedhore ishte shumë i qartë. Ka një synim imediat, i cili është të mbështesim Shqipërinë të përmbushë kërkesat për anëtarësim në BE. Pra, një synim shumë specifik”, u shpreh ajo.

“Po, është synim teknik, por është absolutisht i domosdoshëm. Dhe kishte një lloj urgjence. Sepse bota në Shqipëri përpara 25 marsit është ndryshe nga bota pas 25 marsit. Tani është diçka reale, me kërkesa reale, me afate reale. Dhe, kur disa nga ne pamë që negociatorëve do t’iu hynte në punë pak mbështetje ekstra, shkuam ta ofronim atë dhe u prodhua diçka. E di nga të lexuarit në median sociale dhe nga bisedat me njerëzit që ka dëshirë për ndryshim më të madh dhe mendoj se kjo nuk është diçka që më takon mua ta vendos. Është diçka që i takon popullit shqiptar ta vendosë dhe i takon parlamentit”, tha Kim.

“Nuk mendoj se më takon të them nëse ka nevojë apo jo për më shumë ndryshim. Detyra ime është të ndihmoj Shqipërinë të hyjë në BE dhe, në këtë kuptim, marrëveshja që doli më 5 qershor e përmbush atë synim, ndaj aty jam e përqendruar. Nëse ka dëshirë për më shumë, mendoj që siç thashë në Twitter për takimin me Rudina Hajdarin, e respektoj atë. Nuk do të thotë që jam në ballë, nuk do të thotë që jam në fund fare, por do të thotë në mënyrë të mirëfilltë që e respektoj dëshirën e popullit shqiptar për më shumë”, theksoi ambasadorja Kim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button