Kronika

Rehabilitimi i Gjanicës, do të shemben 90 godina tregtare

Projekti

gjanicaProjekti për rehabilitimin e lumit Gjanica që përshkon mes për mes qytetin e Fierit, parashikon prishjen e godinave të rreth 90 subjekte tregtare. Ky fakt është bërë i ditur dje për mediat nga kryetari i Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj, i cili pohoi se deri tani nuk ka pasur kontestime, pasi ata qytetarë apo biznese që preken janë sqaruar dhe e kanë mirëkuptuar këtë nismë, ndonëse një gjë e tillë nuk është në interesin e tyre. “Ky projekt do të ndryshojë përfundimisht pamjen e qytetit të Fierit, i cili, siç e dini, sa herë bien shirat lumi përmbyt gjithë qytetin, duke sjellë dëme të konsiderueshme. Ky problem pritet të zgjidhet shumë shpejt, por qytetarët do të shpëtojnë edhe nga ndotja që sillte lumi me vete. Kujtojmë se të gjitha subjektet me leje që preken nga ky investim, do të dëmshpërblehen”, ka theksuar kryebashkiaku Zeqaj. Ndërkohë, bizneset e prekura kanë marrë takim para disa ditësh me kreun e bashkisë Fier dhe kanë biseduar lidhur me procedurat që do të ndiqen në vijim. Pas takimit, pronarëve u është bërë një komunikim zyrtar, ku u është kërkuar që të dorëzojnë gjithë dokumentacionin e pronësisë e të hipotekimit të godinave. Vetëm pas kësaj faze do të nisë të kryhet seleksionimi dhe verifikimi i ndërtimeve që janë apo jo me leje. Për ato që gëzojnë lejet e ndërtimit do të nisin procedurat e shpronësimit që parashikohet të kryhet brenda afatit të shkurtër kohor. Projekti për rehabilitimin e Gjanicës parashikon që të prishë të gjitha objektet, qofshin me apo pa leje deri në një largësi 27 metra nga të dyja anët e lumit në një gjatësi rreth tre kilometra e gjysmë. Kujtojmë se për vite me radhë qytetarët e vendosur anës Gjanicës kanë protestuar, sepse përmbyteshin sa herë kishte reshje shiu. Ata kërkonin ndërhyrjen e shtetit për sistemim e shtratit të Gjanicës. Ndërkohë në disa akse përgjatë lumit ka ndërtesa të viteve ’50, për të cilat ende nuk ka një vendim nëse do të prishen apo jo. Kjo pritet të diskutohet në ditët në vijim nga autoritetet përkatëse, pohojnë burime nga bashkia.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button