Ekonomia

Reinke i FMN-së: Tatimet i bëjnë represion biznesit

Reinke i FMN-së: Biznesi thotë se administrata tatimore bën represion. Kjo pengon biznesin vendas të zgjerohet dhe të huajt të vijnë. Sektori privat nuk është në humor. Ahmetaj sinjalizon për rritje pagash e pensionesh…

Kreu i Misionit të përhershëm të FMN-së në Tiranë Jens Reinke ka pohuar qartazi në një dalje për shtyp së bashku me ministrin e financave Arben Ahmetaj se vendi është mbrapa me përmirësimin e klimës së biznesit. “Teksa shifrat e buxhetit janë optimiste, biznesi raporton një situatë krejt tjetër”, tha ai. “Biznesi thotë se administrata tatimore bën represion. Kjo pengon biznesin vendas të zgjerohet dhe të huajt të vijnë”, tha ai, duke shtuar se sektori privat nuk është në humor.

Reinke ishte më optimist lidhur me ecurinë e programit me qeverinë shqiptare. “Programi me qeverinë shqiptare ka ecur mirë, axhustimi fiskal është i mirë. Rritja ekonomike në nivelet aktuale është e kënaqshme, duke marrë në konsideratë konsolidimin fiskal”.
“Ne do të donim që rritja ekonomike të jete më e lartë në mënyrë që jeta e shqiptarëve të ndryshojë. Por për këtë duhet krijuar një mjedis më i mirë për biznesin”, tha ai.

Për ministrin e financave Arben Ahmetaj, situata është më pozitive. Bizneset e reja te rëgjistruara jane rritur më 24%, tha ai, duke shtuar se janë 9849 ndërmarrje të reja nga të cilat mbi 600 janë të huaja. Këto shifra, sipas tij, rrëzojnë fabulën politike që investitorët e huaj janë larguar nga Shqipëria.

Ahmetaj tha se të dhënat e punësimit janë pozitive. “Është rritur punësimi 4.8%. Papunësia është ulur me 0.4 %. Janë qytetarë që kanë gjetur punë. Norma e papunësisë mbetet akoma e lartë, por tendenca është në ulje. Edhe me përmirësimin e klimës së biznesit, trajektorja e uljes së papunësisë do të vazhdojë.”

Ahmetaj shtoi se ligji i ri organik do të forcoje kontrollin mbi borxhin dhe përdorimin e buxhetit për fushatë dhe do të vendosë rregulla për transparencen e investimeve.

Ahmetaj la të nënkuptohej se mund të kishte një rritje të pagave dhe pensioneve ndërsa do të ketë një rishikim të buxhetit pas misionit të FMN-së, që do të synojë rialokimin e fondeve. Gjasat janë që të ketë një indeksim të pagave e pensioneve me normën e inflacionit.
Kreu i FMN-së dhe financave dolën në konferencë pasi të premten e kaluar, Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) përfundoi shqyrtimin e shtatë të performancës ekonomike të Shqipërisë, në kuadrin e një programi të mekanizmit mbështetës (EFF). Përfundimi i rishikimit u mundëson autoriteteve të tërheqin një shumë shtesë prej 28,65 milion SDR (rreth 36.1 milion €), duke e çuar tërheqjen totale në 209,49 milion SDR (rreth 263.700.000 €).

Edhe në njoftimin e FMN-së vihej theksi në përmirësimin e klimës së biznesit. Zëvendës Drejtor Menaxhues i parë dhe Kryetar i Përkohshëm i FMN-së theksoi sakaq se reformat e mëtejshme strukturore për të përmirësuar mjedisin e biznesit do të jenë kritike për forcimin e aftësisë konkurruese të Shqipërisë. Nga ana tjetër, ai përsëriti se dhënia e PPP-vë duhet vetëm pas një analize kosto-përfitime.
Shqipëria, sipas tij, duke të vijojë me angazhimin për konsolidimin fiskal, duke synuar zgjerimin e bazës tatimore, duke kufizuar përjashtimet nga taksat dhe forcimin e pajtueshmërisë dhe administrimit të së ardhurave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button