KronikaSporti

Reja pas ndeshjes në Uellsi: Paraqitja 0-0 pozitive, Selmani me personalitet, besoj se gjetëm një lojtar

Shqipëria barazon 0-0 në miqësoren me Uellsin në Cardiff, duke kaluar me sukses provën e parë të qershorit, me një pjesë të parë shumë më pozitive, sigurisht ndikuar nga fakti që kundërshtarët, pjesëmarrës në Europian, ndryshuan ritmin në fraksionin e dytë. Fillimi i ndeshjesh përligj termin miqësore, ritmi është nën mesatar me lojën që zhvillohet kryesisht në mesfushë. Për më shumë se çerek ore lojë duartrokitjet me të nxehta i meritoi Gareth Bale, që doli nga pankina duke bërë nxemje (13’). Rasti i parë i ndeshjes u shënua në minutën e 17-të, me Keidi Baren që dha një pasim të gjatë për Rey Manajn, i cili, pasi fiton duelin me Mepham, goditi fort, prirët me portën, por mbi tra.
Goditje këndi për Shqipërinë në minutën e 28-të, e ekzekuton Lenjani, por Ismajli nuk arrin të godasë me forcë drejt portës. Uellsianët tentojnë të rinisin një kundërsulm të shpejtë, e detyrojnë Ismajlin të ndërhyjë për karton të verdhë me faull taktit. Tension i tepërt në minutën e 38-të, kur pas një reagimi të Brooks ndaj Gjimshitit kryesori ndëshkon me karton të verdhë futbollistin vendës, por edhe Rey Manajn për shtyrjen që i dha një kundërshtari. Pas çaste më vonë (39’) i afrohen rrezikshëm zonës vendësit, por fatmirësisht devijimi i sulmuesit nuk ishte drejt portës. Pjesa e dytë nisi mes Shqipërinë që ushtron presion në gjysmëfushën e Uellsit, për të ardhur te minuta e 50-të, kur Gjimshiti provoi nga distanca, por pa shënjestrën e duhur.
I pahijshëm gjesti i Norrington-Davies në minutën e 58-të, që sjell reagimin e stolit kuqezi, pas shtyrjes që i dha Rey Manajt, duke rrezikuar lëndimin e Edy Rejas. Abrashi rrezikon autogolin me devijimin e tij në të 59-ën dhe pak çaste më vonë (61’) trajneri italian I Shqipërisë kreu dy zëvendësime, duke hedhur në fushë Cikalleshin dhe Trashin, respektivisht për Balajn dhe Lenjanin, ndërsa në fillim të pjesës së dytë Veseli mori vendin e Dokës.
Vjen dhe momenti i Gareth Bale, që hyn në fushë në të 71-tën për ndeshjen e 92-të me përfaqësuesen. Dy momente të rrezikshme të njëpasnjëshme në portën e Selmanit (75’), në rastin e parë Trashi korrigjon gabimin e tij në vendosje, duke i ndërhyrë në momentin e fundit kundërshtarit dhe më pas Selmani reagon bukur pas goditjes nga distanca të Neco Williams. Reja bën edhe tri zëvendësime të tjera, Qazim Laçi për Baren, Kallaku për Çekiçin dhe Seferi për Manajn. Uellsi e rrit ndjeshëm presion në fundin e sfidës, me lojën që bëhet më e ashpër, aq sa duhet ndërhyrja e kryesorit me kartonët e tij për të ulur gjakrat (83’). Asgjë nuk ndryshoi në minutat e mbetura, sfida përfundoi me rrjeta të paprekura, por që gjithsesi i ka vlejtur stafit teknik për sfidat e shtatorit në eliminatoret e Botërorit.
Edy Reja e vlerëson pozitivisht miqësoren me Uellsin,  duke pranuar që kuqezinjtë duhet të kishin bërë më tepër në fazën sulmuese. “Duhet të kemi parasysh që ekipi kundërshtar është i fortë. Nuk ishte e lehtë në pjesën e dytë, ata aktivizuan edhe një sulmues tjetër të fortë.
Në aspektin mbrojtës luajtëm mirë, por bëmë pak në sulm. Uellsi është një skuadër shumë e fortë. Duhet të ndryshojmë sjellje në kundërsulm, duhet të jemi më të shpejtë dhe më të saktë. Kemi bërë mirë në pjesën e parë, por në pjesën e dytë vuajtëm. Kur skuadrat kundërshtare bëjnë presing dhe çbalancohen, duhet të jemi të aftë të hidhemi në kundërsulm dhe t’i ndëshkojmë. Rezultati mbetet pozitiv, por edhe paraqitja mbetet pozitive.”
Vlerësimet për kuqezinjtë: “Balaj luajti mirë. Manaj dihet që është i mirë me topin, është një nga sulmuesit më të mirë që kemi. Më pëlqyen të katër sulmuesit. Selmani ishte debutues, por luajti mirë dhe tregoi personalitet. Edhe në topat e lartë ishte shumë mirë, besoj se gjetëm një lojtar të ri që mund të na shërbejë në të ardhmen.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button