Ekonomia

Rënia e Rezart Taçit

Rezart-Taçi-300x225Xhiro e kompanive të grupit në pronësi të Rezart Taçit ra me shpejtësi me mbi 70% në vitin 2013. Nga shkëlqimi i fundvitit 2012 në vitin e mbrapshtë 2013, ku të gjitha aksionet në pronësi të tij janë të bllokuara nga bankat…

Nga Ornela Liperi

Deri në fund të vitit 2012, kur ofroi 850 milionë euro për blerjen e kompanisë shtetërore të naftës, Albpetrol, Rezart Taçi konsiderohej si një ndër manjatët më të mëdhenj të naftës në vend, me plane të mëdha për të mbyllur ciklin nga prodhimi i naftës e deri te tregtimi me pakicë i saj.

Në vitin 2012, përmes kompanive të tij, Taçi Oil, Kuid dhe ARMO, Rezart Taçi realizoi një xhiro vjetore prej rreth 50 miliardë lekësh. Krahas biznesit të naftës, Taçi Group, vitet e fundit, ishte zgjeruar dhe në media, përmes blerjes së televizionit Alsat, tashmë i shndërruar në “Albanian Screen”, dhe në arsim, përmes shkollës private Nobel.

Por, 2013-a solli një kthesë të menjëhershme në aktivitetin e grupit. Grupi u tërhoq nga blerja e Albpetrol në fillim të 2013-s, pasi nuk arriti të derdhë në shtet shumën e ofruar.

Në gusht 2013, kuotat kryesore të një prej sipërmarrjeve të tij, ARMO, iu shitën kompanisë azere Heaney Assets Corporation (shiko shkrimin në vijim për ARMO-n). Sipas kontratës së shitblerjes së ARMO-s, u ra dakord midis dy palëve që “për një periudhë 5 (pesë) vjeçare, duke nisur nga data e kësaj kontrate, as Anika ( e motra e Rezartit) e as Rezarti nuk duhet të marrin pjesë, drejtpërdrejt a tërthorazi, apo të kenë interes financiar apo tjetër, në ndonjë person juridik që merret me rafinimin, shitjen ose shpërndarjen e naftës, gazit apo çdo produkti a shërbimi energjetik në Shqipëri”.

Kjo solli rënie të menjëhershme të aktivitetit të Taçi Oil, sipërmarrja kryesore e grupit. Sipas të dhënave të bilancit të kompanisë, xhiro e saj u tkurr me 72% në vitin 2013, nga 32.8 miliardë lekë, në 9.1 miliardë lekë.

Nga data 10 dhjetor 2013, Rezart Taçi është anëtar i Këshillit Drejtues të I.S.C. Petroleum Company, shoqërisë anonime që tregton markën, IT OIL (e cila zëvendësoi me shpejtësi pikat me pakicë të tregimit Taçi Oil rreth një vit më parë), por që nuk figuron ende në listën e VIP-ave.

Aktualisht, sipas një kërkimi në QKR, Rezart Taçi figuron si aksioner vetëm në kompanitë Albanian Petro Consulting (që është e çregjistruar që nga viti 2012; GROUP – 6. A.I., kompani ndërtimi pa shumë aktivitet, ku ka 20% të aksioneve, të cilat janë të sekuestruara nga kompania përmbarimore EPSA në nëntor 2013; BT International Engineering Services Limited & Arun Construction Joint Stock Company, ku zotëron 40% të aksioneve, të cilat gjithashtu janë bllokuar nga shoqëria përmbarimore EPSA në nëntor 2013.

Edhe në kompanitë TAÇI OIL INTERNATIONAL TRADING & SUPPLY COMPANY, ende nën pronësi 100% të Rezart Taçit, në nëntor 2013 është vendosur sekuestro konservative mbi kuotat e debitorit, si dhe mbi të drejtat që rrjedhin nga zotërimi i këtyre kuotave, duke ndaluar tjetërsimin ose disponimin e tyre, si dhe ushtrimin e të drejtave që rrjedhin nga këto kuota, sipas informacionit nga ekstrakti historik i kompanisë në QKR. Bllokimi, sipas dokumentave të QKR-së është bërë nga banka Raiffeisen, me objektin kthim kredie. Me të njëjtin argument janë bllokuar dhe aksionet e sipërmarrjes tjetër, Kuid, që realizonte tregtimin me pakicë të naftës së Taçi Oil sh.a.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button