Kronika

Repart bashkëkohor për RENEA-n, pas 30 vjetësh kanë më në fund të njëjtat kushte si forcat simotra në Europë

“107-vjetori i Policisë së Shtetit, vjen me finalizimin e projektit të repartit bashkëkohor për forcat policore të elitës, të cilat pas 30 vjetësh do të kenë më në fund të njëjtat kushte si forcat simotra në Europë”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në inaugurimin e ambienteve të reja të repartit të ri për forcat speciale “RENEA”.

“Në 13 janar 1913, më pak se dy muaj nga themelimi i shtetit shqiptar u formua institucioni i parë i Shqipërisë së pavarur, Policia e Shtetit. ‘Duhet të qërohen të tillë oficerë dhe të mësohet puna e xhandarmërisë dhe e Policisë në duart e ndershme e të stërvitura. Të zgjidhni xhandarë e policë me kujdes të madh, e një rregull të shtërnguar’. Kjo ishte  porosia e Ismail Qemalit që është një porosi që nuk ka datë skadence, sepse të qenurit në duar të ndershme dhe të stërvitura është ‘A-ja’ e çdo Policie Shteti dhe e kësaj Policie Shteti”, tha Rama.

Kryeministri tha se “i vjen jashtëzakonisht mirë që na jepet mundësia që 107 vjet nga formimi i Policisë së Shtetit t’u themi të gjithë efektivëve të përkushtuar dhe shembullor të RENEA-s se e shlyem një borxh ndaj tyre, duke u vënë në dispozicion më në fund pas 30 vitesh këtë strukturë që i shërben stërvitjes, mirëqenies profesionale dhe morale të tyre”.

“Për 30 vite rresht, të gjithë ata që janë angazhuar në forcat RENEA kanë dhënë shembuj të panumërt përkushtimi nga një lartësi profesionale dhe morale e admirueshme, që nuk janë shpërblyer sa dhe si duhet. Sot, RENEA ka në dispozicion një strukturë e cila është në çdo aspekt dhe në çdo standard e ngjashme me strukturat e forcae policore të elitës në vendet europiane”, tha Rama.

Ai kujtoi se RENEA u themelua me një akt të posaçëm në 12 shtator 1991 si pasardhëse e batalionit 326 antidemonstratë krijuar në vitin 1982, dhe në një moment kur diktatura e kishte marrë të tatëpjetën dhe pushteti i saj kishte rrëshqitur.

“Detyra e parë e atij grupi ishte të përndiqte grupimet e supozuara antiregjim ndërsa përgjatë vieteve ’80 detyra e posaçme e ‘326-s’ ishte të parandalonte çdo mundësi revolte kundër regjimit”, tha Rama.

“Sot jemi në një botë tërësisht tjetër dhe me sfida, qëllime dhe mundësi tërësisht të tjera.
E nëse sot kemi këtu një strukturë moderne për forcat e RENEA-s që nuk ka asnjë gjë të mangët në aspektin e kushteve krahasuar me strukturat e ngjashme në vendet europiane, deri një dekadë më parë kishim një repart ushtarak që në shkurt-mars ’97 përgatitej të sulmonte popullsinë civile në jugun e vendit, bashkë me brigadën e raketave, tankeve dhe artilerisë. Nuk ishte 100 vjet më parë por vetëm 20 vjet më parë”, tha Rama.

Ram tha se “nëse krahasimet me të shkuarën janë absolutisht tronditëse sot është koha për t’u marrë me të ardhmen dhe për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë duke u mbështetur pa asnjë luhatje tek kapacitetet njerëzore, profesionale dhe morale të forcave speciale”.

“RENEA është një forcë krenarie dhe një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë që tregon se është absolutisht e mudnur që ne të synojmë në të gjithë perimetrin e Policisë së Shtetit të kemi standarde sjelljeje profesionale të njëjta me ato të policive të vendeve europiane.
Përpara disa kohësh, një autoritet i huaj vizitoi forcat RENEA dhe gjatë takimit me të dëgjova fjalë të shkëlqyera. Sipas tij, nëse në kushtet optimale që tanimë janë të siguruara do të vendoseshin si të gjitha forcat e tjera të elitës edhe forcat RENEA, atëherë rezultetet do të ishin edhe më mbresëlënëse. Janë pikërisht rezultatet mbresëlënëse që ne presim të shtohen falë forcave RENEA dhe forcave të tjera speciale dhe në tërësi, angazhimit të Policisë së Shtetit”, tha Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button