Arte

Reportazh/Në fortesën e bardhë të Antipatreas

A thua të jetë bardhësia e venitur dhe e rreshkur  e kalldrëmit…?!!!

Berat-Kisha3

 Nga FLORA NIKOLLA

Në fakt ty…,  të mbetet vetëm të kundrosh…, kur kapërcen një portë të madhe e gjitha në gur në Berat.  

Sepse sheh një gjindje që t’i mbledh mendimet njëherazi pastaj t’i rrokullis furishëm brenda vetes për të thënë pa dashje mbi dhe nën buzë : Është një mrekulli …!!!     

Sa shpejt ndodh e gjitha kjo? 

Se di…!

Tani që shkruaj do të thoja në të qindin e sekondit …!

Gjendesh në një oborr murelartë, atë që specialistët e quajnë bazamenti i kullës kryesore të kalasë së Beratit që ndodhet në një qytet mbi 2400 vjeçar, në jug e në mes të Shqipërisë.  Paskësaj ballë për ballë ke Portën e Madhe …! 

Kështu je në një botë tjetër …!

Këtë pamje ta jep dlirësisht kalaja e lashtë e Beratit, e ngritur hijerëndë mbi një kodër. Ajo i rri mbi kurriz qytetit të “Një mbi një dritareve”, shtrirë në të majtë të grykës së lumit Osum. Pastaj, poshtë dhe në të djathtë, ka dy lagjet Mangalem dhe Goricë, nga më të vjetrat në qytetin mbi 2400-vjeçar…, një enciklopedi rrëfenjash dikur më erë jete.

-“E gjitha është vyrtyt”,- , thotë bashkëshoqëruesi im nën zë. -Të ndihesh i rrethuar nga lashtësia mistike dhe e gjallë…, vazhdon ai po nën zë.Kalaja  e Beratit

Ti shkel heshturazi mbi kalldrëmin e rreshkur në të bardhë të venitur. Syri ngec paskësaj në kalldrëmet, gurë më gurë, ndarë mes vedit me gjelbërim bari .

Jehona në kohë të shkuar tregon se ka qënë një vendbanim protourban, në shekullin e VII-V p.e.s, paskësaj edhe qytet kështjellë me mure që arrinin deri në 1.400 metra.

Një njeri, nga një dritare në një kat të dytë në një ndërtese me gure të bardhë …, si të vijë nga një kohe e shkuar, të fton zë-ngrohtë …për të pirë ujë të ftohtë e nje kafe turke të zier mirë. Poshtë kokës së tij, po sërish mbi një mur të bardhë është shkruar: Restorant tradicional…

Pastaj djathtas mbi një portë gjysmë harku shkruhet Market …

-Hëm… market …emër i huazuar nga një gjuhë latine …vendosur mbi një mur të lashtë …!!!

Bota duket se gjithnjë lëviz edhe përmes modës…, modë në veshje …, modë në politikë, në fjalë… në gjuhë… si kjo fjalë e shkruar … mbi një histori nga një pronar që ka trashëguar këtë shtëpi të këtij qyteti të shpallur nga UNESKO Pasuri Botërore.

Ky idil historik nuk rresht këtu. Në të mëngjër kanë nxjerrë për të shitur punime tradicionale të kësaj zone, e ndodhur në zgrip të jugut e të mesit të Shqipërisë. Kalaja  e Beratit (2)Qetësia, shtëpitë varg njëra pas tjetrës duken sikur vijnë nga një kohë tjetër, pa lidhje me shiun grindavec që ka nisur të zihet lart në qiell dhe as me zhurmën aty poshtë kalasë që lëshojnë nga të gjithë vrimat e mundshme njerëzit dhe makinat.

Tre burra në moshë … pijnë kafenë e pasdites. Pronari i lokalit , me mure të lashta, thotë se kalarinjët (kështu quhen banorët e kalasë) mblidhen zakonisht çdo pasdite në të njëjtën orë…

-Pijnë kafë e nga një gotë raki…, por jo rrallë atë të bekuarën raki e duan edhe me pak kole… , vijon ai. Pohon një ndodhi të përditshme … ndoshta e rrallë në jetën e përditshme në qytetet e mbushur me pluhur të zi makinash.

Ndoshta, është jehona e Antipatreas së vitit 216 p.e.s, apo Albanorum oppidium (fortesa e Arbërve) e pagëzuar kështu nga romakët kjo kështjellë.

Jehona e tyre të vjen e flashkët në kufinjtë e një dekade në një shekull të ri . Por, ja që ajo vjen dhe jeton dhe në këtë prag vjeshte. Me fllad erë mali si atëherë ajo vazhdon të jetë e rrethuar nga mure të larta, të ndara nga 24 kulla, si për të mbrojtur mijëra histori që i mban brenda saj. Në një gotë të bardhë, vera e butit lëshon tringëllima të argjëndëta …, në një pjatë koleja e famshme e Beratit …të ndjell me erën e erëzave që lëshojnë …

-Në Korçë ju thonë kolloface,- thotë kamarieri, një djalë rreth të 20- ave. Makina e parë në Berat është blerë rreth vitete 30 të shekullit të kaluar, nga një banor i kësaj lagjeje mistike ku sot numërohen mbi 100 shtëpi.

Kalaja  e Beratit (3)Në kishat e Onufrit

Barret pa fjalë në kurrizet e vockla që krijojnë guralecat e rreshtuara si hojëzë bletësh në Kala, këtë lagje që njihet aq mirë dhe për kishat e saj.

Askush nuk të thotë një numër të saktë … 25, 35 apo 40 ?! Një kalvar i gjatë historish dhe vuajtjesh mbajnë ato … si edhe shtëpitë e Kalasë.

Statistikat tregojnë se sot numuri i tyre duhet të jetë tek 21-shi.

Çapitesh në kalldrëmin e rreshkur nga koha si për të kursyer kohën që nuk do të iki brenda këtij mjedisi. Kisha e Shën Todrit, me afreskët e Onufrit i përkufizuar si novatori i artit bizantin, ikonat e Krishti Pantokrator, Gjon Pagëzori, Virgjëresha Mari, etj. Koha ndalet kur sheh veprat e mjeshtrit të ikonografisë mesjetare në Katedralen e Shën Mërisë apo dhe Muzeun e ikonave “Onufri”, një nga më të vizituarit në Berat dhe nga më të rëndësishmit në Shqipëri, apo pasuritë që ruan Muzeu Etnografik… Po befasitë që të zbulojnë “Kodikët e Beratit” ???

“Kodikët e purpurt të Beratit përbëjnë vërtet një pasuri të rrallë dhe ruhen si relike të çmuara”, na thotë zë plotë një kalarinj. Fjala është për Kodikun e purpurtë të Beratit, i cili është më i vjetri dhe i takon shekullit VI pas Krishtit. Ai përfaqëson një nga kopjet e vetme në botë që arkeologu dhe bizantinologu P. Batifol, më 1885-n e quajti “Codexs Purpureus Beratinus 0″ (Kodiku i purpurt i Beratit).

Të krishterët e Beratit e kanë pagëzuar si “Ungjilli çudibërës i Shën Gjergjit”. Berat-KodikuKy kodik besohet si një autograf i Shën Joan Kristostomit (Gojartit), kryepeshkopit të Kostadinopojës (Stambollit) 347 – 407, që iu fal qytetit të Beratit së bashku me dorëshkrime të tjera të shenjta, prej arhondit beratas Skuripeq në mbarim të shek. të XIII. Kodiku në fjalë ka 190 fletë.

Po veç këtij është dhe Kodiku i artë ose kodiku i dytë i famshëm, i cili është më i madhi kodik i shenjtë pergamenor i Beratit me 413 fletë dhe me kapakë të argjendtë të larë në flori dhe me shkronja ari të tretura.

Brenda kësaj sipërfaqe prej 9.6 ha të kalasë ndodhen edhe Sarajet turke, rrënojat e dy xhamive, sternat e ujit të quajtura Saranxha, sheshi i Sallabandës, sheshi i quajtur fusha e madhe etj.

Katër porta komunikimi përmbyllin të gjithë këtë mjedis mbushur me rrugica të ngushta dhe ndjellëse. Nuk rresht së ecuri ndër to teksa majtas dhe djathtas sheh kopshte, baçe, shtëpi banimi . Paskësaj kur kalon portën juglindore futesh në një oborr të fortifikuar… Përpara ke sërish një portë e dytë. Dhe pikërisht në murin ballor të saj, në anën e djathtë të një harku ndodhet një monogram me tulla të kuqe që i përket ndërtimeve bizantine të vitit 1204. Berat-Kisha (1)I ndërtuar ashtu si i gjithë kompleksi mbrojtës nga Despoti i Epirit Mihal I Porta, me monogramin në formë kryqi me inicialet M.K., edhe sot ruan po këtë emër “Porta e Mihal Komnenit”. Por, në një kthesë rrugë, si të hapësh e të mbyllësh sytë, të shfaqen rradhazi katër kisha: Shën Mëria e Vllahernës një kishë e shekullit të XIII-të, aty ku Nikolla, djali i Onufrit, ka lënë këtu disa afreske për të vijuar me kishat e Shën Thanasit, Shën Kollit, Shën Andonit. Kostandini i Madh të shfaqet në një bust vendosur pranë murit të kishës së Shën Konstandinit dhe nënës së tij, Shën Helenës. Koha e ndërtimit, viti i largët: 1639. Breza studiuesish kanë folur shumë mbi veprat e Onufrit të madh që nga shumë syresh besohet se ka lindur në këtë lagje… Edhe në mos qoftë e vërtetë e gjithë kjo mori veprash të bën të besosh se mjeshtri dhe djali i tij kanë kaluar jo pak nga jeta e tyre në këtë ambient mistik. Pikërisht këtu, Onufri i madh, ia ka vendosur Shën Mërisë Jezusin në krahun e djathtë !!!

BeratiDiell qe ikën mbi kala…

Xhoni, një turist londinez ka ditë që ka ardhur në Berat … Pasditet i kalon në kala… Aparatin e ka patur mikun e tij më të ngushtë gjatë këtyre ditëve … Në të ka foto nga Parku Kombëtar i Tomorit, Rezervati i Bogovës, Kanionet e Osumit …, bukuri që ofron Berati një copë udhë që këtu.

“Kam shkuar dhe kam ardhur brenda ditës …, sepse dua që diellin kur ikën dua ta shijoj që këtej”, thotë Xhoni, mësues historie i cili ka tre vite që nuk i ndahet çdo verë qytetit mitik të një mbi një dritareve.

Është i ngazëllyer se “UNESKO e tha fjalën e saj, për Beratin me kalldrëmet e lagjes “Mangalem”, për gurët e sokakut ku plakat pinë kafe pasditeve, për dritaret e panumërta dhe shtëpitë dykatëshe të lyera me gëlqere. “E dua Beratin se është qytet i bardhë”, tha ai teksa shihte diellin që binte nën Kala.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button