Republika e Prokurorëve nuk është vetëm një metaforë
Nga Gjon Ndrejaj
Kam punuar mbi 45 vjet në sektorin e financës dhe auditimit dhe për një pjesë të konsiderueshme të kësaj periudhe kam mbajtur pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Auditimit. E njoh nga brenda logjikën e hekurt të Thesarit të Shtetit, sipas të cilës asnjë transaksion nuk kalon pa qenë tërësisht i përputhur me ligjin. Kjo që po ndodh, midis Ministrisë Financave dhe gjyqësorit dhe brenda vetë gjyqësorit, është e pashembullt. Prandaj, kur ndjek debatin e ashpër mes tyre për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, më duket se shumë analistë po e kërkojnë fajtorin në vendin e gabuar. Në këtë ndeshje të pazakontë unë nuk dua të marr pozicionin e arbitrit dhe as nuk synoj të jap një verdikt gjyqësor mbi konfliktin, por të argumentoj, nga këndvështrimi i financave publike dhe ligjshmërisë buxhetore, se ku qëndrojnë kufijtë e kompetencave të secilit institucion.
Gjithçka nis nga vendimi nr. 15, datë 17 shkurt 2026, i Gjykatës Kushtetuese, i cili përcaktoi mënyrën e re të përllogaritjes së pagave të magjistratëve. Ky vendim i ngarkoi Kuvendit një detyrim të prerë; të miratonte ndryshimet e nevojshme ligjore deri më 31 korrik 2026. Ky afat nuk ishte evaziv por i prerë. Me fjalë të tjera, pas 31 korrikut, formula e vjetër e pagave nuk mund të prodhonte më efekte juridike. Por Kuvendi nuk e përmbushi këtë detyrim, projektligji u depozitua, por nuk u miratua brenda këtij afati dhe nuk është miratuar as sot. Dhe pikërisht këtu lindi vakumi ligjor që bllokoi gjithçka. Pavarësisht nga rezervat, vendimi GJK është i padiskuteshëm , habia ime qëndron në historitë që e pasuan këtë vendim. Këtij “zjarri” i hodhën bezninë, vendimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të miratuara në fund të gushtit 2026. Këto insitucione vendosën që paga referuese bazë e magjistratëve të rritej në 222.425 lekë, nga 156.800 lekë që ishte më parë, plus 14 mijë lekë shtesë për nivelin e kualifikimit. Ky vendim që vjen në fund të katërmujorit të dytë, si periudhë buxhetore. Në përvojën time profesionale është ndër vendimet më të pazakonta që kam hasur. Kjo më kujtoi një thënie të një shkencëtari të dëgjuar; “Përse kirurgut nuk guxon kush t’ja prekë bisturinë, ndërsa ekonomistit ja rrëmbejnë lapsin nga dora dhe me lehtësi provojnë të bëjnë operacione të guximshme”….
Këto vendime në mungeë të bazës nevojshme ligjore dhe buxhetore janë juridikisht të konstestueshme dhe nuk mund të prodhojnë efekte financiare pa ndërhyrjne e ligjvënësit . Kjo sepse sistemi dhe piramida e pagave në Republikën e Shëipërisë janë ekskluzivitet i Kuvendit të Shqipërisë dhe të askujt tjetër.
Buxheti dhe Thesari.
Për masën e gjërë të lexuesve, e ndjej të nevojshme të bëj një shpjegim të thjeshtë mbi atë se çfarë përfaqson Buxheti dhe Thesari, si organizma financiarë. Sipas Ligjit nr. 9936/2008 “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor” neni 3 i tij: “Buxhet është tërësia e të ardhurave, shpenzimeve dhe financimeve të qeverisjes qendrore e vendore dhe të fondeve speciale, të cilat miratohen me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë.” Gjëja e parë që marrim vesh nga ky përkufizim është se buxheti, ligji dhe Kuvendi i Shqipërisë janë një e tërë dhe i pandarë.
Kësisoi Buxheti nuk mund të jetë një “thes” i vetëm, i lënë në mes të rrugës, ku çdo kush sipas nevojës mund të fusë dorën dhe të marrë shuma të caktuara, apo një arkë ku njësitë shpenzuese mund ta përdorin sipas dëshirës. Buxheti është një shumë parash rigorozisht e përcaktuar me ligj, e destinuar të shpenzohet nga Njësitë e Qeverisjes së Përgjithshme (Ministritë dhe institucionet qendrore) ; sipas programeve buxhetore (që përfshijnë rreth 85 programe) ; sipas natyrës ekonomike; (paga sigurime shoqërore, shpenzime operative investime treansferta etj). Ai është i përcaktuar gjithashtu në kohë ( vjetor, katërmujorë) që do të thotë se, këto shuma nuk shpërndahen të gjitha në fillim të vitit por janë të përcaktuara saktësisht në kohë, se kur mund të shpenzohen. Ky klasifikim është rreptësisht i përcaktuar jo për arsye burokraktike apo administrative por sepse ai shpreh prioritetet dhe politikat qeverisëse për menaxhimin e kontributit të taksapaguesve dhe ruan ekuilibrat buxhetorë dhe treguesit makroekonomikë të ekonomisë .
Ndërsa sistemi i thesarit paraqitet si; “Tërësia e rregullave dhe e procedurave, si dhe struktura organizative përkatëse, e ngarkuar për ekzekutimin e buxhetit, administrimin e mjeteve monetare, sipas klasifikimit buxhetor, mbajtjen e llogarive dhe raportimin financiar të qeverisjes së përgjithshme.” Në mbështetje të funksionit që ka për ekzkutimin e buxhetit, Thesari kryen kontroll parandalues, të detyrueshëm përpara çdo pagese.
Kryerja e pagesave nëpërmjet Thesarit kërkon një autorizim të detyrueshëm. Thesari nuk është një arkë pasive, por një filtër aktiv. Të gjitha shpenzimet e buxhetit të shtetit, qoftë për organet qendrore apo vendore, “kryhen me autorizimin dhe pas kontrollit nga Degët e Thesarit”. Pa këtë autorizim,dhe pa kontroll paraprak nga dega e Thesarit asnjë pagesë nuk mund të procesohet.
Që të kryhet pagesa ajo duhet të jetë e bazuar në Ligj; Thesari “administron paratë publike dhe mund të paguajë vetëm detyrime të mbështetura në ligj, në buxhet dhe në aktet që prodhojnë pasoja financiare sipas Kushtetutës”. Ky është kufizimi i tij themelor; ai nuk mund të paguajë diçka që nuk ka një bazë të qartë ligjore dhe buxhetore.
Përkufizimi i mësipërm dhe përmbajtja e funksioneve të tij e shpjegon dhe e përligj faktin se përse Thesari i Shtetit, shpesh quhet si “gardian” i buxhetit apo “qen-roje”(Whatchdog). Kjo sepse edhe më tej ai është një instrument i krijuar me qëllimin e vetëm për të ruajtur , mbrojtur e respektuar shpenzimin e parave publike sipas klasifikimit buxhetor. Kështu ai nuk është dhe nuk mund të jetë një gjykatë e dytë kushtetuese dhe as civile dhe nuk ka mandat të vlerësojë drejtësinë e një vendimi gjyqësor, as të interpretojë kushtetutshmërinë e një akti. Detyra e tij është thjesht të verifikojë nëse transaksionet kanë bazë ligjore dhe janë në përputhje me klasifikimet e mësipërme buxhetore dhe ti t’i procesojë atë. Kur kjo bazë mungon, Thesari nuk autorizon kryerjen e pagesës. Nga ana tjetër duhet të kemi parasysh se në çdo moment të vitit, Thesari ka në dispozicion vetëm atë pjesë të buxhetit vjetor që është i lirë të lëvrohet për periudhën aktuale. Askush nuk mund të tërheqë fonde nga një program buxhetor në tjetrin, mbi kufirin e përcaktuar, apo nga periudhat e ardhshme , pa një akt të veçantë ligjor, pa autorizimin e atyre që ligji ju ka rezervuar posaqërisht këtë kompetencë. Dhe të gjitha këto janë të rregulluara me ligj deri në detaje.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se “refuzuam të hapim dyert e thesarit të shtetit pa vendim Parlamenti”. Kur tha këtë, ai nuk tregoi një një akt arbitrar pushteti të tij individual por përcolli mesazhin se po zbatonte parimin më elementar të së drejtës buxhetore sipas të cilit; pa ligj, nuk ka shpenzim. Argumenti ishte i qartë; listëpagesat ishin paraqitur “me një metodologji të ndryshme nga ajo në fuqi” dhe pagesat nuk mund të procesoheshin pa një ligj të ri që autorizonte pagesën. Është kjo arsyeja që Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar Kuvendin të hartojë një ligj lidhur me ndryshimet e nevojshme për pagat e magjistratëve. GJK ju drejtua Kuvendit pikërisht se e çmoi se ishte i domosdoshëm hartimi i ligjit dhe se ky është i vetmi mekanizëm për të zbatuar vendimin e GJK.
Roli i Thesarit si gardian i buxhetit, nuk është metaforik por është real i përcaktuar me ligjjin nr. 9936/2008 , në ligjin vjetor të buxhetit dhe në ligjet që reflektojnë ndryshimet buxhetore gjatë periudhës si dhe në udhëzimet e Ministrisë së Financave. Pa këtë rol të Thesarit, buxheti do të ishte një dokument pa vlerë. Thesari është muri i fundit mbrojtës i ligjit buxhetor. Ai nuk është as aleat i ekzekutivit, as armik i gjyqësorit. Ai është thjesht një organ ekzekutues, që vepron vetëm kur ekziston një bazë ligjore.
Problemi konkret për rastin në fjalë është ky; buxheti i miratuar për vitin 2026 ishte llogaritur mbi bazën e pagave të vjetra. Asnjë ndryshim buxhetor gjatë periudhës , nuk parashikonte një rritje të tillë. Sipas Ministrit të Financave, kërkesat për rritje të pagave të magjistratëve do të kishin një efekt prej rreth 40 milionë eurosh në vit, ndërsa rishikimi i pagave për periudhën 2023–2026 do të kërkonte edhe 125 milionë euro të tjera. Kjo do të thotë se në zërin “paga” normalisht, nuk kishte fonde të mjaftueshme për të përballuar pagesat e Gushtit me pagat e reja. Limiti i atij zëri ishte llogaritur mbi pagat e vjetra, dhe fondet e katërmujorit nuk mund të rriteshin pa një ligj të ri, i cili të alokonte edhe burimet për ta përballuar këtë angazhim.
Por dikush natyrshëm mund të pyesë: Përse Thesari nuk i kaloi fondet e nevojshme nga zëri i investimeve apo i shpenzimeve operative në zërin e pagave? Përgjigja është e thjeshtë dhe e prerë: kjo është e ndaluar me ligj. Buxheti miratohet nga Kuvendi me destinacione të caktuara. Çdo zë ka një qëllim specifik dhe një limit të caktuar, ato në tërësinë e vet shprehin politikën e qeverisë. Kalimi i fondeve nga një zë në tjetrin , i quajtur transferim fondesh midis zërave buxhetorë, kërkon një akt të veçantë ligjor, zakonisht një vendim të Këshillit të Ministrave të miratuar me propozim të Ministrisë së Financave, dhe në raste të caktuara edhe miratimin nga Kuvendi kur ndryshimet prekin klasifikimin institucional (Njësitë e Qeverisjes Përgjithshme)
Në praktikën buxhetore shqiptare, transferimet midis zërave janë të rregulluara rreptësisht. Ligji nr. 9936/2008 dhe udhëzimet e Ministrisë së Financave, përcaktojnë se fondet e alokuara për një kategori shpenzimi nuk mund të përdoren për një kategori tjetër pa një akt të posaçëm autorizimi.
“Republika e Prokurorëve”: Metaforë apo Realitet?
Vendimet e KLGJ dhe KLP për rritjen e pagave të magjistratëve, pavarësisht se këto vendime janë të kontestueshme juridikisht dhe nuk sjellin pasoja jurdike pa ndërhyrjen e ligjvënësit , sepse burimet për të përballuar këtë rritje, mund të bëhen vetëm me ligj. Në fund të fundit këto vendime, janë modeli më i qartë se, “Republika e Prokurorëve” nuk është thjesht një metaforë por një realitet i pretenduar. Imagjinoni për një moment sikur të gjitha Njësitë e Qeverisjes së Përgjithëshme të ngriheshin e të merrnin vendime për rritjen e shpenzimeve buxhetore, për paga apo qoftë edhe për investime apo shpenzime operative, përtej limiteve të përcaktuara në ligjin vjetor të buxhetit? Në një Republikë normale ndryshimi i buxhetit bëhet me ligj por në “Republikën e Prokurorëve” ligji janë vetë ata…Por magjistratët nuk duhet të harrojnë se qëndrimi dhe vendimet e tyre bien ndesh me një parim bazë moral dhe teknik; “Nemo judex in causa sua”…. (Askush nuk mund të jetë gjykatës në çështjen e vet).
Kallëzimi penal dhe mbledhja e gjyqtarëve kanë marrë përmasa groteske. Ato kanë rikthyer në qendër të debatit publik, një term që prej vitesh qarkullon në diskursin politik shqiptar si “Republika e Prokurorëve”. Fillimisht i përdorur për të përshkruar perceptimin e pushtetit të pakontrolluar të prokurorisë, sidomos pas reformës në drejtësi, ky term tani po përdoret për të përshkruar edhe veprimet e gjyqësorit në këtë konflikt. Ajo që po ndodh tani e bën këtë debat më të rëndësishëm se kurrë. Kur gjyqtarët kallëzojnë penalisht një ministër sepse ai zbaton ligjin; kur KLP-ja dhe KLGJ-ja marrin përsipër të përcaktojnë vetë pagat në mungesë të ligjit, kur Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve kërcënon me bojkot të plotë të drejtësisë, këto veprime, pavarësisht nga qëllimi i tyre, krijojnë përshtypjen e një pushteti gjyqësor që vepron jashtë kornizës së kontrollit institucional. Dhe pikërisht kjo është ajo që termi “Republika e Prokurorëve” synon të kapë, ndjenjën se një degë e pushtetit ka grumbulluar aq shumë fuqi saqë nuk ndihet e detyruar të respektojë rregullat e përbashkëta.
Nëse ka një moment që e kthen një mosmarrëveshje institucionale në një konflikt të hapur pushtetesh, ai është kallëzimi penal i depozituar në SPAK më 8 shtator 2026. Njëzet nëpunës autorizues të gjykatave në të gjithë vendin, së bashku me kryetarët e Unionit të Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve, kallëzuan penalisht ministrin e Financave Petrit Malaj, sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Financave dhe drejtuesit e 16 degëve të Thesarit të Shtetit. Kallëzimi lidhet me mospagesën e pagave për muajin gusht 2026 dhe kërkon hetimin për tre vepra penale, përfshirë shpërdorimin e detyrës dhe pengimin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore.
Në këndvështrimin tim, ky kallëzim përbën një formë presioni institucional ndaj një organi ekzekutues që, siç e kemi argumentuar, nuk ka bërë asgjë tjetër veçse ka zbatuar ligjin. Ministri Malaj e ka formuluar këtë paradoks me një thjeshtësi të prerë: “Të kallëzohesh sepse po zbaton ligjin, nga garantët e barazisë para ligjit!”. Dhe ka të drejtë, Thesari nuk mund të krijojë angazhime buxhetore pa bazë ligjore. Kur Kuvendi nuk e miratoi ligjin brenda afatit kushtetues të 31 korrikut, Thesari mbeti pa autorizim për të vepruar. Kallëzimi penal nuk e ndryshon këtë realitet juridik; ai thjesht shton presion mbi një organ që tashmë vepron brenda kufijve të ligjit.
Një ditë më vonë, më 10 shtator 2026, Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë u mblodh në mënyrë të jashtëzakonshme në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në përfundim të punimeve, ajo miratoi një deklaratë zyrtare që kërkonte “zhbllokimin e menjëhershëm dhe pagesën pa asnjë vonesë të pagave të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore”. Deklarata theksoi se situata “nuk përbën një mosmarrëveshje të zakonshme financiare dhe as një konflikt për privilegje”, por “prek drejtpërdrejt autoritetin e Kushtetutës, forcën detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, pavarësinë e pushtetit gjyqësor”.
Më tej, gjyqtarët paralajmëruan se nëse institucionet përgjegjëse nuk veprojnë menjëherë, “masat e ndërmarra nga pushteti gjyqësor do të përshkallëzohen deri në reduktimin dhe kufizimin përkohësisht të veprimtarisë gjyqësore, vetëm në shqyrtimin e çështjeve me natyrë urgjente”. Edhe pse me ligjet e kësaj Republike ata nuk mund ta ndërpresin për asnjë arsye veprimtarinë e gjykatës, në këtë rast ata po veprojnë sipas kodeve të “Republikës së Prokurorëve” , që tashmë duket se e ka marrë formë… Ky është një ultimatum i hapur ndaj ekzekutivit dhe legjislativit, duke kushtëzuar zhbllokimin e pagave, ose sistemi i drejtësisë hyn në një bojkot të plotë që do të paralizojë shërbimin ndaj qytetarëve.Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë.
Ky nuk është vetëm një sulm ndaj ekzekutivit si institucion por një paralajmërim për përshkallëzimin e veprimeve që, pavarësisht nga justifikimi i tyre, e vendosin gjyqësorin në pozicionin e një aktori politik, që përpiqet të imponojë vullnetin e tij mbi organet e tjera kushtetuese por kjo është e rrezikshme për ekuilibrin e pushteteve.
Përgjegjësia e vetme është e Kuvendit të Shqipërisë
Nëse duhet të kërkojmë përgjegjësinë institucionale për krijimin e kësaj situate, vëmendja duhet të drejtohet para së gjithash te Kuvendi. Ai kishte detyrimin për të miratuar ndryshimet ligjore brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Projektligji u depozitua, por nuk u miratua në kohë. Kuvendi e dinte se vendimi i Gjykatës Kushtetuese kërkonte ndërhyrje ligjore. E dinte gjithashtu se ndryshimi i pagave do të kishte një efekt të konsiderueshëm financiar. Megjithatë, nuk u krijuan në kohë kushtet ligjore dhe buxhetore që do t’i mundësonin Thesarit të ekzekutonte pagesat sipas skemës së re. Prandaj, Thesari nuk duhet parë si pengesa e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai është pjesë e mekanizmit që zbaton ligjin buxhetor të miratuar nga vetë Kuvendi. Detyra e tij është të respektojë limitet, afatet, klasifikimin dhe procedurat buxhetore, edhe kur kjo sjell tension me institucione të tjera.
Pa këtë rol, buxheti i shtetit do të ishte një dokument pa forcë reale dhe llogaridhënia publike do të dobësohej ndjeshëm. Kjo është arsyeja pse zgjidhja nuk gjendet duke sulmuar Thesarin. Zgjidhja gjendet te Kuvendi, ai duhet të përmbushë detyrimin e tij kushtetues dhe të miratojë bazën ligjore të nevojshme, duke përcaktuar edhe burimet financiare përkatëse.
Nëse ligji parashikon efekte për periudhat e mëparshme, duhet të përcaktojë qartë edhe mënyrën e financimit dhe të rialokimit të fondeve. Vetëm pasi të ekzistojë baza e plotë ligjore dhe buxhetore, Thesari mund të kryejë pagesat për periudhën përkatëse.
Pra, pyetja kryesore nuk është: “Përse Thesari nuk paguan?” Pyetja e vërtetë është: “Kush duhet të krijojë bazën ligjore dhe buxhetore që Thesari të mund të paguajë?” Përgjigjja, sipas logjikës së sistemit tonë kushtetues dhe buxhetor, është e qartë; Kuvendi i Shqipërisë.
Çdo përpjekje për ta detyruar Thesarin të veprojë jashtë bazës ligjore do të ishte një goditje ndaj parimit të ligjshmërisë buxhetore. Dhe çdo përpjekje për ta bërë Thesarin përgjegjës për një vakum që ai nuk ka kompetencë ta zgjidhë do të thotë të ngatërrosh rolin e ekzekutuesit me atë të ligjvënësit. Në fund të fundit, kjo nuk është vetëm një çështje pagash. Është një provë për mënyrën se si funksionon ndarja e pushteteve në Republikën e Shqipërisë. Është një provë për Kuvendin, për ekzekutivin dhe për gjyqësorin.
Dhe mbi të gjitha, është një provë për shtetin e së drejtës. Nëse çdo institucion respekton kompetencën e vet, kriza zgjidhet me ligj. Nëse secili institucion përpiqet të zgjidhë vetë edhe atë që nuk i takon, atëherë metafora e “Republikës së Prokurorëve” rrezikon të mos mbetet më vetëm metaforë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.