Zjarret në Kavajë, nënkryetari i Bashkisë për RTSH24: Ka nisur verifikimi i dëmeve. Certifikatat e pronësisë pengojnë dëmshpërblimin
Nënkryetari i Bashkisë së Kavajës, Baki Dervishi, në një intervistë për RTSH 24, ka folur për situatën e zjarreve gjatë verës, dëmet e shkaktuara, kapacitetet e kufizuara të shërbimit zjarrfikës, por edhe për nevojën e ndryshimeve në reformën territoriale.
Dervishi tha se dëmet kryesore nga zjarret janë regjistruar në bujqësi, pemëtari, ullishte dhe sipërfaqe pyjore. Sipas tij, bashkia ka kryer disa verifikime në terren për të evidentuar dëmet, por procesi i dëmshpërblimit, përballet me pengesa ligjore dhe administrative, veçanërisht për shkak të mungesës së dokumentacionit të pronësisë.
Sipas tij, nevojitet rishikimi i procedurave në mënyrë që qytetarët e prekur nga fatkeqësitë natyrore të mund të përfitojnë realisht nga skemat e dëmshpërblimit.
“Ka pasur dëme që janë lidhur vetëm me pjesën e bujqësisë më shumë sesa blegtorisë. Ka pasur probleme me pemëtarinë, ullishtet dhe sipërfaqe pyjore dhe nuk kemi pasur probleme njerëzore apo probleme të mëdha, siç mund të ishin djegia e stallave. Problemi kryesor është sensibilizimi i njerëzve. Normalisht njerëzit duhet të sensibilizohen dhe duhet të kenë kujdes shumë, qoftë edhe në hedhjen e një cigareje në tokë. Katër herë rresht kemi bërë verifikime të tilla dhe bilance të tilla se çfarë problemesh ka shkaktuar zjarri, por ligjet kanë ca ngërçe që lidhen me pjesën e pajisjes me certifikatë pronësie apo pjesën e deklarimit të aseteve që sot zotërojnë fshatarët”, tha ai.
Lidhur me reformën territoriale, Dervishi tha se ndryshimet nuk duhet të fokusohen vetëm te bashkimi i njësive apo hartat administrative, por te mënyra se si ofrohen shërbimet për qytetarët.
“Reformat territoriale nuk kanë në thelb vetëm bashkimin e dy hartave dhe zmadhimin e një bashkie të caktuar apo buxhetin e një bashkie të caktuar. Reforma territoriale duhet të bazohet te pjesa e shërbimit që ne duhet t’i japim qytetarëve. Ne duhet t’i ofrojmë shërbime qytetarëve. Ofrimi i shërbimeve qytetarëve vijon që nga pjesa e njësive administrative. Si mund të garantohet që banorët e njësive administrative Golem, Synej, Helmës të kenë shërbimet afër tyre, duke i dhënë më shumë kompetenca njësive administrative?” tha ai.
Dervishi foli për projektin e stadiumit të Kavajës. Ai tha se projekti është miratuar prej rreth një viti dhe se procedura për përzgjedhjen e kompanisë zbatuese pritet të përfundojë gjatë muajit shtator. Dervishi shprehu shpresën se procedurat do të përfundojnë sa më shpejt, duke theksuar se stadiumi është i rëndësishëm jo vetëm për Bashkinë e Kavajës, por edhe për qytetarët dhe klubin e futbollit Besa.
“Një javë u mbajt mbledhja e fundit ku u hodh për përzgjedhjen e kompanive. Besoj deri në dy javët në vazhdim apo deri në fund të muajit do kemi një përzgjedhje të kompanisë e cila do ta fitojë tenderin. I vetmi problem që akoma stadiumi nuk ka filluar është zbardhja e lejes në Agjencinë e Zhvillimit të Territorit. Kjo nuk është në dorën tonë”, tha ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.