Revolucioni proletar i së djathtës
Nga Stiljan DEDJA
Ngjarjet e sotme në Shqipëri, ku dhuna mbizotëron kudo në ambjentet politike shqiptare, të kujtojnë teorinë e famshme të Marksit dhe Leninit mbi “Revolucionin proletar, teorinë e luftës së klasave, si dhe atë të kalimit, apo marrjes së pushtetit me dhunë,me anë të përmbysjes së klasave sunduese nëpërmjet klasës punëtore apo proletariatit”.
Kjo teori famëkeqe që solli përmbysjen e shtresës borgjeze dhe kapitaliste në shumë vendeve të Europës dhe botës, bëri të mundur vendosjen e sistemit socialist në këto shtete. “Revolucioni proletar” i tetorit të Leninit më 1917 solli përmbysjen e sistemit carist në Rusi dhe vendosjen e diktaturës së proletariatit në të. Ndryshimi nga sot, qëndron në faktin, se kjo përmbysje u realizua nëpërmjet dhunës së ushtruar nga klasa punëtore apo bolshevike në Rusi, apo siç quhet dhe “revolucioni tetorit”, gjë e cila bëri të mundur që pushteti në Rusi të kaloj në duart e klasës punëtore dhe fshatare. Kjo përmbysje e klasës borgjeze dhe kapitaliste, solli shkatërrimin e pronës private dhe vendosjen e pronës së përbashkët, apo socialiste në këtë vend. Kjo përmbysje sistemi, kaloi në një reaksion zinxhir dhe u përqafua nga disa vende lindore në Ballkan si dhe gjithashtu edhe në vendin tonë. Teoria e Leninit, e ndryshimit të sistemit nëpërmjet dhunës, së proletariatit, sot është një teori e dështuar dhe e pazbatueshme pothuajse në asnjë vend sot në Europë dhe në Botë. Dhuna tashmë është një opsion i dështuar dhe i papranueshëm. Sot në botën demokratike për ndryshimin e pushteteve, si opsion i drejtë, qëndron vetëm sistemi demokratik i zgjedhjeve, dmth kalimi i pushteteve nëpërmjet votës së lirë popullore dhe jo nëpërmjet dhunës. Kjo praktikë tashmë është e vjetruar dhe i përket të së shkuarës. Nuk mund të ketë asnjë argument të pranueshëm që të justifikojë ndryshimin e qeverisë nëpërmjet forcës por gjithmonë ngelet vetëm variant i zgjedhjeve demokratike, ai i ndryshimit të pushteteve vetëm nëpërmjet votës së lirë të popullit sovran.
Tentativat e sotme të së djathtës, janë një rrugë e tejkaluar e marrjes së pushtetit, që bota demokratike sot nuk e pranon si një opsion të drejtë. Opozita e sotme po përdor rrugën leniniste të marrjes së pushtetit, me anë të forcës, bllokimit, abstenimit dhe djegies së mandateve, si dhe mos lejimin e të tjerëve të votojnë, e cila është një e drejtë kushtetuese e çdo qytetari. E djathta sot me opsionin që përdor dhe zbaton, në asnjë mënyrë nuk mund të quhet e djathtë demokratike, por vetëm një mbeturinë ekstremiste leniniste. Djegia e shkollave, bllokimi i rrugëve, apo bojkotimi i çdo gjëje, nuk janë opsione të një të djathte demokratike, por janë një opsion i një partie proletare e Marksit dhe Leninit. Kjo ndodh edhe për faktin, se të gjithë ata që drejtojnë partitë e djathta sot në Shqipëri, janë pasardhëse të partive të Enverit dhe të Leninit. Ata nuk janë në gjendje të pranojnë asnjë variant tjetër përveç atij të dhunës ndaj institucioneve, të braktisjes së tyre, apo të pengimit të zgjedhjeve dhe proceseve demokratike sot në Shqipëri. E keqja dhe e vjetra, janë hedhur sot, në një agresivitet dhe në një dhunë të paparë, kundër institucioneve zgjedhore.
Me përgjime të sajuara dhe ngjarje të trilluara, të cilat janë mjete të sistemit Enverian, ata kanë si synim të marrin pushtetin në tavolinë dhe jo nëpërmjet rrugës demokratike: asaj të votës popullore. Kjo që po ndodh sot në Shqipëri, me protagonist opozitën shqiptare, po dëmton rëndë imazhin e vendit në Europë dhe në botë, duke penguar vazhdimin e rrugës demokratike të saj drejt Europës.
Djegia e shkollave është një akt i paprecedent dhe ka habitur të gjithë njerëzit e kulturuar dhe të thjeshtë në mbarë botën. Në krijimin e kësaj situate, nuk kanë gisht vetëm përçuesit e teorive të vjetra të Enverit dhe Leninit, por edhe keqdashësit e Shqipërisë, të cilët nuk e duan integrimin e vendit në bashkimin europian, por duan vetëm të zhvatin çfarë të jetë e mundur nga Shqipëria. Besoj që nuk do të jetë e largët dita, që këta Leninstë dhe karrigedashës, do të japin llogari për të këqijat që po i bëjnë vendit të tyre, për arsye meskine dhe pushtetdashëse. Gabimet dhe korrupsioni qeveritar, në asnjë mënyrë nuk mund të shërbejnë dhe nuk mund të jenë një opsion, për prishjen e rregullave demokratike, atyre të marrjes së pushtetit vetëm me anë të votës.