Roshniku i 5 kryeministrave të Perandorisë Osmane, mes 100 fshatrave turistikë
Roshniku është kthyer në një nga pikat turistike më të frekuentuara në rrethin e Beratit.
Tashmë ky fshat është radhitur në listën e 100 fshatrave turistik që do të marrin prioritet në zhvillimin e tyre.
Ka një bukuri të rrallë natyrore. Kushtet e favorshme klimatike i kanë falur kësaj zone e këtij fshati një gjelbërim të përhershëm. Kjo ka sjellë që produktet bujqësore me në krye vreshtarinë, të jenë nga më të kërkuarat në treg.
Veç tyre, Roshniku ka një trashëgimi të pasur kulturore dhe historike. Sapo futesh në fshatin piktoresk e të sistemuar, përballesh me muzeun e fshatit një nga më të hershmit në vend. Në të gjen historinë e fshatit por edhe të mbarë krahinës.
Në defterët e zverdhur të viteve 1578, 1661, në gjuhën turke, gjendet kjo histori.
Në to shkruhet se nga zona e Roshnikut kanë dalë 5 vezir që kanë drejtuar Perandorinë Osmane nga 35 shqiptarë që ka pasur në majat e saj.
Dihet historikisht që sulltani themeloi Perandorinë në vitin 1363 dhe organizoi një ushtri. Osmanllinjtë morën me dhunë djemtë shqiptarë.
Djemtë të marrë me forcë për të shërbyer në ushtrinë perandorake, shumë shpejt u vunë në krye të perandorisë. Qyprillinjtë e Roshnikut, që nga Mehmeti që shërbeu si Kryevezir për 15 vjet, e të tjerë që drejtuan Perandorinë Osmane më shumë se 50 vjet.
Por, në këtë muze vizitori nuk mëson vetëm për historinë e Qypërllinjëve, por ka dhe plot histori e dëshmi të tjera që të mbushin me kuriozitet. Banorët e zonës, secili të tregon një histori apo gojëdhënë për fshatin e tyre.
Në këtë fshat është dhe “Çezma e Tarikos”, një burim uji i pastër mali i dekoruar me një murale guri dhe me mbishkrimin dedikuar emrit të Tarikos.
Kjo çezmë tashmë është kthyer në një pikë orientimi e vend çlodhjeje, freskimi, por edhe pelegrinazhi për të mësuar më shumë prej historisë së saj dhe të fshatit.
Pllaka përkujtimore e vendosur në murin e çezmës thotë: “Ju udhëtarë që kaloni e pini ujë e uroni, Tarikon ta kujtoni. Tarikua e ëma e Demirit që ngeli garibe nga dora e qafirit në vitin 1925” .
Tariko ka qenë një grua dhe nënë e mirë që ju vranë të dy djemtë nga hasmi dhe ngeli e vetme. Ajo e përballoi dhimbjen dhe banorët e zonës e nderonin dhe e respektonin.
Kjo çezme e lashtë ndodhet në anë të rrugës tregtare ose “Vromit të madh” siç i thonë fshatarët e zonës, që lidhte dikur portin e Vlorës me Beratin, Korçën, Maqedoninë deri në Stamboll.
Kjo rrugë ishte një degëzim i rrugës Egnatia që çante përmes gjithë perandorinë romake nga perëndimi në lindje.
Mbi këtë rrugë ndodhet dhe “Hani i Perisnakës”, një pikë grumbullimi e shlodhjeje të karvaneve që mbrrinin nga larg, gjithë zhurmë e rrëmujë, kusari e hajdutëri që është futur në gojëdhëna për bëmat e tija të rrëmujës.
Edhe sot vendasit e përdorin shprehjen kur në një kuvend apo bisede në grup nuk ka radhë dhe rregull “e bëtë si hani i Perisnakës”.
Aty mblidheshin tregtarë, hajdutë e kusarë, që shkëmbenin e grabisnin karvanet që kalonin në rrugën e madhe dhe ndanin plaçkën. Aty ziheshin, rriheshin dhe vriteshin për plaçkën e vjedhur.
Kjo rrugë e vjetër dhe zona rreth Tomorrit, kanë vlera historike, kulturore, mbartin në vete kuriozitete dhe shumë vlera natyrore e turistike.
Udhëtari që kalon në këto zona, do të qëndroje e do pijë një grusht ujë nga çezma e Tarikos dhe do të mësojë mbi Qypërllinjtë, mbi Vrromin e Madh, do të shohë rrënojat e Hanit të Perisnakës, do të sodisë Tomorin e lartë, do të pijë një gotë raki apo verë nga vreshti i pjekur në diellin e shpatit malor dhe do të mendojë për vizitën e ardhshme.