Maqedonia

Rritet pasiguria në komunikacionin e Tetovës

Është rritur pasiguria në komunikacionin e Tetovës, pasi ka disa ditë që në udhëkryqet kryesore të qytetit semaforët punojnë me drita vezulluese. Veturat janë të obliguara të lëvizin sipas rregullit “kush ka të drejtë, të kalojë”. Vendimin për ti shkyçur semaforët e kanë miratuar Komuna e Tetovës dhe policia, për të larguar rrëmujën në komunikacion që shtohet shkaku i ardhjes së mërgimtarëve. Në mungesë të semaforëve funksional, banorët shprehen se nuk ka gjithnjë policë të rregullojnë komunikacionin dhe kjo paraqet rrezik shtesë si për këmbësorët ashtu edhe për vozitësit.
Policia thotë se nuk ka resurse të mjaftueshme për të pasur polic në secilin semafor.

“Semaforët mund të ndalen në këtë periudhë për shkak të ardhjes së mërgimtarëve dhe rritjes së fluksit të komunikacionit, megjithatë duhet të shtohet numri i policëve që do t’i zëvendësojnë të njëjtët. Po shohim se nuk ka policë dhe kjo përbën rrezik për kalimtarët e në veçanti për fëmijët”, thotë banori nga Tetova, Senat Zylbeari.

Hatije Azizi Etemi, banore e lagjes së Tetovës “Dardania”, shprehet se autoritetet duhet të angazhojnë më tepër policë që ta mirëmbajnë rendin e trafikut, pasi që banorët nuk guxojnë t’i lëshojnë fëmijët e tyre përtej oborrit të shtëpive.Semafori në Tetovë

“Unë si banore e lagjes Dardania, jam shumë e indinjuar nga fakti se këta banorë përveç se po ballafaqohen me ndotje dhe deponi, tash po përballohemi edhe me një rrezik tejet të madh. Prishja e semaforëve është një rrezik drejtpërdrejtë ku pasojat mund të jenë fatale. Banorët e kësaj lagjeje s’guxojnë t’i lënë fëmijët e tyre të dalin përtej oborreve të tyre se u kanoset rreziku urbanistik, sidomos në këtë periudhë ku fluksi i mërgimtarëve është i madh dhe rruga tepër e frekuentuar, nga ana tjetër policia s’duket këndej që së paku të zbusë kaosin që shkaktohet në këtë rrugë”, thotë qytetarja e revoltuar nga Tetova, Hatije Azizi.

Një qytetar tjetër nga Tetova, shprehet se ndjehet i shqetësuar në lidhje me mosfunksionimin e semaforëve, duke shpresuar që autoritetet do të angazhohen që sa më shpejtë ta zgjidhin këtë çështje.

“Në këtë kaos, mungesa e semaforëve e bën shumë të vështirë komunikacionin, i cili është tepër i ngarkuar në qytetin tonë. Shpresoj që organet kompetente të gjejnë zgjidhje para se të ndodhë ndonjë fatkeqësi”, thotë Jusuf Ajdini.

Kërkesa e përkohshme për ndalimin e funksionimit të semaforëve është dërguar nga Sektori i Punëve të Brendshme (SPB) të Tetovës deri në Komunë.

Në lidhje me ankesat e banorëve për mospasje të rregullt të policëve në pikat nuk funksionojnë semaforët, nga atje thonë që kanë mungesë të resurseve dhe se policë nuk mund të ketë gjithnjë.

Portalb ka dërguar kërkesë deri te autoritetet e policisë, për detajet konkrete në lidhje me atë se, sa do të zgjasë ky “regjim komunikacioni”, sa policë janë të angazhuar që t’i “zëvendësojnë” semaforët, në çfarë orari dhe në çfarë vende janë të obliguar që të njëjtët ta mbajnë rendin e trafikut, megjithatë të njëjtët kanë dhënë detaje vetëm sipërfaqësore.

“Në këtë periudhë, në udhëkryqet kryesore të qytetit, semaforët do të funksionojnë me dirta vezulluese për shkak të fluksit të madh të komunikacionit. Kemi mungesë të resurseve dhe po mundohemi që ta menaxhojmë si duhet situatën. U bëjmë apel banorëve që nëse ka nevojë në ndonjë lagje mund të lëshohen semaforët të punojnë me rregull”, thonë nga SPB – Tetovë.

Edhe nga Komuna na thanë të njëjtën.

“Për shkak të fluksit të madh të veturave, tani me ardhjen e kurbetçarëve, Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës nga seksioni i komunikacionit në Komunën e Tetovës ka kërkuar që në disa pika të caktuara, semaforët të funksionojnë me drita vezulluese, që të mos bëhen kolona në udhëkryqe”, thotë  zëdhënësi i Komunës së Tetovës, Ardian Ismaili.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button