Rritja ekonomike në tre vitet e ardhshme do të udhëhiqet nga ndërtimi dhe industria
Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikon që Bujqësia do të zgjerohet mesatarisht me 3.2 për qind në vit gjatë 2018-2020. Industria pritet të zgjerohet me 6.3 për qind në vit, ndërtimi me rreth 5 për qind në vit dhe shërbimet me rreth 4 për qind në vit.
Për shkak të peshës që ka në rritjen ekonomike sektori i shërbimeve pritet të jetë kontributori më i madh në zgjerimin e ekonomisë për periudhën afatmesme.
Ndërtimi do të pasoje rritjen më ritme të larta pas bumit të vitit 2017. Qeveria parashikon që sektori i ndërtimit të zgjerohet me 18 për qind më 2017.
Sipas të dhënave zyrtare sektori i ndërtimit shënoi një rritje vjetore prej 14.88 për qind në 9 mujorin e 2017. Rritja ekonomike gjatë kësaj periudhe ishte 3.87 për qind, teksa kontributi i ndërtimit në këtë rritje ishte 1.24 për qind ose 32 për qind e totalit.
Sektori u rigjallërua nga investimet në projektin TAP dhe HEC-et mbi lumin Devoll dhe ndërtimet ne sektorin e banesave kryesisht në Tiranë. Sakaq ekspertë të sektorit paralajmërojnë rrezikun e një flluske në sektorin e banesave për shkak të ofertës së lartë. Gjatë tre viteve në vijim ndërtimi do të zgjerohet mesatarisht me 5 për qind në vit për shkak të zbehjes së efektit të projekteve të mëdha TAP dhe Devoll teksa rritja do të bazohet kryesisht në sektorin e banesave.
Industria pritet të ketë rritjen më të lartë, mesatarisht me 6.3 për qind në vit. Sektori pritet të rigjallërohet nga kërkesa e jashtme dhe çmimet më të larta në tregun ndërkombëtar. Rritja e qëndrueshme e çmimeve të naftës dhe mineraleve pritet të rizgjojë investimet në miniera dhe naftë, të cilat do të zgjerojnë kontributin e sektorit në ekonomi.
Bujqësia pritet të ketë ritmin më të ulët të zgjerimit edhe pse ende është një ndër sektorët më të pamaturuar. Riorientimi i investimeve drejt bujqësisë deri para dy vitesh nuk ka rezultuar me fitim për sipërmarrësit që eksperimentuan.