Rusia hedh raketa në Siri nga Mesdheu
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka thënë se, një luftanije ruse dhe një nëndetëse kanë hedhur katër raketa lundruese nga Deti Mesdhe, duke synuar pozicionet e grupit ekstremist Shtetit Islamik pranë qytetit sirian të Palmiras. Ministria ka thënë se raketat goditën objektivat e tyre.
Është thënë se Rusia ka informuar Shtetet e Bashkuara, Turqinë dhe Izraelin për këtë plan përpara se të hidhte raketat. Ndërkohë që Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia janë duke luftuar kundër grupit ekstremist Shteti Islamik, Moska po vazhdon të mbështesë forcat e presidentit sirian Bashar al-Assad. Nga ana tjetër Uashingtoni dhe Ankaraja po mbështesin grupe të ndryshme rebele.
Rusia ka nisur sulmet me bomba dhe raketa në Siri nga shtatori i vitit 2015, sulme të cilat e ndihmuan Asadin të qëndrojë ende në pushtet.