Bota

Rusia: Nëse SHBA furnizon Ukrainën me bomba thërrmuese, do të përdorim municione të ngjashme

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha të martën se Moska do të detyrohej të përdorte arsenalin e saj me bomba thërrmuese nëse Shtetet e Bashkuara do të furnizonin Ukrainën me municione të tilla. Komentet e tij u bënë publike nga agjencitë ruse të lajmeve.

Javën e kaluar Uashingtoni njoftoi se do të furnizonte Ukrainën me bomba thërrmuese, municione këto shpërthyese, që zakonisht lëshojnë një numër të madh bombash, më të vogla, në një sipërfaqe të gjerë. Mes rrezikut që paraqesin për popullatën civile, edhe pas një konflikti të armatosur, mbi 100 vende të botës e kanë ndaluar përdorimin e tyre, mes tyre Britania dhe Japonia.

Agjencitë ruse të lajmeve cituan ministrin Shoigu të ketë thënë se Rusia posedonte bomba thërrmuese, por deri më tani nuk i kishte përdorur ato në operacionet e saj ushtarake.

Por Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar më parë Rusinë se ka përdorur bomba thërrmuese në Ukrainë, duke shtuar se ato kanë pasur një shkallë të lartë dështimi, deri në 40%, duke e lënë tokën të mbushur me bomba të pashpërthyera. Uashingtoni thotë se bombat thërrmuese që do t’i dërgohen Ukrainës, kanë një shkallë të ulët dështimi, prej më pak se 2.35%.

Duhet të theksohet se Rusia ka në dispozicion bomba thërrmuese, për të gjitha rastet… Ato janë shumë më efektive se ato amerikane”, tha ministri rus i Mbrotjes.

Zoti Shoigu shtoi se ushtria ruse po merrte masa për të mbrojtur trupat e saj nga municione të tilla.

Sipas organizatës “Human Rights Watch” Moska dhe Kievi kanë përdorur bomba thërrmuese gjatë konfliktit gati 17-mujor në Ukrainë, të cilin Rusia e quan një “operacion special ushtarak”.

Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Ukraina nuk e kanë nënshkruar Konventën kundër Municioneve Thërrmuese.

Zyrtarët amerikanë thonë se vendosën ta plotësojnë kërkesën e Kievit për bomba të tilla, pasi u bë e qartë se Ukrainës po i mbarojnë municionet e rregullta të artilerisë dhe se prodhimi nuk është në gjendje të plotësojë nevojat e ngutshme të saj. Aleatët e ngushtë të Shteteve të Bashkuara, mes tyre Britania, Kanadaja dhe Gjermania, kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj përdorimit të bombave thërrmuese.

Po të martën zoti Shoigu tha se Rusia “po reduktonte ndjeshëm” potencialin e kundërofensivës së Ukrainës dhe se forcat ruse kishin fituar terren gjatë kundërsulmit të tyre në drejtim të Lyman-it në rajonin lindor të Ukrainës, Donetskut.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button