Rusia nis stërvitjen më të madhe ushtarake; 95.000 trupa, 40 anije e avionë
Rusia ka nisur këtë të hënë stërvitjen më të madhe ushtarake të vitit, e koduar me emrin Qendra-2015, ku janë përfshirë rreth 95 mijë trupa ushtarake, përfshirë këtu ato tokësore, detare dhe ajrore.
Së fundmi Rusia i ka shtuar ndjeshëm stërvitjet ushtarake surprizë, duke testuar kapacitetet e saj nga Arktiku deri në Lindjen e Mesme, në një kohë kur marrëdhëniet me Perëndimin kanë rënë në nivelin më të ulët historik, që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, për shkak të krizës në Ukrainë.
Qendra-2015 është e fokusuar në 20 baza në mbarë rajonin qendror ushtarak të Rusisë, që shtrihet nga lumi Volga deri në malet Urale dhe në Siberi, ndërkohë që përfshin edhe zona në veriun e largët të Rusisë.
Trupa nga vendet anëtare të së ashtuquajturës Organizata e Sigurisë Kolektive, ku bëjnë pjesë ish-vende të bllokut sovietik, janë përfshirë gjithashtu në këtë stërvitje.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar se, lojrat e luftës synojnë testimin e gatishmërisë së trupave ushtarake të OSK-së, për të reaguar në grup ndaj konflikteve të armatosura ndërkombëtare.
“Trupat do të simulojnë bllokimin dhe shkatërrimin e njësive ushtarake ilegale. Në stërvitje përfshihen 20 anije të marinës dhe 170 avionë të forcave ajrore”, ka saktësuar Ministria e Mbrojtjes.