Sa përqind e lëndëve narkotike do lejohen në barna? – Ndryshon ligji për kanabisin, lejohet kultivimi për qëllime mjekësore dhe industriale
Në projektligjin e hedhur për konsultim publik nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për “Barnat Narkotike dhe Lëndët Psikotrope” bëhet i ditur lejimi për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale në vendin tonë.
Neni 9 i cili më parë nuk lejonte kultivimin e kanabisit ka ndryshuar si më poshtë:
“Në Republikën e Shqipërisë ndalohen kultivimi i Papaver somniferum për prodhimin e opiumit dhe të kashtës, kultivimi i bimës së kokës (Erythroxylon coca) për prodhimin e alkaloideve e të lëndëve aromatike.
Kultivimi dhe përpunimi i bimës së cannabisit dhe prodhimi i nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale rregullohet sipas legjislacionit të posaçëm, të miratuar për këtë qëllim”,- thuhet në dokument.
Për lloje të ndryshme të lëndëve narkotike në document përcaktohet dhe sasia e cila do të përdoret në ilaçet e nevojshme të cilat do të jenë të kombinuara.
Konkretisht kokaina, në përgatesë do të jetë jo me shume se 0,1 per qind kokainë e llogaritur si kokainë bazë. Përgatesat e opiumit ose të morfinës do të përmbajnë jo më shumë se 0,2 per qind morfinë e llogaritur si morfinë bazë pa ujë, të cilat do të kombinohen me një ose më shumë ingredientë të tjerë në një mënyrë të tillë që bari narkotik nuk mund të rimerret lehtësisht dhe në sasi që të rrezikojë shëndetin e popullatës.
Të tjera të dhëna jepen edhe për përgatesat e acetildihidrokodeines, dihidrokodeines, etilmorfines, folkodines, kodeines, nikodikodines, nikokodines dhe norkodeines prodrogëra të cilat përdoren kryesisht për trajtimin e dhimbjes, kollitjes dhe diarresë etj. Kur kombinohen me një ose më shumë ingredient të tjerë do të përmbajnë jo më shumë se 100 mg të barit narkotik për dozë, si dhe përgatesat e padozuara me një përqendrim jo më shumë se 2.5%.