Ekonomia

Sejko në Uashington: Rritje e konsumit dhe investimeve private në Shqipëri

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në mbledhjet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të grupit të Bankës Botërore (BB), të cilat u zhvilluan në Uashington nga data 18-20 tetor.

Gjatë pjesëmarrjes në këto mbledhje, Guvernatori Sejko zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitetet më të njohura të fushës financiare ndërkombëtare.

Konkretisht guvernatori Sejko u takua zv/drejtorin e Përgjithshëm të FMN, Tao Zhang,  drejtorin ekzekutiv për Shqipërinë, Domenico Fanizza, si dhe disa zyrtarë të tjerë të rëndësishëm.

Sejko zhvilloi takime edhe me zyrtarë të lartë të Bankës Botërore. Ai u takua me zv/presidentin e Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, Cyril Muller, drejtoren rajonale për Ballkanin Perëndimor me qendër në Vjenë, Linda Van Gelder, si dhe me përfaqësues të institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare.

Gjatë këtyre takimeve, Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të situatës ekonomike dhe financiare shqiptare, ku theksoi se zhvillimi i vendit mbetet në një trend pozitiv dhe se aktiviteti ekonomik ka bërë progres drejt rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë.

Guvernatori Sejko prezantoi gjithashtu masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në zbatimin e një kuadri modern për hartimin dhe implementimin e politikës monetare, duke ruajtur një qëndrim stimulues të saj, me qëllim mundësimin e një ambienti financiar me norma të ulëta interesi, me likuiditet të bollshëm dhe qëndrueshmëri në rritje të kursit të këmbimit. Kjo politikë ka nxitur rritjen e konsumit dhe investimeve private, si dhe ka ndihmuar në përshpejtimin e rritjes së kreditimit.

Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë, duke pasur në fokus forcimin e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe rritjen ekonomike afatgjatë, mbetet e angazhuar të vijojë mbështetjen e duhur nëpërmjet vazhdimit të stimulit monetar, me synim nxitjen e aktivitetit ekonomik dhe kthimin e inflacionit në objektiv. Në terma makroekonomikë, ecuria e inflacionit në vend ka pasqyruar forcimin e presioneve të brendshme, ndërkohë që inflacioni i importuar ka ardhur në rënie. Megjithatë pritet që këto presione inflacioniste të kthehen gradualisht në linjë me objektivin e bankës gjatë dy viteve të ardhshme.

Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori u shpreh se ai shfaqet likuid, i kapitalizuar dhe me tregues të mirë rentabiliteti. Kapitali rregullator luhatet dukshëm mbi minimumin e detyrueshëm, si dhe raporti i kredive me probleme ka rënë në 11%, kundrejt nivelit maksimal prej gati 25% të shënuar në vitin 2014, falë zbatimit të suksesshëm të planit të masave për reduktimin e tyre.

Më tej, Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë ka qenë e angazhuar për përmirësimin e arkitekturës rregullatore të sistemit financiar dhe për forcimin e rrjetave të sigurisë financiare.

Një tjetër çështje e diskutuar gjatë takimeve ishte konsolidimi i sistemit bankar, për të cilën Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet e fokusuar në mbikëqyrjen e kujdesshme të riformatimit të sistemit bankar në vend.

Guvernatori u ndal gjithashtu në rëndësinë e përmirësimeve në fushën e pagesave nëpërmjet digjitalizimit të tregut, nxitjes së përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave dhe zgjerimit të përfshirjes financiare të popullsisë. Gjithashtu Guvernatori nënvizoi nevojën e vijimit dhe thellimit të edukimit financiar të publikut, nëpërmjet rritjes së rolit të Muzeut të Bankës së Shqipërisë dhe programeve të shënjestruara edukative, si dhe ngritjen e një strategjie mbarëkombëtare ku do të përfshihen të gjithë aktorët në vend.

Së fundmi, Guvernatori u shpreh se në fokus të punës së Bankës së Shqipërisë do të vazhdojë të mbetet nxitja e mëtejshme e kreditimit të shëndetshëm nga sektori bankar, si një kontributor me mjaft rëndësi në zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të ekonomisë shqiptare.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka kontribuar në reduktimin e kredive me probleme, në përmirësimin e ambientit të kreditimit e kuadrit mbikëqyrës e rregullator, dhe përafrimin e tij me standardet më të mira ndërkombëtare.

Në vijim, ata nënvizuan se politika monetare stimuluese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, ka ndihmuar në qëndrueshmërinë e monedhës vendase, si dhe ka influencuar që rritja ekonomike të ecë në një trajektore pozitive. Në këtë drejtim ata vlerësuan rolin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë ka luajtur në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit, si dhe shprehën gatishmërinë e tyre për vazhdimin e ofrimit të asistencës teknike për Bankën e Shqipërisë.

Më tej, Guvernatori Sejko dhe përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së diskutuan mbi vijimin e reformave strukturore, si instrument për rritjen e produktivitetit, zgjerimin e potencialit ekonomik, rritjen e rezistencës ndaj goditjeve dhe konvergimin me standardet e Bashkimit Evropian.

Përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së u shprehën se përshpejtimi i këtyre reformave do të ndikonte gjithashtu në rritjen e konkurrueshmërisë dhe përmirësimin e klimës së biznesit në perspektivën afatgjatë të vendit.

Në kuadër të këtyre mbledhjeve, Guvernatori Sejko mori pjesë në takimin e Komitetit Ndërkombëtar Monetar e Financiar të FMN-së, si dhe në punimet e seminarit të G30.

Gjithashtu, ai ishte pjesëmarrës në takimet e përbashkëta të ministrave dhe guvernatorëve të vendeve anëtare të disa konsistuencave të FMN-së. Delegacioni zhvilloi takime edhe me homologë nga vende të ndryshme, ku pati mundësinë të diskutojë mbi zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button