Kronika

Sekuestrimi i pajisjeve të gazetarit Elton Qyno kundërshtohet si ‘i paligjshëm’

SPAK pretendoi se kishte sekuestruar pajisjet kompjuterike dhe celularët e gazetarit Elton Qyno në përputhje me Kodin e Procedurës për mbrojtjen e sekretit hetimor, por përfaqësuesi Dorian Matlija thotë se veprimet bien ndesh me vendimet e Gjykatës së Lartë dhe asaj të Strasburgut.

Dorian Matlija, përfaqësuesi ligjor i gazetarit të kronikës, Elton Qyno e konsideroi të kundraligjshëm dhe në cenim të rëndë të standardeve të lirisë së medias vendimin e gjykatës për sekuestrimin e pajisjeve kompjuterike të gazetarit.

Ai paralajmëroi gjithashtu se vendimi do të ankimohet në Apel, ku do të kërkohet edhe asgjësimi i të dhënave të kopjuara.

“Burimet e gazetarit nuk duhet të zbulohen, sepse cenohet jo vetëm gazetari konkret, por e gjithë gazetaria për shkak se dekurajohen burimet e mundshme të ardhshme,” tha Matlija për BIRN.

“Gjykata dukshëm nuk ka argumentuar këtë masë ekstreme dhe gjithçka ka ndodhur për pak minuta, ndërkohë që gazetari mbahej mbyllur brenda ambienteve të SPAK,” shtoi ai.

Gazetari Elton Qyno u mor në pyetje për gati 7 orë të mërkurën në Proku7rorinë e Posaçme, ndërsa oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kryen kontrolle në banesë dhe në zyrën e tij si dhe sekuestruan pajisjet kompjuterike dhe telefonat celularë të tij si pjesë të një hetimi për nxjerrjen e sekretit hetimor.

Përmes një njoftimi për shtyp të enjten, Prokuroria e Posaçme deklaroi se këto veprime ishin kryer pasi Qyno kishte publikuar komunikime të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Nuredin Dumani në platformën e kriptuar SkyECC, të cilat janë sipas SPAK objekt i hetimeve paraprake dhe nuk janë dokumentuar ende si akte procedurale nga Prokuroria e Posaçme.

SPAK deklaroi gjithashtu se kishte urdhëruar më parë ndalimin e publikimit të akteve për këtë procedim penal dhe se gjatë marrjes në pyetje, i kishte kërkuar Qynos që të shpjegonte se si i kishte siguruar dokumentet sekrete.

“Shtetasi Elton Qyno është përgjigjur se burimi ka qenë konfidencial dhe nuk mundet ta deklarojë për shkak të sekretit që lidhet me profesionin,” thuhet në njoftim, ndërsa shtohet se në të njëjtën ditë ishin siguruar dy vendime gjyqësore për lejimin e kontrollit personal, të banesës si dhe zyrës së gazetarit si dhe sekuestrimin e të dhënave kompjuterike të tij.

SPAK deklaroi gjithashtu se kishte sekuestruar edhe dy telefonat celularë të Qynos, pasi kishte identifikuar vendodhjen e tyre me pajisje speciale gjurmuese në një bar-kafe pranë godinës së Prokurorisë.

“Prokuroria e Posaçme ka kryer veprimet procedurale në përputhje të plotë me kërkesat e Kodit të Procedurës Penale si dhe në zbatim të vendimeve me nr. 501 dhe 502 të Gjykatës së Posaçme…,” deklaroi SPAK.

Por avokati Matlija i tha BIRN se këto vendime bien ndesh me një vendim njesues të Gjykatës së Lartë të dhjetorit 2021, ku caktohen 6 kushte për t’u plotësuar për të realizuar një veprim të tillë.

Duke sjellë në vëmendje edhe rastin e mëparshëm të Lapsi.al, ku Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut urdhëroi Shqipërinë që të mos zbatonte vendimin për sekuestrimin e kompjuterave dhe pajisjeve të tjera elektronike të gazetarëve, Matlija pretendon se gjyqtarja në çështjen e Qynos ka kryer një shkelje të rëndë.

“Theksoj që prokuroria ka mundësi të tjera hetimi për të zbuluar se nga kanë rrjedhur të dhënat, duke nisur nga zyrtarët që kishin detyrë t’i ruanin ato,” përfundoi Matlija./Edmond Hoxhaj, reporter.al/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button