SHBA do të jetë në çdo hap për të ndihmuar, Junçaj: SPAK-u do t’ua bëjë të vështirë zyrtarëve të përfshihen në korrupsion
Gjon Junçaj, prokurori federal amerikan që ndihmoi në kryerjen e Reformës në Drejtësi në Shqipëri, tha se strukturat e reja antikorrupsion, si SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, do ta bëjnë shumë të vështirë për zyrtarët e lartë që të përfshihen në akte korrupsioni.
Në intervistën për Zërin e Amerikës, Junçaj theksoi se të gjithë e kuptuan kur u miratua reforma, se do të ishte një rrugë e gjatë. “Kurdoherë që bëhen reforma e ndryshime aq të thella në një sistem juridik, duhet kohë që reforma të kryhet në mënyrën e duhur e me kujdes. Kjo po merr kohë, por gjëja e rëndësishme është se jemi drejt asaj rruge”, – tha ai.
Lidhur me mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, Junçaj u shpreh se, “kur reforma u miratua dhe u hartuan ligjet sikurse janë tani, u tregua kujdes që të kishte drejtësi, si në shembullin e Gjykatës Kushtetuese, që Presidenti, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe Parlamenti, secili të kishte një radhë për të emëruar dikë”.
“Padyshim që ky është një problem, që Gjykata Kushtetuese nuk po funksionon aktualisht. Por gjëja e rëndësishme është që Presidenti, Parlamenti të gjithë ata që janë të përfshirë, të gjejnë një mënyrë për të zgjidhur këtë çështje, të mos shkaktojnë probleme të reja, apo t’i bëjnë ato edhe më keq, por të bashkëpunojnë e të arrijnë konsensus dhe në një farë mënyre ta çojnë përpara reformën”, – theksoi ai.
Junçaj tha se konsensusi për vijimin e reformës është çështje e politikës. “Këtë duhet ta vendosin ata. Ajo çfarë është inkurajuese për mua aktualisht është se Shtetet e Bashkuara e kanë përforcuar misionin e tyre duke dërguar ambasadoren Kim në Shqipëri. Jam i sigurt se ambasada e SHBA-së do të vazhdojë me përpjekjet e saj për të përkrahur dialogun mes të gjitha palëve dhe individëve që janë të përfshirë në këto çështje, për të gjetur një zgjidhje rreth kësaj apo çështjeve të tjera që mund të dalin”, – nënvizoi prokurori federal amerikan.
Duke folur për SPAK, Junçaj tha se “ajo që ka nisur nga puna është zyra e Prokurorit të Posaçëm. SPAK-u është më shumë se kaq. Ne kemi gjithashtu nevojë për Byronë Kombëtare të Hetimit, krahu hetues i SPAK-ut, si dhe gjykatat e SPAK-ut”.
“Ky është SPAK-u! Nuk është vetëm tetë apo 10 prokurorë, është më shumë se kaq. Mendoj se ky është një hap i parë i rëndësishëm, për të cilin u desh shumë kohë për të arritur deri këtu. Por po aq e rëndësishme mendoj është, nëse pyesni prokurorët në Shtetet e Bashkuara ose në Shqipëri, ata do t’ju thonë se kemi nevojë për këta hetues dhe ky është hapi tjetër që duhet të presim. Shtetet e Bashkuara, Departamenti i Drejtësisë në bashkëpunim me Departamentin e Shtetit do të jenë atje për të ndihmuar në këtë proces”, – bëri të ditur prokurori federal amerikan.
Ai shtoi se SPAK do funksionojë edhe më mirë pas krijimit të BKH. “Ne presim që ajo të funksionojë më mirë me të sapo të trajnuarit, hetuesit e rinj që do të bëhen pjesë e BKH-së. Sigurisht që mund të funksionojë. Duhet të kemi parasysh gjithashtu se kjo është një strukturë e re që trashëgoi të gjitha rastet që kishte Prokuroria e Krimeve të Rënda, pra ata nuk po fillojnë gjithçka nga e para”, – tha ai.
“Ata gjithashtu duhet të zbatojnë rregullat e tyre të brendshme, duhet të kuptojnë se si të veprojnë më mirë si një strukturë e re prokurorie. Jam i sigurt që populli shqiptar do të donte të shihte rezultate që në ditët e para, por pritshmëritë duhet të jenë që në planin afatgjatë, në muajt dhe vitet në vazhdim, ata do të kenë një zyrë prokurorie që do t’u shërbejë atyre më mirë sesa ajo që ishte më parë”, – shtoi Junçaj.
“Drejtuesi i ri i SPAK-ut ose Prokurorisë së Posaçme z. Kraja duhet të zgjedhë me të tjerë, kreun e ri të BKH-së. Pra këto hapa po hidhen dhe natyrisht është e lehtë të thuhet, le të presim! Duhet të presim dhe t’i japim kohë që të ngrihet”, – tha prokurori federal amerikan.
Sa i takon korrupsionit, Junçaj u shpreh se të gjitha rrugët të çojnë te drejtësia. “Kam biseduar me qytetarët atje, e natyrisht që ata kanë arsye të shqetësohen për mënyrën se si vendi i tyre është drejtuar 30 vitet e fundit dhe padyshim përpara kësaj, gjatë periudhës së komunizmit. Pra ata janë shumë të pakënaqur”, – tha ai.
“Informacioni më i rëndësishëm që unë kam marrë, ka ardhur nga vetë njerëzit atje. Por jo çdo fjalë në rrugë, nëse mund të shprehem kështu, është e vërtetë. Mirëpo, në kushtet kur rinia shqiptare largohet nga vendi, në një shkallë që është më e lartë se në çdo vend tjetër në Evropë, kjo në vetvete thotë gjithçka që ju duhet të dini, se cilat janë problemet në rrënjë. Dhe mendoj se ato të çojnë gjithmonë tek politika dhe sistemi i drejtësisë që nuk u ka shërbyer qytetarëve ashtu siç duhej. Kështu që shpresoj se po ecim përpara. Ndërsa reforma përparon, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre në Bashkimin Europian do të ndihmojnë që ajo të kryhet ashtu siç duhet, që gjërat të përmirësohen”, – garanton Junçaj.
Ai tha se “Shtetet e Bashkuara përmes Departamentit të Shtetit dhe Departamentit të Drejtësisë do të investojnë miliona dollarë në trajnime dhe sigurimin e burimeve teknike për SPAK-un”.
“Do të ketë gjithashtu ekspertë të Departamentit të Drejtësisë atje për t’i ndihmuar. Kështu që ata do të kenë aftësinë për të bërë punën që duhet të bëjnë. Natyrisht që prova e vërtetë dhe që presim është nëse puna do të bëhet. Dhe mendoj se populli shqiptar pret që kjo të ndodhë”, – shtoi Junçaj.
“Prokurorët e rinj, kryeprokurori i ri dhe të gjithë prokurorët dhe hetuesit e tjerë u vetofruan dhe e pranuan vetë atë përgjegjësi dhe njerëzit duhet të presin që ata ta bëjnë këtë. Ata duhet t’i përmbahen atij standardi që kanë pranuar”,- tha prokurori federal amerikan.
I pyetur për akuzat e PD, Junçaj tha se kalimi i një dosjeje në një prokurori më të ulët domosdoshmërisht nuk është një veprim i gabuar.
“Pa komentuar këtë rast të veçantë, nuk duhet të harrojmë se SPAK-u nuk është e vetmja zyrë prokurorie në Shqipëri. Mandati i SPAK-ut është të shkojë pas krimit të organizuar dhe korrupsionit”, – tha ai.
“Dhe në këtë hetim të veçantë, nëse ka pretendime dhe indicie për korrupsion në nivelin politik, atëherë sigurisht që SPAK-u duhet ta ndjekë këtë, kjo nuk do të thotë që nëse rasti i transferohet një zyre më të ulët të prokurorisë ky është domosdoshmërisht një veprim i gabuar. Nuk e di përgjigjen nëse duhet të ishte bërë apo jo. Por ajo që është e rëndësishme është se prokuroria dhe çdo qytet tjetër, pavarësisht nëse është Dibra, Durrësi apo të gjithë ata prokurorë nën drejtimin e Prokurorit të ri të Përgjithshëm z. Çela, edhe ata kanë një punë për të bërë”, – shtoi Junçaj.
“Të mos harrojmë se çështjet nuk fillojnë gjithmonë në një zyrë të nivelit të lartë të prokurorisë. Mund të jetë një çështje lokale në Dibër, në Shkodër…, ku është hetuar për shpërdorim detyre ose për një rast mashtrimi financiar dhe ndërsa hetimi përparon ata e kuptojnë se kemi të bëjmë me rast korrupsioni dhe këto raste janë menduar të transferohen në SPAK. Pra gjithçka që mund të them është, pa e komentuar rastin në fjalë, sepse nuk e njoh, nuk është vetëm SPAK-u që duhet të bëjë punën e vet, por janë të gjitha zyrat e tjera të prokurorive lokale. Në fund të ditës, ata duhet të punojnë së bashku”, – nënvizoi ai.
“Nuk dua t’i gjykoj vendimet e prokurorëve, janë ata që vendosin, se ku duhet të shkojë një çështje. Por gjëja më e rëndësishme është që zyra e prokurorit dhe hetuesit duhet të bëjnë përpara me çdo hetim ku ekzistojnë pretendime të ligjshme për krim, nëse bëhet fjalë për blerje votash apo gjëra të tjera”, – tha prokurori federal amerikan.
Prokurori Federal amerikan, i pyetur për çështje gjyqësore që kanë shkaktuar debat politik në vendin tonë, tha se gjykimi i prokurorit që e ka dosjen në dorë, është më i rëndësishmi dhe nëse ai është vendimi i duhur apo i gabuar, u takon të tjerëve ta gjykojnë
“Siç e thashë përpara, transferimi i të gjitha çështjeve në SPAK ishte diçka që e priste Prokurorinë e Posaçme. Nuk mund të ofroj një mendim nëse ai ishte një vendim i duhur, apo i gabuar nga prokuroria për t’i mbyllur apo transferuar ato, sikurse shembujt që ju dhatë më parë. Padyshim që gjykimi i prokurorit që e ka dosjen në dorë, është më i rëndësishmi dhe nëse ai është vendimi i duhur apo i gabuar, u takon të tjerëve ta gjykojnë”, – theksoi Junçaj.
“Por patjetër për fat të keq, ka pasur raste që tashmë ishin në këtë prokurori që nuk kishin përfunduar. Do të ketë raste të tjera të reja që ecin përpara. Mendoj se shqiptarët duhet të presin, pasi do të duhet kohë që këto gjëra të zbatohen e të bëhet përpara. Mendoj se do të jetë më mirë të gjykosh suksesin e Prokurorisë së Posaçme në të ardhmen. Kjo nuk do të thotë që ju nuk mund të vini në dyshim se çfarë po bëjnë ata sot, por ajo që është më e rëndësishme është që kjo gjë të bëhet hapur e me transparencë, dhe pastaj ky diskutim duhet të bëhet mes prokurorëve dhe publikut, mendimi i të cilit natyrisht është i rëndësishëm gjithashtu”, – vijoi ai.
Gjon Junçaj tha se hetimet duhet të jenë të plota. “Kjo vlen për çdo rast, sigurisht. Një hetim nuk është të lëvizësh vetëm një gur, nëse mund të shprehem kështu, por të lëvizësh gjithë gurët e mundshëm. Për të gjitha rastet, hetimet e plota janë jetike, sigurisht”, – tha ai.
Sipas prokurorit federal amerikan, anëtarët e SPAK e dinë mjaft mirë se pas zgjedhjes për t’u bërë anëtar i SPAK do ketë dhe presion, por SHBA është aty për t’i mbështetur.
“Ne duhet të kujtojmë se për sa i takon Prokurorisë së Posaçme këta njerëz, që u ofruan me dëshirë, vendosën emrin e tyre për t’u zgjedhur si anëtarë të SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme. Shpresojmë e presim që ata e bënë këtë gjë sepse besojnë në një qëllim më të lartë për t’i shërbyer të ardhmes së Shqipërisë. Ata e dinë që pas kësaj zgjedhjeje do të ketë presion, pritshmëri të mëdha. Dhe shpresa jonë në Departamentin e Drejtësisë është që ata po e bëjnë këtë për arsyet e duhura. Ne jemi aty për t’i mbështetur dhe kjo është e rëndësishme, shqiptarët duhet ta dinë se Shtetet e Bashkuara përmes Departamentit të Shtetit dhe Departamentit të Drejtësisë do të jenë atje në çdo hap për t’i ndihmuar ata të jenë më të mirët si zyrë e Prokurorisë së Posaçme”, – garantoi Junçaj.
“Do të jemi atje për t’i ndihmuar në punën e tyre. Synimi nuk është të trajnojmë e të largohemi. Departamenti i Drejtësisë përmes OPDAT-it dhe Departamenti i Shtetit përmes burimeve të tjera të financimit kanë ndihmuar për shumë vite dhe do të vazhdojnë për shumë vite të tjera të ndihmojnë zhvillimin e sistemit gjyqësor shqiptar. Pra monitorimi nuk është fjala e duhur, por mbështetja është një fjalë e mirë për t’u përdorur, duke i ndihmuar ata përmes trajnimeve. Ka ekspertë dhe prokurorë shumë me përvojë aktualisht atje tani, do të ketë të tjerë në të ardhmen për t’i ndihmuar që ata të bëjnë punën më të mirë të mundshme. Kjo do të vazhdojë, sigurisht”, – vijoi ai.
I pyetur për vendimin e Gjykatës për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin, Junçaj theksoi se kjo do jetë njollë që do ta ndjekë ish-ministrin kudo.
“Di që ish-ministri i Brendshëm u dënua, nuk u dënua me afat burgimi. Por mendoj se është një gjë e rëndësishme në kuptimin që kjo do të jetë një njollë që do ta ndjekë ish-ministrin kudo”, – theksoi ai.
“Mendoj se dërgon edhe një mesazh në një mjedis shumë të vështirë. Duhet të keni parasysh sigurisht që kjo ndodhi para SPAK-ut ose gjykatës së SPAK-ut, pra prokurorët ishin të gatshëm ta hetonin atë duke bindur gjykatën se ai ishte fajtor për krimin për të cilin ishte akuzuar”, – shtoi Junçaj.
“Jam i sigurt se kjo dërgon një mesazh edhe tek njerëzit e tjerë, politikanët e tjerë dhe njerëzit në qeveri që duan të ndjekin një rrugë të ngjashme. Mendoj se ajo që duhet të presin ata tani është se do të jetë më e vështirë të kryhen krime kur të jenë një post zyrtar. Ajo që i pret ata në të ardhmen, do të jetë një zyrë e Prokurorit të Posaçëm dhe hetuesish që do të vazhdojnë të kenë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara e partnerëve të tjerë për të bërë një punë më të mirë se sa deri tani. Shpresoj se do të bëhet më e vështirë që kjo lloj veprimtarie kriminale të ndodhë në të ardhmen”, – nënvizon prokurori federal amerikan.
Junçaj tha se shqiptarët janë të irrituar që njerëz të rangjeve të ulta janë ata që shkojnë në burg. “Sigurisht, mendoj se çdo prokuror do t’ju thotë se ku ka një dënim sidomos për shpërdorim detyre, ose korrupsion, ose lloje të tjera të krimeve si mashtrimi, ne presim një dënim që përfshin burgosjen ose diçka tjetër, që është e përshtatshme”, – tha ai.
“Mendoj se ajo me të cilën populli shqiptar është më shumë i irrituar deri tani është se ka shumë njerëz që shkojnë në burg, por gjithnjë janë njerëz të rangjeve të ulta, janë njerëzit që nuk kanë mbrojtje politike. Shqiptarët kanë të drejtë të shpresojnë, apo të presin në të ardhmen që njerëzit vërtet të ndëshkohen, pavarësisht se cilët janë. Kështu që mendoj që ky është një hap i parë i rëndësishëm, por nëse do të isha një politikan shqiptar dhe do të isha i përfshirë në korrupsion në Shqipëri, nuk do t’i bëja më llogaritë duke shpresuar për të njëjtin rezultat në të ardhmen. Mendoj se kjo u dërgon një mesazh politikanëve dhe kriminelëve të tjerë, që gjërat do të ndryshojnë në të ardhmen, kjo është ajo që populli shqiptar pret dhe Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë për përgatitjen e prokurorëve dhe hetuesve, që të kryejnë një punë më të mirë”, – nënvizoi Junçaj.
Sipas Junçajt, populli shqiptar meriton që t’i jepet fund kohës së pandëshkueshmërisë.
“Besoj që populli shqiptar e meriton. Ne si SHBA jemi krah për krah me popullin shqiptar gjithmonë, prej ditës së pavarësisë më shumë se 100 vite më parë e deri sot, dhe në vitet që do vijnë gjithmonë do të jemi krah për krah me popullin shqiptar. Ne presim që premtimi që u dha në 2016, për sa i takon reformës në drejtësi, të mbahet. Ne si SHBA jemi gati për të ndihmuar me zbatimin e këtij premtimi, jemi krah për krah me popullin shqiptar dhe presim që ky premtim të përmbushet”, – përfundoi intervistën e tij për VOA, Gjon Junçaj, prokuror federal amerikan.