Kronika

SHBA i dhuron Shqipërisë pajisje për reagimin ndaj katastrofave

Pas përmbytjeve të vitit të kaluar, ushtria e SHBA-së iu përgjigj kërkesës së Shqipërisë në NATO për pajisje ndihme në raste katastrofash.

Ambasadori i SHBA-së, Donald Lu dhe Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka pritën sot dërgesën e parë të pajisjeve nga Shtetet e Bashkuara për përgjigjet ndaj fatkeqësive.

Ky kontigjent vjen për Drejtorinë e Emergjencave Civile të Shqipërisë për të përforcuar kapacitetet e tyre për t’iu përgjigjur përmbytjeve në të ardhmen. Dërgesa erdhi nga Livorno, Itali, pas bashkërendimit të gjerë me Programin e Ndihmave Humanitare të Komandës Europiane (EUCOM). Një dërgesë e dytë nga Albany, Xhorxhia, do të vijë së shpejti.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, Ambasadori Donald Lu u tha personelit ushtarak dhe atyre të emergjencave civile se “besojmë në heroizmin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe jemi krenarë t’i mbështesim ata në misionin e tyre për të shpëtuar jetë këtu në shtëpi dhe jashtë vendit.”

“E kemi parë këtë heroizëm në Afganistan, në Irak, në Bosnjë, në Mali dhe në Letoni.Gjithashtu, e kemi parë këtë heroizëm këtu në shtëpi, në Shqipëri, në shpëtimin e familjeve nga përmbytjet, zjarret dhe stuhitë e borës. Ju kemi parë të ndërtoni ura,  të shpëtoni fëmijë duke përdorur helikopterë dhe të kujdeseni për të sëmurët e të plagosurit”, tha Lu.

“Këto pajisje janë pjesë e një përpjekjeje shumëpalëshe për të ndihmuar partneren dhe aleaten tonë të ngushtë në aftësinë për t’iu përgjigjur fatkeqësive natyrore në të ardhmen”, tha Majori Joshua Glendening, shefi i Zyrës për Bashkëpunimin Ushtarak e SHBA në Shqipëri. “Ne do të vazhdojmë të kërkojmë mundësi bashkëpunimi me qeverinë shqiptare, për të ndihmuar me shërbimet e emergjencës që nevojiten në prag përmbytjesh apo zjarresh rajonale në pyje”.

Ndihmat janë përgjigje e drejtpërdrejtë e kërkesës së Shqipërisë për ndihmë drejtuar NATO-s nëpërmjet Qendrës Euro-Atlantike për Bashkërendimin e Përgjigjeve ndaj Fatkeqësive. Pajisjet dhe ndihmat, me vlerë totale mbi 600,000 USD, përfshijnë 4 çadra shpëtimi, 126 kostume polumbari, 10 gjeneratorë të mëdhenj ushtarakë, 1671 batanije, 600 dyshekë alpin, 100 ngrohëse dhe 15 çadra.

Xhaçka: SHBA kontribut të çmuar për FA-të

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka falënderoi vendet aleate për solidaritetin e treguar pas përmbytjeve të fundit, duke veçuar kontributin e SHBA-së për Forcat e Armatosura shqiptare. “Më lejoni të shpreh mirënjohjen dhe falënderimet e mia dhe të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, për aleatin dhe mikut strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e përhershme, bujare dhe të pakufizuar për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Situata e vështirë që kaluam në muajin dhjetor tregoi mes të tjerash, solidaritetin mes miqsh dhe njëherësh edhe misionin e përbashkët për t’ju gjendur pranë më të pamundurve, në vështirësitë e shkaktuara nga moti e keq. Ambasador Lu, një shprehje e bukur e jona thotë: Miku i mirë njihet në ditë të vështirë”, u shpreh ministrja Xhaçka.

Xhaçka  i bëri thirrje pushtetit vendor që të marrin përgjegjësitë duke zbatuar ligjin për të siguruar jo vetëm burime financiare, por edhe njerëzore për emergjencat civile.

“Prej disa javësh siç e dini Emergjencat Civile janë tashmë fushë përgjegjësie e Ministrisë së Mbrojtjes dhe kjo na e ka shtuar edhe më tepër përgjegjësinë e shërbimit dhe kujdesit, për çdo qytetar të vendit tonë, nga kryeqyteti deri në skajin më të largët. Bashkëpunimi me pushtetin vendor mbetet element i rëndësishëm i parandalimit dhe përballimit të emergjencave në kushtet e përkeqësimit të motit. Ndaj dua t’i bëj thirrje sot të gjitha bashkive, që në buxhetin e tyre, të kenë të parashikuar një fond dhe një strukturë të posaçme për përballimin e emergjencave ashtu sikundër parashikon edhe ligji”, tha Xhaçka.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button