SHBA – Qentë mësojnë të njohin rrezikun: Trajnim i specializuar për shmangien e gjarpërinjve helmues
– Në zonat e SHBA-së ku gjarpërinjtë helmues janë të përhapur, pronarët e qenve po përdorin programe të posaçme trajnimi, për t’i mësuar kafshët të shmangin kontaktin me ta, sipas AP.
Një prej këtyre rasteve është Ripley, një qen 2-vjeçar i racës “blue heeler”, i cili iu nënshtrua një trajnimi në Arizona, për të shmangur gjarpërinjtë helmues.
Gjatë ushtrimit, qeni iu afrua një gjarpri të madh, ndërsa mori një sinjal të shkurtër nga një jakë elektronike trajnimi, që synonte të simulonte pasojën e një pickimi.
Gjarpri nuk përbënte rrezik, pasi i ishin hequr gjëndrat e helmit.
Trajneri i qenve J.J. Belcher tha se trajnimi synon mësojë qenve, të qëndrojnë larg gjarpërinjve që mund t’u shkaktojnë sëmundje të rënda ose edhe vdekje.
Sipas Shoqatës Amerikane për Parandalimin e Mizorisë ndaj Kafshëve (ASPCA), rreth 150 mijë qen, pickohen çdo vit nga gjarpërinj helmues në SHBA.
Në Arizona, një nga zonat më të prekura, një qendër veterinare trajton mesatarisht 4 deri në 6 qen në ditë, për pickime nga gjarpërinjtë.
Ekspertët thonë se shumica e kafshëve mbijetojnë nëse marrin trajtim të shpejtë, por mjekimi mund të kushtojë mijëra dollarë, veçanërisht kur nevojitet serum kundër helmit dhe shtrim në spital.
Megjithatë, përdorimi i jakave elektronike gjatë trajnimit ka shkaktuar debate.
Disa organizata për mbrojtjen e kafshëve e kanë kundërshtuar këtë metodë, duke e konsideruar të dhimbshme, ndërsa të tjerë kanë argumentuar se ajo është efektive kur përdoret nga trajnerë profesionistë.
Veterinerja Sarah Carotenuto, nga Universiteti i Arizonës, po merr pjesë në një studim për të përcaktuar, nëse trajnimi kundër gjarpërinjve funksionon dhe cila metodë është më e përshtatshme.
Veterinerët paralajmërojnë se në rast pickimi, qeni duhet të dërgohet menjëherë për trajtim dhe pronarët nuk duhet të përpiqen të kapin apo të sjellin gjarprin, pasi identifikimi i saktë i tij nuk është i domosdoshëm për dhënien e serumit kundër helmit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.