Policia kontrolle të shtuara në Tiranë, sekuestron armë të ftohta dhe lëndë narkotike, shoqërohen 6 persona
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka intensifikuar kontrollet në terren me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe rritjen e parametrave të sigurisë në qytet.
Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, kanë zhvilluar kontrolle të befasishme në akset kryesore rrugore dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Kontrollet kanë pasur në fokus evidentimin e armëmbajtjes pa leje, posedimit të lëndëve narkotike, kapjen e personave në kërkim, si dhe verifikimin e automjeteve luksoze, mjeteve të blinduara, automjeteve me xhama të errësuar tej normave të lejuara dhe mjeteve të modifikuara që shkaktojnë zhurma shqetësuese.
Gjatë operacionit janë kontrolluar dhe verifikuar 61 automjete luksoze, ndërsa janë verifikuar 82 shtetas me precedentë kriminalë në fusha të ndryshme.
Sipas Policisë, 11 automjeteve luksoze u janë hequr xhamat e errësuar në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor, ndërsa janë konstatuar dhe hequr gjithsej 61 xhama të errësuar, përfshirë edhe raste në xhamin e përparmë të automjeteve.
Gjithashtu, 5 automjete janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për verifikime të mëtejshme, një prej të cilëve ishte mjet i blinduar.
Gjatë kontrolleve janë shoqëruar edhe 6 shtetas, pasi ndaj tyre janë konstatuar shkelje të ndryshme. Policia bën me dije se personave të shoqëruar u janë gjetur lëndë narkotike, shkopinj bejsbolli dhe shkopinj metalikë, ndërsa është evidentuar edhe një drejtues automjeti që drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë njofton se kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me fokus garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.